Çmagjepsja me Bashkim

Tregimet futuristike gjithmonë kanë dështuar në parashikimet e tyre për njeriun e ardhshëm. Ndonjëherë ato më tepër kanë mbetur dëshmi përfytyrimesh për historianët. Shumica duhet të jenë zhdukur. Mirëpo, roli i tyre qëndron në ndikimin që kanë pasur në tërësinë e sistemit të vlerave dhe kuptimeve që janë rritur e kanë mbijetuar, e që pastaj kanë përcaktuar organizimin e shoqërive. Fundja, njerëzit që i janë dhënë shkrimit, mendimit, me kohë janë ndarë nga pejgamberllëku.

Kështu, çfarëdo përfytyrimi për shqiptarët e ardhshëm, tash në 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, më shumë duhet të marrë për bazë një çmagjepsje të sotme të shqiptarëve me idenë e bashkimit në një shtet sesa përkrahjen për të, një përcaktim ky i ndërvarur me botëkuptimet që burojnë dhe rregullojnë Perëndimin, pas Luftës së Dytë Botërore. Këto të fundit janë kozmopolitane në thelb – jo për nga idealet e krijuara prej artistëve sa nga arsyeja politike.

Kosova dhe organizimi ideal: Shtytësit e projektit të bashkimit duhet të marrin seriozisht ndjenjat dhe arsyetimin e gjithë atyre që e përkrahin dhe besojnë në Kosovën shtet i pavarur, sipas Deklaratës së Pavarësisë të 17 shkurtit 2008. Nuk është se ka ndonjë grupim të fuqishëm politik që vepron për bashkimin, por qëndrimet publike, sipas historisë, rrezikojnë të kthehen me kohë në fushëveprim politik. E këto qëndrime që përkrahin bashkimin e shqiptarëve në një shtet, kudo që shfaqen ato, rrjedhin shpesh sa nga mosguximi për të rrezikuar pozitën e tyre të sotme duke iu frikësuar opinionit, aq edhe nga mospërcjellja e zhvillimeve botërore politike. Përveç se është donkishoteske të mos marrësh parasysh deklarimet e një shoqërie, sot, promovimi i idesë së bashkimit, nga këndvështrimi i Kosovës, tash kur po hyn në bisedime me Serbinë, është fillimisht ftesë për humbje territoriale – siç kërkon kjo e fundit, duke përmendur Daytonin. Është shtysë për pamundësimin e bashkëjetesës së të ndryshmëve në një hapësirë, në këtë rajon. Është manipulim me fatin e njeriut të ardhshëm kosovar që jeton në një shtet të vogël dhe që, për nga forma, i afrohet idealit të formës së organizimit politik – në atë se, sidomos me këtë gjendje moszhvillimi ekonomik, të jetuarit në kësi shteti ndihmon njerëzit të dalin nga varfëria dhe anonimiteti më shpejt. Secili e ka më afër të jetë i punësuar në komunë, në një agjenci, në një ministri, ambasadë…t’i takojë “filmit kosovar”, “letërsisë kosovare” etj. Është e sigurt se në organizime tjera, si bashkimi, të paktën për një kohë, mundësitë e tyre do të ishin më të kufizuara. Jetët e njerëzve kalojnë, me më pak përvojë dhe më pak kushte. E duhet të fillohet të mendohet për secilën jetë përpara se të kërcehet në promovimin e projekteve politike si qëllime parësore dhe në vetvete. Kjo ka rëndësi sidomos nga këndvështrimi i ndryshimeve institucionale në Europë.

Europa, Natyra, Paraja: Bashkimi Europian është krijim i ideve kozmopolite, që ishin formësuar dikur nga artistët në kërkim të harmonisë, por prej të cilave politika më vonë kishte marrë kryesisht mundësitë e arsyetimit të ruajtjes së paqes. Identiteti i fortë kombëtar është një fat historik europian për shumëkënd, por edhe funksioni i shumëçkaje ka domethënie të ndryshme sot në krahasim me 50 vjet më parë. Në literaturën europiane përmendet shpesh Gjermania si vendi ku institucioni i ligjit kundër konkurrencës ishte futur me presionin amerikan, ndoshta edhe duke manipuluar votat e Parlamentit, ndërsa sot është kthyer në një shtet që e promovon atë në kontinent. Nga një vend ku elita e saj intelektuale donte të ruante “konceptin e politikes”, të të quajturit luftës — luftë, në një shtet që dominon kontinentin ekonomikisht. Në Britaninë e Madhe, Sir Salman Rushdie është ndër figurat më të njohura të elitës intelektuale, në Francë Nicola Sarkozy ishte President, dhe në shumë shtete tjera gjeneratat e treta e të katërta të emigrantëve do të përcaktojnë orientimet e tyre, nëse jo zgjedhjet, sikur bënë hispanikët këtë vit në SHBA. Janë njerëz që ndikohen nga vendet e punës në shtete tjera, janë belgë që lexojnë Financial Times-in në Bruksel, janë austriakë që shikojnë TV-të gjermane, janë europianë që gjykohen sipas ligjeve të shteteve të tjera, e që të gjithë janë online. Shumë nga ata mësojnë anglisht nëpër universitete. Dhe, pavarësisht dallimeve, Europa do të bashkohet edhe më tej nga kërcënimet e natyrës (përmbytja në New York për disa ishte pasojë e ndryshimeve klimatike) – nga nevoja për politika të përbashkëta të ambientit dhe nevoja për të vepruar si bllok në një botë që do të popullohet prej 8.5 miliardë njerëzish më 2025, sipas projektimeve të OKB-së, me 23 qytete që do të kenë mbi 10 milionë banorë, 19 prej të cilave në Azi. Europa, po ashtu, është e bindur për funksionin e parasë në llojin e organizimit shoqëror – kualitetin e arsimit, pjesëmarrjes politike, drejtimit të bizneseve e organizatave tjera, mendimit të pavarur etj.- dhe ruajtja e saj do të jetë motiv shtesë për të vepruar si një fuqi. Intelektualët e saj më të mëdhenj janë të bindur për Europën si ide, por edhe kultura, në formën e zakoneve, lëviz për t’iu bashkuar atyre. Natyrisht se zhvillimet me planetin dhe paraqitjet e herëpashershme të Anreas Breivikëve rrezikojnë të nxisin edhe nacionalizma të rinj e manifesto për to, por thjesht ka shumë drita në Europë që gjithçka të shuhet shpejt.

As shqiptarët dhe as europianët nuk do të shohin ndonjë bashkim klasik – shqiptarët në një shtet, Europa e federalizuar në versionin e SHBA-së. Tek shqiptarët, sikur në Amerikën Qendrore, një Gabriel Garcia Marquez do të jetë i lexuar e i famshëm si në Kolumbi edhe në Meksikë. Gjë që edhe ka ndodhur. Ëndrra evropiane, po ashtu, do të jetë më e modeluar. E, ndërkohë, është manipuluese që njerëzit të futen në projekte që nuk ndërlidhen më me rrezik ekzistence por me aventura politike ose “borxhe ndaj të kaluarës”. Pse, a s’do të mund t’i duken kulturës dhe sistemit të ardhshëm të vlerave europiane, me shqiptarët pjesë të saj, të papranueshme organizimet e sotme, sa neve tash format fisnore ose monarkitë me pushtet të pakufizuar? Është e sigurt se këto forma krijohen  thjesht nga koha, botëkuptimet përkatëse dhe gjasat e suksesit për banorët.

Ideologjia që shqiptarët duhet t’i vishen është një, që përkrah zhvillimin e secilit. Një shqiptar me përvojë, i edukuar dhe i pasur, do të jetë i përgatitur për secilën kohë. Sepse, siç na tregon ai besimi i gjerë, nuk duhen njerëz sa Kina për të gjetur një Mozart, por kushte që më i talentuari nga ne të mund të bëhet i tillë.