Pas hulumtimit të KALLXO.com, Bordi anulon avancimet e 30 punëtorëve të Postës

Bordi i Postës së Kosovës ka vendosur që 30 nga 111 punëtorët e avancuar në kundërshtim me rregullat e brendshme, të rikthehen menjëherë në pozitat paraprake apo në bazë të kontratës që kanë të nënshkruar.

Ky vendim i Bordit të Postës bazohet në raportin e Auditorit të Brendshëm të kësaj ndërmarrje, i cili ka gjetur disa parregullsi në avancime. Auditimi special për çështjen e avancimeve ishte kërkuar nga Bordi vetëm pas disa publikimeve të KALLXO.com për avancimet të dyshimta në Postën e Kosovës.

Auditori i brendshëm ka gjetur se avancimet e punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje kanë rezultuar me parregullsi gjatë procesit të rekrutimit, parregullsi gjatë konkurseve të brendshme, tejkalim të buxhetit si dhe interferim të strukturës organizative.

Pas raportit të Auditorit, Bordi i Postës ka vendosur që 12 nga 30 punonjës të cilët kanë pasur emërtim joadekuat dhe gradim në përputhje me rregulloren për sistematizim të vendeve të punës, do të strukturohen, me emërtim dhe gradim adekuat sipas përshkrimit të vendit të punës.

“2 punëtorë të tjerë, të cilët kanë pasur gradimin më të ulët se kolegët të cilët kanë përshkrimin e njëjtë të vendit të punës dhe kryejnë detyrat e njëjta të punës, do të gradohen në përputhje me rregulloren për sistematizimin e vendeve të punës ndërsa 16 të tjerë të sistemuar përmes vendimeve për Ushtrues Detyre, janë kthyer në pozita paraprake”, thuhet në një përgjigje të Bordit të Postës së Kosovës pas takimit të Bordit në të cilën është diskutuar raporti i Auditorit dhe janë marrë vendime rreth avancimeve.

Bordi i Postës ka vendosur që punonjësit e tjerë që janë avancuar përmes konkurseve të brendshme të trajtohen veçantë.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime shtesë nga menaxhmenti i Postës për hapat që kanë me i ndërmarrë për 81 punëtorët e tjerë për të cilët nuk është marrë ndonjë vendim nga Bordi i Postës.

Kryeshefja e Postës, Fakete Kadiu ka thënë se avancimet e bëra përmes konkurseve të brendshme do të trajtohen rast për rast.

“Është një kategori që nuk hynë në këto kategori për të cilat kemi marrë vendime, duhet rast për rast me i analizu ju e dini si funksionon auditimi, marrja e mostrave dhe në bashkëpunim me auditorin të gjitha kanë me u trajtu”, tha Kadiu.

“Janë tetë punonjës që kanë kontrata edhe duhet me shiku si mund të veprojmë sepse nuk kemi pasur përvoja më herët, ata janë sistemu në vende të punës që kanë kontrata, pra këto do të shikohen në të ardhmen. Për të tjerë që ende janë në proces që janë raste individuale kërkojnë edhe trajtim specifik prandaj ju kemi informu që do të merremi me to në vijim. Në disa raste duhet me shiku edhe bazën ligjore, duhet me vepru në bazë të ligjit sepse nuk jemi të interesum me bo shkelje por të veprojmë në bazë të ligjeve dhe rregulloreve”, shtoi Kadiu.

Kryeshefja e Postës ka thënë se ndaj atyre që kanë bërë shkelje do të merren masa disiplinore.

“Të gjithë përgjegjësit që e kanë pru deri të ai dëmtim nëse mundem me thanë dhe pakënaqësi të punëtorëve kanë me dhanë përgjegjësi individuale varësisht në involvimin e rastit”, shtoi Kadiu.

Hulumtimi i KALLXO.com i publikuar në qershor të këtij viti, zbardhi skemën e avancimeve të punëtorëve të postës të cilët kishin lidhje edhe me politikën. Pas këtij hulumtimi, Kryesuesja e Bordit të Postës së Kosovës, Safija Beseni në një përgjigje për KALLXO.com kishte thënë se kishin rekomanduar anulimin e të gjitha avancimeve që kishin ndodhur në periudhën dhjetor 2020- qershor 2021.

Beseni në atë kohë për KALLXO.com kishte thënë se është kërkuar nga menaxhmenti që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës (nr.02/39 të datës 3 qershor 2020), i cili thotë që “të gjithë ndërmarrjet publike qendrore duhet të ushtrojnë kujdes që shpenzimet operative dhe punësimet e reja të mos cenojnë likuiditetit e ndërmarrjes”.

Vëllai i asamblistit të Vetëvendosjes avancohet në Postë