Kur Pranvera Vonohet

Ky dimën na e bani me dije se kush është më i forti, pushteti i vërtetë. Natyra. Fëmijët u gëzuan aq shumë sa iu hipën sajave, ndërsa të rriturit (shumë nga ne), edhe ashtu që moti iu kemi hipur skijave, edhe pa borë…

Por dimri sjell edhe të mira. Në pranverë ujë do të kemi sa të duam, megjithëse dikush po paralajmëron se do të ketë edhe vërshime. Tregtarët e shfrytëzuan edhe këtë rast t’i rrisin çmimet e produkteve ushqimore, e atyre që shisnin dru “iu ra shi në kollomoq”, çmimet e druve shkuan në hava. E, KEK-u sërish vazhdoi t’ua mësojë shqiptarëve alfabetin, vetëm tri shkronjat e para.

Kur pranvera “vonohet”, s’të mbetet gjë tjetër veç me u mbështjell me një batanije, me marrë telepilotin në dorë e me ju hi rend kanaleve televizive. Si e krejt shqiptarëve, lajme, lajme, lajme e nganjëherë Liga e Kampionëve është menuja ime. Jo, në fakt “menuja televizive” ka nisur të zgjerohet. Para disa vitesh, patëm fillu me mësu spanjollishten prej serialeve të shumta latine në televizionet tona “kombëtare”.

Së fundi, në trend janë serialet turke, të cilat po cilësohen si më familjare, pasi nuk kanë shumë “skena palidhje”. Ishalla nuk i shkon najkujt mendja me na e mësu kinezishten, sikur propozoi këtyre ditëve kryeministri shqiptar, Sali Berisha…

Kur ik dimni dhe vjen pranvera, i harrojmë hjekat dhe ia nisim me shiku hartën ku me ja mësy sivjet me shku në deti. Gjysa me kursime, e gjysa me kredi, veç në deti nuk bën hiq pa shku. Tek e fundit, një vikend në bregdetin shqiptar. Gjynah mos me shfrytëzu “Rrugën e Kombit”, e cila tani ka nis me u zgjat edhe në pjesën kosovare.

Po thojnë krizë gjithkah, por na sikur nuk po e ndiejmë, ose jemi mësu gjithmonë me kriza. Njëfarë vakti, një punojke e krejt familja jetonte në shpinë të tij, sot krejt familja punon e s’po mujm me lidh muajin me muaj. Po ne njihemi si populli më optimist, prandaj edhe mund të dëgjosh aq shpesh të përsëritet “hajt se bahet mirë”.