Gjenerallejtnant Rrahman Rama, komandant i FSK-së. Foto: Kallxo.com

Gjenerali i FSK-së niset për Shqipëri (VIDEO)

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Rrahman Rama, në një intervistë për KALLXO.com ka dhënë informacione rreth Task-Forcës e cila po ndihmon Shqipërinë pas tërmetit të orëve të para të mëngjesit të ditës së martë.

Gjenerallejtënant Rama ka thënë se FSK-ja ka dërguar mbi dhjetë ushtarë të certifikuar dhe profesionistë, të cilët mund të intervenojnë në çfarëdo nevoje që mund të krijohet.

“Ne e kemi angazhuar Task-Forcën për kërkim-shpëtim, të cilët janë të pajisur shumë mirë dhe çka vlen të theksohet është trajnimi i tyre, disiplina, përkushtimi e profesionalizmi. Edhe pjesëtarët e ushtrisë së Shqipërisë të cilët kanë intervenuar janë të trajnuar në qendrën tonë të trajnimit”, ka thënë Rama.

Po ashtu, gjenerallejtënant Rama ka treguar se mbrëmë kanë dërguar edhe dhjetë trupa shtesë pas kërkimit dhe vlerësimit të gjendjes në Shqipëri.

“Ne i kemi çu 40 ushtarë, oficer e nënoficer në Task- Forcën e kërkim- shpëtimit. Një pjesë e kemi lënë në gjendje gatishmërie në rast të nevojës. Mbrëmë kemi çu edhe dhjetë ushtarë profesionistë dhe me pajisje që ata kanë pasur nevojë në bazë të vlerësimit dhe aktualisht i kemi mbi 50 pjesëtarë tanë dhe ushtria jonë është e gatshme edhe për njerëz të tjerë në bazë të nevojës dhe kemi pjesëtarë të pajisur dhe gati për të intervenuar në çfarëdo nevoje që mund të krijohet”, ka vazhduar më tej ai.

Tutje ai ka treguar se FSK-ja është e pajisur me pajisje specialistike duke e përfshirë edhe njësinë e K9-shit- qentë e përgatitur dhe trajnuar për kërkim-shpëtim urban duke i përfshirë edhe pajisjet e tjera me kamera e sonda, të cila i përdorë ushtria e Kosovës në rast të kërkim- shpëtimit urban.

Gjenerallejtnant Rrahman Rama, komandant i FSK-së. Foto: Kallxo.com

Rama ka treguar se tash do të niset për në Shqipëri së bashku me Presidentin Hashim Thaçi për të parë nga afër situatën atje.

“Deri më tash nuk kemi asnjë problem sepse i kemi bërë të gjitha përgatitjet para nisjes. Tash do të shkoj bashkë me Presidentin e vendit dhe do të kemi më shumë informacione rreth gjendjes atje”, ka treguar ai.

Gjeneral Rama tregoi edhe për nisjen e operacionit në orët e para kur mori lajmin për tërmetin në Shqipëri.

“Sapo e kemi marrë informacionin për fatkeqësinë në Shqipëri, kam kontaktuar me homologun tim në Shqipëri rreth orës 6:30 dhe kam dhënë urdhër në njësinë specialistike në këtë rast njësia e kërkim- shpëtimit urban të jetë e gatshme dhe brenda tri orëve kemi qenë në vendin e ngjarjes dhe kemi filluar intervenimin”, tha ai në intervistë.

Gjenerallejtnant Rrahman Rama, komandant i FSK-së. Foto: Kallxo.com