Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com
Hapet konkursi për dizajnim të logos së Kuvendit të Kosovës, parashihen 10 mijë euro
Kuvendi i Kosovës ka hapur konkurs për dizajnim të logos së këtij institucioni. Në tenderin e hapur më 01.03.2024, vlera e parashikuar e këtij konkursi është 10 mijë euro.
Sipas thirrjes së publikuar në faqen e Kuvendit të Kosovës dhe në e-prokurim, për vendin e parë janë paraparë të ndahen 7 mijë euro, për të dytin 2 mijë dhe për të tretin 1 mijë euro.
Konkursi do të jetë i hapur deri më datën 11.04.2024. Ndërsa në njoftim thuhet se tenderi duhet të dorëzohet në mënyrë fizike në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në dosje të konkursit janë cekur specifikat që duhet të ketë logoja e Kuvendit të Republikës së Kosovës:
-Të jetë origjinale, unike dhe të mos jetë imitim i ndonjë logoje ekzistuese;
-Të paraqet pasqyrim artistik të veprimtarisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës;
-Të shpreh funksionin dhe mandatin e Kuvendit të Republikës së Kosovës;
-Të jetë e veçantë, kreative, kualitative, profesionale dhe prezantuese;
-Të jetë lehtësisht e kuptueshme;
-Të përçojë mesazh të qartë;
-Të jetë e dallueshme, të rezistoj kohës dhe të jetë e lehtë për tu mbajtur mend;
-Të jetë e përshtatshme për vendosje në dokumente fizike dhe në paraqitje elektronike, e lehtë për shtyp, në sfonde të bardha dhe të errëta;
-Të jetë e lehtë e përdorshme në madhësi të ndryshme;
-Të ketë shpjegim të secilit detaj të propozuar në logo; si dhe
-Të drejtat e autorit për propozimet e përzgjedhura i barten Kuvendit të Republikës së Kosovës.