Ilustrim- FSK

Kosova nuk ka njësi civile të kërkim-shpëtimit, të gjitha shpresat te FSK-ja

Kosova nuk ka njësi civile të kërkim-shpëtimit, përveç regjimentit ushtarak të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Përderisa në ushtrinë e Kosovës, ushtarët janë të përgatitur dhe kanë pajisjet e mjaftueshme për reagim emergjent, njësitet e zjarrfikësve nuk janë të gatshëm të reagojnë në këto lloje krizash.

Hajriz Sejdiu nga departamenti i Emergjencave në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës ka thënë për KALLXO.com se janë mbi 800 zjarrfikës ndërsa vetëm rreth 30 pjesëtar të kësaj njësie janë të trajnuar nga FSK-ja për reagim në situata emergjente në kërkim-shpëtim.

“Vendimmarrja politike nuk e ka pasur prioritet menaxhim e fatkeqësive. Si Agjenci e Reagimit Emergjent është viti i katërt që dërgojmë një specifikacion për ta ngritur një brigadë të mbrojtjes civile, e cila e ka brenda edhe njësinë e kërkim shpëtimit urban. Njësitet e zjarrfikësve nuk janë të certifikuara dhe nuk kanë pajisje të kërkim-shpëtimit si njësi civile”, ka thënë Sejdiu.

Sejdiu ka shtuar se tashmë kanë një marrëveshje me FSK ku i dërgojnë grupet e zjarrfikësve për t’u trajnuar në kërkim-shpëtim urban, ujor e malor, por sipas tij problematikë mbetet mungesa e zjarrfikësve.

Tutje ai ka thënë se komunat janë të parat që duhet të merren me menaxhimin e emergjencave dhe më pas të kërkojnë ndihmë nga niveli qendror, AME apo FSK.

Ejup Maqedonci nga Forca e Sigurisë së Kosovës ka thënë për KALLXO.com se ky institucion ka përgatitjen dhe pajisjet e nevojshme për reagim në tri situata emergjente të mundshme.

“Brenda disa njësive në FSK gjendet edhe regjimenti në të cilin ndodhet kompania e kërkim-shpëtimit. Më pas ndahet në tri fusha kryesore: kërkim-shpëtimi në male, në ujëra dhe kërkim-shpëtimi urban. Në kërkim-shpëtimin urban janë toga prej 30 personave të specializuar për reagim në tërmete. I kemi të gjitha mjetet. Në Regjion jemi të vetmit që jemi të certifikuar individualisht, por edhe si ekip për kërkim-shpëtim urban sipas standardeve të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Maqedonci.

Maqedonci ka shtuar se në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm të FSK është Qendra Ndërkombëtare e kërkim-shpëtimit që trajnon grupe të ndryshme brenda dhe jashtë shtetit.

Forca e Sigurisë së Kosovës në tërmetin e vitit të kaluar që goditi Shqipërinë ku mbetën të vdekur mbi 50 persona kishte dërguar mbi 50 ushtarë, oficerë e nënoficerë në Task- Forcën e kërkim- shpëtimit.

FSK-ja është e pajisur me pajisje specialistike duke e përfshirë edhe njësinë e K9-shit- qentë e përgatitur dhe trajnuar për kërkim-shpëtim urban duke i përfshirë edhe pajisjet e tjera me kamera e sonda, të cilat i përdorë ushtria e Kosovës në rast të kërkim- shpëtimit urban.

KALLXO.com ka raportuar se shumë objekte shkollore në Kosovë nuk kanë dalje dhe shkallë emergjente, gjë që e rrezikon shëndetin dhe jetën e mijëra nxënësve nga ndonjë situatë e paparashikuar fatkeqësie natyrore.

Sipas Departamentit për Infrastrukturës dhe Shërbimeve Teknike në kuadër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, të cilët janë përgjegjës për sigurimin e hapësirës së përshtatshme dhe adekuate si për zhvillimin e procesit mësimor në Kosovë janë rreth 60 shkolla të amortizuara që kanë dëmtime në strukturën e ndërtimit.

Në anën tjetër, janë vetëm 394 shkolla në Kosovë që kanë dalje emergjente, ndërsa nga këto shkolla, janë vetëm 165 shkolla që kanë shkallë emergjente.

Gjithashtu KALLXO.com ka raportuar edhe për mungesën e kodit të ndërtimit dhe sigurinë e ndërtesave shumëbanesore.

Sipas hulumtimit, në Kosovë për mbi 300 mijë objekte pa leje ka filluar procesi i legalizimit 20 vjet pas luftës, ndërsa deri në fund të muajit tetor janë bërë 1656 legalizime. Ky numër i madh i ndërtimeve pa leje, ndër vite është ngritur si shqetësim, jo vetëm për shkak të dëmtimit të infrastrukturës urbane, por edhe për shkak të sigurisë së qytetarëve, pasi që ndërtimet janë zhvilluar pa mbikëqyrjen e organeve gjegjëse.

Më 5 shtator 2018, ka hyrë në fuqi Ligji i ri për trajtimin ndërtimeve pa leje, në Republikën e Kosovës, ndërsa fushën e ndërtimit në Kosovë e rregullon Ligji për Ndërtim, i cili ligj e obligon Qeverinë që të miratojë edhe kodin unik shtetëror të ndërtimit.

“Ky ligj e obligon qeverinë që ta miratojë edhe një akt nënligjor i cili quhet Kodi unik i ndërtimit mirëpo i njëjti ende nuk është miratuar nga Qeveria edhe pse një version është hartuar nga ish Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për KALLXO.com.

Gjithashtu KALLXO.com ka kontaktuar me komunat e Kosovës të cilat kanë deklaruar se Kosova nuk ka ndonjë kod ndërtimi, por të gjitha lejet për ndërtim jepen sipas Eurocode 8.

KALLXO.com ka raportuar edhe për sigurinë e vendpunishteve dhe jetët e humbura në punë në sektorin e ndërtimtarisë.

Sipas institucioneve, vdekjet në punë ndodhin si pasojë e mosedukimit të punonjësve për rreziqet në vendin e punës.

Gjithashtu KALLXO.com ka raportuar edhe për hartat sizmike dhe studimet makrozonuese të qyteteve.

Territori i Kosovës ka disa zona të fuqishme të burimeve sizmike ose zona sizmogjene, por deri më sot ende nuk ka një katalog të plotë për tërmetet që e kanë goditur atë.

Sipas Shemsi Mustafës, udhëheqës i sektorit te gjeofizikes dhe gjeologjisë inxhinierike në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit (ish-MZHE), Kosova ka gjashtë zona me aktivitete sizmike: Zona sizmogjene Pejë-Istog, Zona sizmogjene Ferizaj-Viti-Gjilan, Zona sizmogjene Kopavnik, Zona sizmogjene Prizren-Gjakovë, Zona sizmogjene Drenicë dhe Zona sizmogjene Prishtinë-Mitrovicë.

Sipas tij, duke marrë parasysh se territori i Kosovës nuk është shumë i madh, në cilëndo nga këto zona nëse do të kishte një tërmet, do të ndikonte edhe në zonën tjetër.

Mustafa thonë se tërmetet nuk mund të ndalen sepse janë fenomene natyrore, porse pasojat në njerëz dhe në të mira materiale mund të evitohen.

Për evitimin e dëmeve që mund t’i shkaktojnë tërmetet në territorin e Kosovës, Mustafa rekomandon që në ndërtimin e objekteve të zbatohet rregullorja e EUROCODE 8, që parasheh të gjitha masat që duhet të ndërmerren me rastin e ndërtimeve të larta.

I vetmi qytet në Kosovë që ka mikrozinim sizmik është Gjilani. Mikrozinimi i këtij qyteti është bërë pas goditjeve 8 ballëshe që i mori në vitin 2002.