Arkiv: Endrit Shala

Hulumtimi i Kallxo Përnime rezulton me aktakuzë ndaj ish-ministrit Endrit Shala

Pas hulumtimeve të KALLXO.com, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj dy ish-ministrave të Qeverisë Kosovës nga Nisma Socialdemokrate, Endrit Shala dhe Vesel Krasniqi.

Hulumtimi i publikuar në Kallxo Përnime për emërimin që Endrit Shala i kishte bërë Baxhanakut të tij për inspektimin e naftës ka rezultuar sot, më 30.08.2024 me ngritje të aktakuzës ndaj Endrit Shala nga Prokuroria Speciale.

Hulumtimi i KALLXO.com i datës 15.03.2021 kishte shpërfaqur emërimin që Endrit Shala i kishte bërë kompanisë së baxhanakut të tij, Valdet Teneqës që të bënte inspektimin për cilësinë e naftës.

Tri vite më pas, këto veprime të ish-ministrit Endrit Shala, Prokuroria Speciale i ka konsideruar si kundërligjore duke i ngritur aktakuzë.

Sipas prokurorisë, Endrit Shala i ka ndihmuar kompanisë së baxhanakut të tij, Valdet Teneqja përfitim në vlerë prej mbi 732 mijë euro, duke miratuar vendimin e datës 30.05.2019 me të cilin operatorit ekonomik N.SH “Euro Inspekt” dhe operatorit ekonomik të Vladet Teneqës si trup inspektues për vlerësimin e konformitetit të karburanteve të naftës në Kosovë.

“…me të cilin veprim i ka mundësuar atij dhe biznesit në pronësi të tij, realizim të interesit financiar, përkatësisht të dobisë pasurore si rrjedhojë e këtij vendimi të kundërligjshëm, në lartësi 732,642.28  Euro” – thuhët në dosjen e Prokurorisë mbi aktakuzën ndaj Endrit Shalës.

Të gjitha këto veprime Shala akuzohet se i ka ndërmarrë në dijeni dhe me dashje, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare.

Këto veprime Shala akuzohet se i ka ndërmarrë në kundërshtim me dispozitat e ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit.

“Ka nënshkruar përkatësisht miratuar Vendimin për emërim 01.Ref.nr.36, datë 30.05.2019, me të cilin Operatori ekonomik (OE) me emrin tregtar: N.Sh. “Euro Inspekt” dhe emrin e biznesit: Valdet S. Teneqja… është emëruar si trupë inspektuese për vlerësimin e konformitetit të karburanteve të lëngëta të naftës në Kosovë”- thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Hulumtimi i KALLXO.com i datës 15.03.2021 kishte shpërfaqur emërimin që Endrit Shala i kishte bërë baxhanakut të tij, Valdet Teneqen.

Teneqja kishte deklaruar për Kallxo Përnime se është baxhanaku i Endritit. Ai deklaronte në atë kohë se në MTI për kontrollin e cilësisë së naftës e ka mbuluar që nga vitit 2008 dhe ka eksperiencë të gjatë në këtë fushë.

“Është e vërtetë që unë jam baxhanak i Endritit. Unë në MTI fushën e kontrollit të cilësisë së naftës e mbuloj prej vitit 2008 dhe kam eksperiencë të gjatë në këtë fushë dhe pastaj në vitin 2018 vendosa ta hap ketë kompani si trup inspektuese sepse unë jam ekspert i kësaj fushe dhe mendoj me zgjeru akoma edhe me shumë dhe pretendoj me kalu edhe për trupë certifikuese se ka nevojë në Kosovë kështu që kur unë kam qenë baxhanaku nuk e besoj që e ka ditë që jam. Unë nuk mendoj që ka konflikt interesi sepse kemi të bëjmë me një fushë shumë specifike dhe momentin kur e  ka bërë emërimin Endriti kompetencat kanë qenë te Dogana e Kosovës dhe as qe është menduar me u kthy” – kishte thënë Teneqja.

KALLXO.com kishte raportuar se si udhëzimi administrativ i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kontrollin e cilësisë së naftës kjo kishte marrë Doganës së Kosovës dhe e kishte kaluar te trupat inspektuese private të emëruara nga kjo Ministri.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kishte emëruar dy kompani për kontrollin e cilësisë së naftës. Kompaninë e Jakup Gashit dhe kompaninë e Valdet Teneqes.

Lidhur me këtë rast, KALLXO.com atë kohë kishte kontaktuar me Endrit Shalën, ish-ministër i MTI-së, për ta pyetur lidhur menënshkrimin e tij në vendimin për emërim të baxhanakut.

Shala kishte deklaruara se  emërimi i Baxhanakut të tij në atë pozitë, ishte akt ceremonial dhe nuk ka të bëjë më të.

“Ministri e ka nënshkrim ceremonial, janë komisionet, janë ato tjerat që i kryejnë komplet ato departamentet. Pyete Ministrinë, ata përgjigjen më së miri. Dëgjom. A e din çka je tu pyet? Unë i kam 8 baxhanakë, tu kisha lutë se sa e di unë prej 2004 punon, qysh të përgjigjet Ministria Behar shoqi jem se d.m.th. nuk kam njohuri, se çka do që t’më pyetsh është çështje shumë profesionale e departamenteve e agjencioneve, aty mos më pyet. Qysh të përgjigjet Ministria se që 2 vite nuk jam aty”- kishte thënë Shala më 15.03.2021.

Lidhur me këtë rast, pos Endrit Shalës akuzohet edhe Vesel Krasniqi, për keqpërdorim të pozitës apo autoriteti zyrtar.

Aktakuza ndaj ish-ministrit Vesel Krasniqi është ngritur pas hulumtimit të Kallxo.com për krijimin e një monopoli në shënjimin e naftës, e cila ishte bërë e mundur përmes një Udhëzimi Administrativ.

Hulumtimin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.