Siguria në sektorin e ndërtimtarisë dhe vdekjet në vend të punës

Në vendpunishtet në sektorin e ndërtimtarisë në Kosovë gjatë këtij viti kanë vdekur 6 persona, ndërsa janë vetëm 30 inspektorë aktiv që inspektojnë.

Zëvendëskryeinspektorit për Siguri në Punë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Agim Millaku, ka thënë për KALLXO.com se në sektorin e ndërtimtarisë kanë vdekur 6 persona gjatë këtij viti.

Sipas Millakut, Inspektorati ka shqiptuar 64 raste të gjobave ndaj punëdhënësve të cilët kanë shkelur dispozitat e Ligjit për Siguri dhe Shëndet në punë.

Më tej ai ka thënë se Inspektorati nuk ka inspektorë të caktuar vetëm për fushën e ndërtimtarisë.

“Nuk kemi inspektor të caktuar vetëm për këtë lëmi, por secili inspektor mbikëqyrë zbatimin e ligjeve dhe akteve nënligjore në dy lëmitë (marrëdhënien e punës dhe sigurisë dhe shëndetit në punë). Ky numër i inspektorëve nuk mjafton as për së afërmi për të mbikëqyrë zbatimin e ligjeve dhe akteve nënligjore që rregullojnë lëmitë e sipër cekura ku bënë pjesë edhe sektori i ndërtimit”, ka thënë Millaku.

Ndërsa sipas Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat tha për KALLXO.com se Inspektorati i Punës nuk ishte në gjendje të përfundonte detyrat e tij siç duhet me numrin e inspektorëve që ka aktualisht ndërsa ka thënë e për vdekjet në vend të punës ndikojnë shumë faktorë.

“Ka mungesë të inspektorëve të punës sepse momentalisht janë vetëm 30 punëtorë aktiv dhe nuk mund të arrijnë ta kryejnë as minimalisht punën e tyre edhe nëse janë njerëzit më profesionistë”, ka thënë Azemi duke shtuar se Kosova ka katërfish më shumë vdekje në vend të punës sesa vendet e Rajonit.

“Punëtorëve nuk u ofrohet aspak siguri në vendin e punës nga pronari i kompanisë e as nga Inspektorati i Punës, gjithashtu dhe punëtorët nuk janë të kujdesshëm”, ka përfunduar Azemi.

Naim Bajraktari nga kompania për Siguri dhe Shëndet në Punë “HSK”, thotë për KALLXO.com se faktori kryesor i vdekjeve në vendin e punës është mosedukimi i punonjësve për rreziqet në vendin e punës.

“Rastet më të shpeshta të vdekjeve në vendin e punës janë në sektorin e ndërtimtarisë për shkak që ky sektor kërkon masa mbrojtëse shtesë dhe më të avancuara, si përkujdesjen më të lartë për sigurinë dhe shëndetit në punë nga ana e punëdhënëseve ndaj punëmarrësve, ku bëjnë pjesë Pajisjet Personale Mbrojtëse (PPM) të testuara dhe kualitative, trajnimi i punëtorëve për përdorimin e pajisjeve të punës, ku shpeshherë punëtoret bien viktimë e mos njohjes së përdorimit të tyre, ku mund te shkaktohen aksidente”, ka thënë Bajraktari për KALLXO.com.

Gjithashtu ai ka shtuar se nevojitet inspektim i shtuar për t`u arritur një nivel i kënaqshëm i zbatimit të ligjit, gjë që në vendin tonë, sipas tij, është një numër i vogël i Inspektorëve të Punës, dhe rrjedhimisht mos zbatim i mjaftueshëm i ligjit.

“Si ekspert i kësaj lëmie, mendoj se nevojitet edhe më shumë kontroll shtetëror për t`u arritur një nivel i kënaqshëm i zbatimit të ligjit, gjë që në vendin tonë është një numër i vogël i Inspektorëve të Punës, dhe rrjedhimisht mos zbatim i mjaftueshëm i ligjit”, ka shtuar ai.

Përveç Ligjit të Punës, në aspektin legjislativ, punëtorët në Kosovë mbrohen edhe me Ligjin për Siguri në Punë, për Mbrojtjen e Shëndetit të të Punësuarve dhe Ambientin e Punës.

Sipas ligjeve në fuqi, punëdhënësi është i detyruar t’i sigurojë kushtet e nevojshme për mbrojtje në punë, me të cilat sigurohet mbrojtja e jetës dhe e shëndetit të të punësuarve, në të kundërtën, shqiptohen gjoba.

Dënimet për punëdhënësit, për shkak të mungesës së sigurisë në ambientet e punës, sipas ligjit janë nga 100 deri në 20 mijë euro.

Aksidente në punë në Sllovaki më shumë ndodhin te punëdhënësit e vegjël dhe të mesëm që përfaqësojnë 82% të aksidenteve totale në punë dhe rreth 90% të të gjitha aksidenteve fatale.  Në vitin 2019 kishte gjithsej 31 aksidente fatale në punë në Sllovaki regjistruar nga inspektorati i punës. Nga këto, rreth 22,6% apo 7 aksidente u zhvilluan në Industrinë e Ndërtimit. Kur bëhet fjalë për aksidente të rënda në punë me serioze dëmtimi i shëndetit, në vitin 2019 janë regjistruar gjithsej 57 aksidente të tilla, që paraqet një ulje deri në 19 raste në krahasim me vitin 2018 (një rënie prej 25.0%).

Në shtetin hungarez, siguria dhe shëndeti në punë rregullohen me ligj. Në vitin 2019 kishte 29 aksidente vdekjeprurëse dhe 54 aksidentet serioze të regjistruara në industrinë e ndërtimit dhe kjo do të thotë se një e treta e vdekjeve totale dhe një e katërta nga dëmtimet e rënda serioze nga aksidentet e punës po ndodhin në ndërtim.

Në Poloni, në vitin 2019, gjithsej 91 persona u plagosën ndërsa 28 persona vdiqën në aksidentet në punë. Sipas të dhënave zyrtare 251 aksidente ndërtimore janë regjistruar në Poloni në 2019. Sipas këtyre statistikave nuk kishte asnjë aksident ndërtimor si rezultat i gabimeve në dizajn. Statistikisht, më pak fatkeqësi kanë ndodhur për shkak të gabimeve gjatë punimeve të ndërtimit, gjithsej ka pasur 22 raste të tilla (8.8%).

Në Republikën Çeke, nuk ka statistika rreth vdekjeve në punë dhe aktualisht kodi i ndërtimit është në procesin e reformimit.

KALLXO.com raportoi javën e kaluar se shumë objekte shkollore në Kosovë nuk kanë dalje dhe shkallë emergjente, gjë që e rrezikon shëndetin dhe jetën e mijëra nxënësve nga ndonjë situatë e paparashikuar fatkeqësie natyrore.

Sipas Departamentit për Infrastrukturës dhe Shërbimeve Teknike në kuadër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, të cilët janë përgjegjës për sigurimin e hapësirës së përshtatshme dhe adekuate si për zhvillimin e procesit mësimor në Kosovë janë rreth 60 shkolla të amortizuara që kanë dëmtime në strukturën e ndërtimit.

Në anën tjetër, janë vetëm 394 shkolla në Kosovë që kanë dalje emergjente, ndërsa nga këto shkolla, janë vetëm 165 shkolla që kanë shkallë emergjente.

Gjithashtu KALLXO.com ka raportuar edhe për mungesën e kodit të ndërtimit dhe sigurinë e ndërtesave shumëbanesore.

Sipas hulumtimit, në Kosovë për mbi 300 mijë objekte pa leje ka filluar procesi i legalizimit 20 vjet pas luftës, ndërsa deri në fund të muajit tetor janë bërë 1656 legalizime. Ky numër i madh i ndërtimeve pa leje, ndër vite është ngritur si shqetësim, jo vetëm për shkak të dëmtimit të infrastrukturës urbane, por edhe për shkak të sigurisë së qytetarëve, pasi që ndërtimet janë zhvilluar pa mbikëqyrjen e organeve gjegjëse.

Më 5 shtator 2018, ka hyrë në fuqi Ligji i ri për trajtimin ndërtimeve pa leje, në Republikën e Kosovës, ndërsa fushën e ndërtimit në Kosovë e rregullon Ligji për Ndërtim, i cili ligj e obligon Qeverinë që të miratojë edhe kodin unik shtetëror të ndërtimit.

“Ky ligj e obligon qeverinë që ta miratojë edhe një akt nënligjor i cili quhet Kodi unik i ndërtimit mirëpo i njëjti ende nuk është miratuar nga Qeveria edhe pse një version është hartuar nga ish Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për KALLXO.com.

Gjithashtu KALLXO.com ka kontaktuar me komunat e Kosovës të cilat kanë deklaruar se Kosova nuk ka ndonjë kod ndërtimi, por të gjitha lejet për ndërtim jepen sipas Eurocode 8.