Ilustrim - Jelekët taktik, Foto: Policia e Kosovës

Oferta jo të përgjegjshme, anulohen dy tenderë për uniforma speciale e taktike të Policisë në vlerë milionëshe

Vetëm në muajin janar, dy tenderë në vlerë të disa miliona eurove janë anuluar nga Policia e Kosovës nën arsyetimin se ofertat që paraqitën kompanitë e interesuara ishin të papërgjegjshme.

Një tender për uniforma operacionale e një tjetër për uniforma taktike në total prekin vlerën e parashikuar nga policia 2 milionë e 898 mijë e 746 euro.

Policia e Kosovës ka anuluar tenderin për furnizim me uniforma operacionale në mungesë të një oferte të përgjegjshme siç kanë pretenduar të njëjtit me anë të vendimit për anulim të procedurave tenderuese.

Vendimi për anulim është marrë më 12 janar 2024 ndërsa gjithë tenderi parashihej të kushtonte 99 mijë euro.

Në bazë të dosjes së prokurimit të publikuar edhe në faqen zyrtare të E-Prokurimit, katër kompani kanë marrë pjesë për të fituar këtë tender për furnizim me uniforma operacionale.

Oferta me çmimin më të ulët ishte ajo e kompanisë “PRICOM shpk” në vlerë të 89 mijë eurove. Tri kompanitë tjera “Ideal Shala B.I (Biznes Individual) ka ofertuar vlerën prej 98 mijë e 852 eurove, “Poligoni i Shenjëtarisë Katana” ka ofertuar çmimin prej 97 mijë e 200 eurove ndërsa kompania tjetër “Sodex Group” ka ofertuar çmimin prej 98 mijë e 970 eurove.

Në bazë të dokumentit në të cilin është anuluar edhe tenderi, policia ka thënë se kompania që ka aplikuar si biznes individual “Ideal Shala” ka dorëzuar të gjitha mostrat për të gjithë artikujt e kërkuar por të njëjtat nuk i plotësojnë specifikat teknike. Ngjashëm arsyetimi është dhënë edhe për disa prej mostrave që janë dorëzuar edhe nga kompanitë tjera “Pri COM”, “Sodex Group” dhe “Poligoni Shenjëtarisë Katana”.

Në dosjen e tenderit të publikuar në E-Prokurim, Policia e Kosovës ka njoftuar se lloji i procedurës për këtë ishte e negociuar dhe pa publikim të njoftimit të kontratës.

Gjithashtu brenda dosjes janë listuar edhe sasia e uniformave që Policia e Kosovës po parashikon të blejë.

Në bazë të listës së publikuar, Policia e Kosovës ka paraparë që të blejë 100 xhaketa taktike të dimrit, 100 palë pantallona, 100 palë bluza taktike operacionale.

Përveç tenderit për uniforma operacione, edhe një tjetër tender i anuluar ashtu siç figuron në E-Prokurim është ai për uniforma për detyra taktike.

Ky tender vlerën e parashikuar të çmimit e ka 2 milionë e 809 mijë e 840 euro.

Për këtë tender procedura e tenderit ka qenë e hapur ndërsa njoftimi për anulimin e aktivitetit është publikuar më 8 janar 2024.

Edhe për këtë tender Policia e Kosovës ka konsideruar se asnjë ofertë nuk ka qenë e përgjegjshme.

Disa kompani kanë aplikuar në këtë tender ndërsa ofertat e tyre janë konsideruar si të papërgjegjshme.

Për uniformat taktike kanë ofertuar çmimin prej 2 milionë e 25 mijë e 540 mijë eurove, grupi i kompanive “Runway shpk, Genc Taahhut Giym Tekstil Inssat San.ve Tuc, Sti VKN” dhe me 2 milionë 799 mijë 746 euro kishte ofertuar kompania “Sodex Group”.

Më 21 shtator të vitit të kaluar ky tender ishte pezulluar për shkak se kishte ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Në bazë të vendimit të OSHP-së edhe kompania “Sodex” por edhe “Runway shpk” ishin ankuar për këtë tender, pra për furnizimin me uniforma për detyra taktike.

OSHP në bazë të ankesave kishte vendosur që të miratoj pjesërisht ankesat dy kompanive ndërsa kishte thënë edhe se mbetet në fuqi anulimi i aktivitetit të prokurimit.

Tenderi për furnizim me uniforma taktike ka nisur si proces që nga marsi i vitit 2023 ndërsa është anuluar më 5 janar 2024, Policia e Kosovës.