ISG Lejon Mbylljen e Pavarësisë së Mbikëqyrur dhe ICO-së

ISG, siç thotë në deklaratën e lëshuar pas takimit të së hënës në Vjenë, të pesëmbëdhjetin me radhë, ka ftuar institucionet e Kosovës që tash të aprovojnë pakon e amendamentimeve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe që t’i japë fund pavarësisë së mbikëqyrur.

“Mandati i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar duhet të mbyllet me sukses me aprovimin e amendamenteve kushtetuese dhe legjislacionit primar në përputhje me propozimin gjithëpërfshirës për statusin”, thuhet në deklaratë.

ISG ka uruar Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e një shoqërie demokratike dhe multietnike si dhe për krijimin e Zyrës Administrative në Veri të Mitrovicës.

Shtetet anëtare kanë ftuar që parimet dhe fryma e statusit gjithëpërfshirës të vazhdojnë të edhe pas pavarësisë së mbikëqyrur.

“Ne do të përkushtohemi për të mbështetur qëllimin e Kosovës për më shumë njohje dhe drejt aspiratave për integrime në organizata relevante ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.

 
11:00
 
2 Korrik – Dita Kur Kosova Pavarësohet Krejtësisht
 
Përfaqësuesit e të gjitha shteteve anëtare të grupit drejtues ndërkombëtar janë mbledhur në Vjenë pa praninë e ish emisarit Martti Ahtisaari për t’i dhënë fund pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës sikur ky i fundit e kishte paramenduar. Data koinçidon me 2 korrikun e vitit 1990.

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO) Pieter Fieth the Kryeministri Hashim Thaçi do të dalin në një konferencë në mesditë, të hënën, për të shpallur se u është dhënë drita e gjelbër për të ecur drejt fundit të një periudhe që zgjati pesë vjet e në të cilën shtetet e grupit drejtues ndërkombëtar ishin garant se Kosova do të lëvizte drejt një shteti shumë-etnik dhe do të zbatonte planin gjithëpërfshirës të emisarit Martti Ahtisaari.

Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar atë plan më 2007 dhe në dy javët e kaluara ka plotësuar edhe ligjet e fundit të kërkuara për të përmbyllur “mbikëqyrjen ndërkombëtare”.

Data koinçidon me 2 korrikun 1990 kur Kuvendi i atëhershëm i Kosovës ishte mbledhur për të nxjerrë Kushtetutën e një shteti të pavarur e demokratik të “kombit shqiptar dhe  pjesëtarëve të  kombeve të tjera dhe të pakicave kombëtare, të shtetasve të vetë; serbëve, muslimanëve, malazezëve, kroatëve, turqve, romëve e të tjerëve që jetojnë në Kosovë”.

22 vjet më vonë, ajo nismë tashmë është kthyer në një shtet të njohur nga 91 anëtarë të Kombeve të Bashkuara.

Për këtë, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur të hënën në takim disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që shpallën Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990.

Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar të dielën në Gjenevë se kjo ngjarje nuk është dhuratë për Kosovën “Kjo është dëshmi se Kosova tashmë ka ngritur të gjithë mekanizmat për mbrojtjen e minoriteteve, dëshmi që institucionet demokratike dhe multietnike të Kosovës janë pjekur për të vazhduar punën e tyre”.