Rrëmuja e PDK’së me Historinë

Meqë doli se për studimin e historisë kemi investuar më shumë se në çdo lëmi tjetër – mirë, prej atëherë kur më në fund ishim bindur t’i vishemi shkencës (dhe ne nuk marrim vendime lehtë!) – nuk mund të jetë i paarsyeshëm fakti që ajo ende ka një autoritet të fortë në vendimmarrjen dhe mënyrën se si ne e shohim botën.

Mbretëreshë e shkencave ishte historia në ideologjinë e kohës. Inxhinierët më të zotë kishin po këtë vokacion. Prandaj jorastësisht shpjegimet e tyre dolën të jenë aq konsistente e logjike. E kaluara u shndërrua në një pikturë krejt transparente, që nuk nënqeshte me ne po na jepte forcë dhe na shfaqte rrugën e drejtë të së ardhmes.

Nuk mbeti më për t’u zbuluar asgjë; të gjitha ishin thënë. Askush nuk kishte dyshimin më të vogël. Studentët e dalluar Jakup Krasniqi dhe Hashim Thaçi e miqtë ishin më të bindur se të gjithë. Mjaftë me teori. Tani kishte nevojë vetëm për veprim. Në shkolla, Krasniqi e kishte vërtetuar me kohë se kjo punonte tek gjeneratat e reja. Aksioni shkon me grupe, iu sugjeruan. Grupe u bënë. Revolucionet kryesisht ishin nisur në periferi. Në male dolën. Dhe kur historia zotërohet aq mirë, dhe kur ajo arrin të ndërlidhet aq fort me rrethanat, asnjë armik s’mund të ndalë transformimet e shoqërisë.

Kur studentët prisnin të nisnin semestrin e parë pas çlirimit, më 1999, Hashim Thaçi u mbajti një fjalim, me inxhinierët e dikurshëm të historisë, shndërruar në rektorë e dekanë, duke u treguar se si u arrit ky sukses historik, se në ç’moment të historisë ndodheshim dhe çfarë kërkonte historia prej nesh në të ardhmen.

Shpejt më pas, në atë vjeshtë energjike, ata hynë në politikë, në formën e Partisë për Prosperitet Demokratik dhe pastaj Partisë Demokratike të Kosovës – gjithmonë për të mirën e vendit dhe për të vendosur pluralizëm të vërtetë partiak. Nuk ka asgjë pa organizim. Politika është kënaqësi, është pozitivitet. Dhe ata sërish përdorën historinë si armën e tyre të fortë e të besuar. Ejani të burgosur politikë, rebelë, radikalë! Kundërshtarët u thumbuan duke u pyetur ku ishin gjatë luftës. Të tjerëve u përmendnin zakonet e baballarëve të tyre. Kritikëve iu përgjigjeshin nëse ka nevojë t’u rikujtohej suksesi që ata kishin në largimin e Serbisë nga Kosova. Secili që është i marrueshëm për të prezantuar avantazhet e tij, e ka të vështirë fitoren në terren. Dhe ata nuk ishin aspak hezitues. I thanë popullit se vota për ta është mirënjohje për luftën e drejtë që ishte bërë, për dëshmorët që kishin rënë, për ndryshimin – shkurt, për historinë. Fitorja do të vinte; gjithçka kërkohet është përbrendësimi i ligjeve të historisë.

Kosovarët janë popull që binden vetëm nga faktet më të pastra. Kjo dhe besimi i thellë në histori i bëri ata që as të mos vinin në dyshim – larg nga kjo – studentët e saj më të zotë. Kur momenti historik, i shpalljes së pavarësisë më në fund arriti, njeriun që e kishte të merituar vendin në histori, kreun e lëvizjes Hashim Thaçi, populli e ngriti lart në krye të vendit. Gjithçka vjen në vendin e vet. Ai e kishte merituar. Drejtoria Politike e UÇK’së, Transformimi i TMK’së, Rambouillet, urtësia në opozitë (me disa nxemje gjaku të rastit)…Njeriu është çfarë beson se është. Por është mirë që ky besim, për vendin e garantuar në histori, të konfirmohet edhe nga Akademia e Shkencave. Është mirë që kjo të kristalizohet edhe nga kompleti i librave të të urtit Jakup Krasniqi. Dhe fundi i fundit, është mirë që vet specialistët e lëmisë (Doktor Enver Hoxhaj), ta thonë këtë: “Të gjithë do të vdesim e do të bëhemi hi, emri i Hashim Thaçit do të rrojë përherë”.

Aq shumë u stabilizua kreu i lëvizjes në vendin e tij meritor në histori sa tanimë ka të ngjarë të skuqet nga veprimet e tij të dikurshme, atëherë kur si i ri që të bindej për të lëshuar pe duhej të takonte dhe ta pyeste, disa herë, shkrimtarin e madh Ismail Kadare. Tani ‘rektorët e historisë’, kurdo që ka nevojë, thonë atë që duhet thënë dhe që është e drejtë – përmes televizionit. Kreu ka një argument të fuqishëm kur të tjerët e kritikojnë. “Më falni, unë nuk kam deficit kombëtar”! Kreu ka shkuar në shumë trajnime dhe i është mësuar se një lider i madh botëror është i aftë të bëjë kompromise. Kreu ka vendosur të bëhet lideri më i madh duke bërë më së shumti kompromise. Së fundi, ai ka habitur të gjithë homologët e tij duke ndërruar emrin e Kosovës në 1244. Ai arriti që kështu ky të bëhet emri i parë i një shteti që shkruhet me numra. Dhe ne askush nuk kemi asnjë dyshim. As të tipit “mos ka ai ndonjë arsye tjetër, më praktike?”. Se, kush më mirë se kreu e njeh historinë?

Së fundi na kanë dalë disa vështirësi. Kreu dhe miqtë duket të jenë thelluar aq shumë dhe të kenë ecur aq larg përpara, sa më nuk po mund t’i përcjellim. Nuk kemi askënd pos vetës për ta fajësuar! Krahu i djathtë i kreut, Kadri Veseli shef i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), doli këtë javë në TV dhe bëri thirrje që të jemi unikë, që të mos merremi me gjëra përçarëse nga e kaluara dhe të koncentrohemi në ndërtimin e një të ardhme të zhvilluar ekonomikisht. Ai foli qetë ngase e kishte mundur egon, herë-herë me emocione për të na prekur të gjithë neve dhe përdori referenca të liderëve të mëdhenj kur në një rast u shpreh “jo, jo dhe jo”. Ky shërbim, tha ai, është marrë vetëm me veprimtari nga agjenda nacionale. Ani pse gjykatat janë duke trajtuar raste të vrasjeve dhe kriminalitetit ekonomik të njerëzve të këtij shërbimi. Ani pse EULEX’i e kishte quajtur shërbimin “organizatë kriminale”. Ani pse raportet e KFOR’it i ishin referuar si “polici e PDK’së”.

Kemi humbur paksa dhe s’mund ta përcjellim dinamikën e historisë, por duhet t’i besojmë interpretimit të PDK’së: tani ne gjendemi në një moment historik kur duhet të zhvillojmë vendin dhe kur kemi nevojë për politikanë që na çojnë drejt atij synimi.

Një budalla poet një herë e një kohë kishte thënë, po të parafrazohet, se vetëm në iluzionin e fitores, fitorja ekziston. Sigurisht se kreu i lëvizjes dhe miqtë do të qeshnin me zë nga naivitete të këtilla. Këto gjëra janë opium për shoqërinë. Dhe nuk ka dyshim se ata kanë të drejtë. Kush më mirë se kreu dhe miqtë e zotërojnë historinë?