Zv/ministri i AAK-së kundër monopolit në homologim

Kandidati për deputet nga AAK dhe zëvendësministri në detyrë në Ministrinë e Infrastrukturës, Rexhep Kadriu ka thënë se është kundër monopolit në homologim.

Por, kohë më parë, kolegu i tij nga partia dhe ministri në detyrë, Pal Lekaj ia vazhdoi monopolin në homologim një kompanie private.

Kadriu në një intervistë për KALLXO.com është shprehur pro ndërtimit të autostradës së Dukagjinit ndërsa tha se është kundër shitjes së Telekomit të Kosovës, por tha se është për ndërtimin e termocentralit të tretë me qymyr.

Ai ka premtuar se nëse në të ardhmen i ngritet aktakuzë do të jap dorëheqje nga pozita e deputetit. Kandidati i AAK-së për deputet tha poashtu se nëse kryeministrit në të ardhshëm i ngritet aktakuzë, ai do të votoj për rrëzimin e Qeverisë.

 

Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë të kandidatit të AAK-së, Rexhep Kadriu:

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse bëheni deputet?

Rexhep Kadriu: Ne jemi në fazën e bisedimeve me Republikën e Serbisë kauza jone e Aleancës dhe e koalicionit AAK-PSD në Kuvendin e Kosovës do të jenë bisedimet me Serbinë dhe Kosova shtet 100%.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Rexhep Kadriu: Varësisht nga kërkesa e kryeministrit të ardhshëm në këtë rast Ramush Haradinaj, nëse kërkon nga ana ime që të jem në ekzekutiv atëherë do t’ia pranoj. Edhe pozita e deputetit do të më konvenonte që t’i shtyja temat që janë të nevojshme për qytetarët e Republikës së Kosovës.

KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Rexhep Kadriu: Taksat  të cilat duhet me u ul janë me përkrah biznesin e mesme, ndërsa ajo çka mendoj unë është akciza të rritet në duhan dhe në pije alkoolike sepse është një luks i qytetarëve dhe mbledhja e këtyre akcizave do të shtonte buxhetin e Kosovës.

KALLXO.com: Cilat janë tri amandamentet e para që keni me i propozu?

Rexhep Kadriu: Ulja e taksave dhe paga minimale në sektorin privat.

KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Rexhep Kadriu: Nevoja kryesore e komunës së Gjilanit momentalisht është sepse ne kemi punuar jashtëzakonisht shumë në infrastrukturën rrugore këto dy vitet e fundit si Ministri e Infrastrukturës ka qenë një investim jashtëzakonisht i madh në të gjitha komunat, por edhe në komunën e Gjilanit. Përfitues e fondeve të qeverisë komuna e Gjilanit është 170 milionë euro duke përfshirë edhe autostradën Prishtinë- Dheu i Bardhë. Prioritet duhet të jetë vazhdimi i autostradës nga Bresalci në drejtim të Dheut të bardhë si dhe ndërtimi i unazës se jashtme të qytetit të Gjilanit edhe pse është e planifikuar është bërë projekti nga Ministria e Infrastrukturës, është propozuar në buxhetin e vitit 2020 që të filloj ndërtimi i saj por çka është më kryesorja është ndërtimi i zonës ekonomike, akoma Gjilani nuk ka zonë ekonomike, qendër regjionale si qyteti më i madh duke përfshirë Vitinë dhe Kamenicën, edhe pse Vitia ka filluar një zonë industriale, mirëpo nuk është në vendin e duhur dhe nuk lidhet në mënyrë proporcionale me Gjilanin dhe për shkak të traseseve të autostradës që kalon dhe lidh dy shtete, Serbinë dhe korridorin e dhjetë, unë kisha mendu që zona ekonomike të jetë përreth autostradës së Gjilanit dhe të kemi një investim jashtëzakonisht të madh dhe të shtojmë vendet e punës.

KALLXO.com: A ka gjasa me e ndërru partinë ku jeni tash?

Rexhep Kadriu: Jo nuk do e ndryshoj derisa Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së i ka qëndrimet karshi Republikës së Serbisë, karshi mbrojtjes së sovranitetit, derisa është në këtë kauzë dhe është në këto qëndrime sepse këtu është e ardhmja e fëmijëve të mi dhe e fëmijëve të qytetarëve të Kosovës unë do të jem fuqishëm krah tij.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Rexhep Kadriu: Po nëse është interes të qytetareve të Kosovës, me siguri se do të votoja kundër.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Rexhep Kadriu: Gjinia femërore, fëmijët me nevoja të veçanta dhe të gjithë njerëzit me nevojë.

KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Rexhep Kadriu: Këtu realisht jemi duke ngecur si Kosovë nuk jemi duke i marr  masat e duhura të mbrojtjes së qytetareve sepse një ndër kushtet për shëndet të shëndoshë është ajri i pastër. Ne edhe në Gjilan e kemi një situatë jo të lakmueshme pas Prishtinës, Gjilani ndotet më së shumë në nivel vendi atëherë ne duhet të marrim masat jashtëzakonisht strikte dhe në përputhje me ligjin që të disiplinojmë qytetarët dhe të shtojmë kontrollin e madh tek automjetet që qarkullojnë në komunikacion.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Rexhep Kadriu: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Rexhep Kadriu: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Rexhep Kadriu: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Rexhep Kadriu: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Rexhep Kadriu: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Rexhep Kadriu: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Rexhep Kadriu: Kundër (heqjes).

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Rexhep Kadriu: Jam për, por duhet të respektohen rregullat dhe ligjet në Republikën e Kosovës dhe sipas planifikimeve hapësinore në Ministrinë e Planifikimit Hapësinor.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Rexhep Kadriu: Sistemi i universiteteve që i kemi në komunat tona duhet të reformohen duhet të bëhen programe adekuate të tregut të punës, nuk mund të kemi vetëm juristë apo ekonomistë, por edhe profesione të tjera e këtë mund ta bëjmë dhe nuk kisha dashtë të mbyllen sidomos universiteti “Kadri Zeka” sepse në këtë universitet studimet i kryejnë edhe një pjesë e madhe e Luginës së Preshevës dhe është shtytje për zhvillim sa më të mirë të asaj pjese matanë kufirit të Kosovës.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homoligim?

Rexhep Kadriu: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Rexhep Kadriu: Është e drejtë kushtetuese e çdo kujt, kjo nuk është e ndaluar me ligj dhe nuk jam kundër tyre.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Rexhep Kadriu: Nuk jam kundër edhe kjo është e drejtë legjitimë e çdo qytetari të Kosovës sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi të bart shami edhe nëpër shkolla dhe në institucionet publike.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Rexhep Kadriu: Nuk jam kundër jam për po, është dashtë të përfshihen edhe deputetët, nëse ne ja u mundësojmë Listës Serbe të kenë kuotën rezervë atëherë realisht është kontributi i tyre më i madh në historinë e ndërtimit të Kosovës.

KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzu?

Rexhep Kadriu: Ata që kanë abuzuar dhe ata të cilët e kanë keqpërdor duhet të dalin para drejtësisë ndërsa të tjerët duhet të çmohen edhe nëse ka qenë veç një ditë në front të luftës.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?

Rexhep Kadriu: Po, gjithçka duhet të bëjmë ne për diasporën, gjithçka ju kemi borxh atyre njerëzve që kanë mbajt gjallë Kosovën për 50 vite.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Rexhep Kadriu: Vetë, personalisht.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajt gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Rexhep Kadriu: Unë e kam vetëm një vend të punës si zv/ministër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe nuk kam as një pozitë tjetër ku marr të ardhura personale.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Rexhep Kadriu: Të hyrat mujore janë paga prej 1 mijë 50 euro e zv/ministrit, i bie 12 mijë euro vjetore. Pasurinë e deklaruar e kam 4 milionë euro, pasuri e trashëguar nga biznesi prej vitit 1996, tash atë kompani ndërtimore e udhëheq djali kështu që është e trashëguar nga prindërit. Puna jonë për 30 vite ka bërë që ne të kemi këtë pasuri.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me grune/burrin? Nëse jo, a keni me e regjistru bashkarisht?

Rexhep Kadriu: Unë jam i ve, pasurinë e kam me fëmijët, gruaja me ka vdekur, kështu që pasuria është e fëmijëve.

KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Rexhep Kadriu:Unë çdo herë, ftohje e gjitha këto çka i ndodhin njeriut gjatë jetës të gjitha shërbimet i marr në Emergjencën e Gjilanit bashkë me qytetarët e Gjilanit  dhe realisht është një kujdes i mirë si për të gjithë ashtu edhe për mua, kurrë nuk kam qenë në një spital privat pos në vitin 2006 kur kam pasur një intervenim në zemër. Në atë kohë është dashur sepse nuk ka pas vendosje të stendave në Kosovë e kam vendos jashtë vendit përndryshe të gjitha i bëjë në institucionet tona shëndetësore.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?

Rexhep Kadriu: Fal zotit shëndetësia kosovare ka filluar të përparoj kanë filluar investimet në infrastrukturën e brendshme të spitaleve, kapacitete intelektuale ka të mjaftueshme në Kosovë sepse edhe po eksportojnë edhe nga vendet perëndimore, unë ishalla nuk do Zoti të sëmurem, por do të orientohem tek spitalet tona, regjionale dhe rajonale publike.

KALLXO.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?

Rexhep Kadriu: Vajza ka kryer Fakultetin Ekonominë- kontabilitet në Universitetin e Prishtinës ndërsa djali është në AAB në Universitetin privat.

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Rexhep Kadriu: Për këto vite të ekzistencës të trungut familjar asnjë në jetën tonë nuk ka punuar në institucione publike, personi i parë që merr rrogë nga qytetaret e Kosovës edhe atë unë e marr po nuk e dërgoj në shtëpi e ndaj me studentet, njerëzit në nevojë, nuk e kam asnjë të punësuar në institucione, as vëllezër as motra sepse shumicën i kam në Zvicër, jetojnë dhe veprojnë atje dhe kurrë në jetën time sa merrem me politikë nuk do të punësoj ndonjë pjesëtarë të familjes.

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbetë nën qeverisjen shtetërore?

Rexhep Kadriu: Ne aktualisht jemi duke e bërë një studim, Qeveria e Republikës  së Kosovës se si do të ecën me Trepçën, për me funksionalizuar Trepçën realisht duhet me bo investime nga ndonjë konversion ose nga shteti, në ketë rast shteti pak ka kapacitete për me investuar. Mirëpo është mirë ndoshta një pjesë e aksioneve t’i ketë ndonjë kompani private, shumicën e aksioneve t’i mbaj shteti, mirëpo kjo do të rregullohet me ligje dhe do të votohet edhe kjo metodë e investimit të qeverisë në të ardhmen do të votohet në Parlamentin e Kosovës që shpresoj t’ia jap kontributin edhe për ketë temë.

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Rexhep Kadriu: Për buxhet do t’ia kushtëzoja votën vetëm për investime në Anamoravë, për Gjilan.

KALLXO.com: Cili ka me qenë projekti/puna me të cilën keni me lënë gjurmë/trashegimia juaj si deputet?

Rexhep Kadriu: Projekti i cili po lë gjurmë në komunën e Gjilanit është projekti i autostradës, ndërsa në zgjedhjet e kaluara në vitit 2017 është trumbetu se autostrada Prishtinë – Dheu i Bardh nuk do të filloj. Ne me marrjen e përgjegjësive veç  filluam punët brenda dy muajve të marrjes se përgjegjësisë dhe është detyrë e imja imediate që të kujdesem që kjo autostradë të përfundoj në mënyrën më të mirë të mundshme në afatin optimal të ndërtimit të saj dhe fokusi im kryesor do të jetë në unazën e jashtme të qytetit të Gjilanit sepse dua të ja një shembull për shkak të profesionit që kam si arkitekt të jap një shembull se çdo qytet duhet të ketë një unazë të jashtme të ndërtuar dhe zonën ekonomike, këto janë fokusi im në mandatin e ardhshëm katër vjeçare.

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Rexhep Kadriu: Nëse është nevoja çdo seancë.

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajtë gjatë një viti/mandati?

Rexhep Kadriu: Në këtë temë jam në strategjinë time dhe jam i kujdesshëm pasi që jam deputet nga Anamorava- Gjilani unë do të marr një iniciativë që në mandatin e ardhshëm katër vjeçar si deputet do të hap një zyre në Gjilan, ku do të thërras të gjithë deputetët të kenë takime së paku një herë në javë me qytetarët e regjionit por nëse nuk do të gjej përkrahjen e tyre atëherë do të jetë personalisht zyra e deputetit nga Anamorava.

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Rexhep Kadriu: Në ketë temë është diskutuar jashtëzakonisht shumë puna e makinave, makina mund të jetë e vjetër edhe deri në 20 vjet, 30 vjet si modele të vjetra, mirëpo duhet të kenë një kontroll jashtëzakonisht të rreptë të kontrolleve teknike dhe standardet të jenë maksimale sa i përket ndotjes së ambientit dhe lirimit të gazrave.

KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu në komisionet ku keni me qene pjese?

Rexhep Kadriu: Dëgjimet publike janë të mirëseardhura dhe nuk mund të shkosh tutje nëse e nuk e merr opinionin e qytetarëve, të shoqërisë civile dhe njerëzve të cilët dëshirojnë të kontribuojnë, sepse kontributi jashtëzakonisht i madh është edhe i shoqërisë civile dhe i njerëzve të cilët me idetë e tyre e plotësojnë çdo ligj dhe çdo iniciativë që vjen nga qeveria, mund të jetë iniciativë qytetare, debatet janë të domosdoshme, transparenca është tek debatet publike karshi qytetarëve.

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?

Rexhep Kadriu: Po.

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Rexhep Kadriu: Po.

KALLXO.com:  A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Rexhep Kadriu: Ne jemi duke e bërë dhe është në përfundimi ligji për qeverinë e Republikës së Kosovës. Është ligji i cili do të dal me 17 ministri që janë optimale për R. Kosovës ndërsa për numrin e zv.ministrave janë të gjitha të rregulluara, mirë është që Kosova sa më shpejtë të aprovoj ligjin për ministri që t’i pamundësoj çdo kryeministri t’ia shtoj numrin e ministrave, numrin e zv.ministrave të këshilltarëve, të ketë një rend sikur në pagën e listave, çdo kryeministri tash në fushatë elektorale i’u është mundësuar të i rrisin pagat për mësimdhënës për shëndetësi për të gjitha këto, ligji i pagave rritet njëtrajtshëm për të gjithë njëjtë në Republikës Kosovës.

KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?

Rexhep Kadriu: Varësisht nga kapaciteti, çdo ministri duhet të ketë nga një mirëpo disa ministri si për shembull Ministria e Infrastrukturës e ka të pamundur të funksionoj pa dy zv/ministra, sepse janë shtatë resorë ku realisht është një volum i madh dhe aty duhet të jenë dy, besoj se me ligjin e ri janë të rregulluara dhe nuk do të shkoj në një numër të madh të ministrave.

KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Rexhep Kadriu: Unë nuk do e bëja kurrë këtë sepse edhe Kosova ka jashtëzakonisht shumë resurse njerëzore, intelektual të cilët kanë studiuar në vendet perëndimore, njerëz të cilët presin me doktorata për një punësim apo për një bord ne duhet të anëtarësojmë njerëzit profesional pavarësisht politikës ne duhet ta shohim Kosovën ndryshe. Duhet t`iu japim shtytje njerëzve profesional në borde dhe në ndërmarrje publike.

KALLXO.com: A do t`i bëni transparente fondet e partisë?

Rexhep Kadriu: Aleanca çdo here i ka bërë transparente dhe i ka paraqitë fondet, të hyrat nga hynë në partinë tonë, edhe unë nga Gjilani i  kam dërguar të dhënat e mia në qendër dhe ata i kanë paraqitur tek partitë politike.

KALLXO.com: A keni me i hap dokumentet/faturat në kuvend/ministri?

Rexhep Kadriu: Duhet pasi që nuk ka dokument të fshehtë, ato janë transparente përveç sekreteve shtetërore.