Foto: Komuna e Gjilanit

Inaugurohet zgjerimi i rrugës në qendër, premtohet shpallja e tenderit për autostradën e Gjilanit

Sot është inauguruar në Gjilan pjesa e tretë e rrugës në qendër, përkatësisht në bulevardin “Ibrahim Rugova”.

Në inaugurim kanë marrë pjesë kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi dhe zëvendësministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Rexhep Kadriu.

“Projekti i filluar para disa vitesh, po merr formë. Do të vazhdojmë në pjesën tjetër të zgjerimit dhe standardizimit prej sheshit “Rexhep Mala e Nuhi Berisha”, “Kadri Zeka” deri te lapidari i Abdullah Tahirit. Rigjenerimi parasheh fazën e dytë në vitin e ardhshëm, ku përfshihet integrimi i rrugëve kryesore “Madeline Albright”, “Adem Jashari” e “Mulla Idriz Gjilani”, ka thënë me këtë rast, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Ai theksoi se ky projekt e kthen Gjilanin si zonë urbane në programin 2020-2025, si njëra nga qendrat ku njerëzit dhe zhvillimi i ekonomisë e vogël janë në prioritet.

“Ky Bulevard po përgatitet t’iu kthehet qytetarëve e nuk ka të bëj me prioritete lidhur me qarkullimin në trafik të automjeteve sepse finalizimi i shtratit të Çarshisë së Gjilanit, ndërtimi i kampusit që ka përfunduar, ndërtimi i Stadiumit të Qytetit dhe Parkut të Gjelbër, janë projekte madhore që e integrojnë zonën e parë të qytetit dhe largohet nevoja e qarkullimit të automjeteve”, ka shtuar Haziri.

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka thënë se vëmendja e Qeverisë së Kosovës për projektet zhvillimore në Anamoravë, po koncentrohet gjithnjë e më shumë në Gjilan.

“Jemi në finalizimin e këtij Bulevardi për të treguar edhe përkushtimin e Qeverisë dhe dhe timin për projektet e nisura më herët, sikurse ky. Por, gjithsesi, me kryetarin Haziri, kemi diskutuar edhe për projektet në vitet e ardhshme. Zotohem se do ta vazhdojmë fazën tjetër në vitin e ardhshme, derisa në javët në vijim do të jem prapë në Gjilan, kur do të fillojmë punët në rehabilitimin e hyrjes së Gjilanit në drejtim të Kllokotit”, tha Abrashi.

Abrashi konfirmoi se javët në vijim do të shpallet edhe tenderi për pjesën e mbetur të Autostradës, nga Përlepnica e deri tek Dheu i Bardhë.

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Rexhep Kadriu, ka falënderuar kryetarin Haziri për punën në 5 vitet e fundit, duke thënë se po ndërtohet një Gjilan modern.

“Kjo rrugë do të shpie në kyçjen me autostradën tek bunari i Përlepnicës. E falënderoj edhe ministrin Abrashi që po i mbështetë projektet e mëdha infrastrukturore në Gjilan”, ka thënë Kadriu.