Hulumtimi i KALLXO.com për monopolin në shënjim të naftës, aktakuzë ndaj ish-ministrit Vesel Krasniqi

Pas hulumtimeve të KALLXO.com, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj dy ish-ministrave të Qeverisë Kosovës nga Nisma Socialdemokrate, Endrit Shala dhe Vesel Krasniqi.

Burime të KALLXO.com brenda Prokurorisë Speciale të Kosovës kanë konfirmuar se dy ish-ministrat e qeverisë së Kosovës, Vesel Krasniqi dhe Endrit Shala kanë përfunduar me aktakuzë.

Aktakuza ndaj ish-ministrit Vesel Krasniqi është ngritur pas hulumtimit të Kallxo.com për krijimin e një monopoli në shënjimin e naftës, e cila ishte bërë e mundur përmes një Udhëzimi Administrativ.

Në një bisedë për KALLXO.com, Vesel Krasniqi se nuk e di nëse bëhet fjalë për të.

“Jo, jo i nderum nuk e di, nuk kemi pranuar ndonjë njoftim (prej prokurorisë)” – tha ish-ministri Vesel Krasniqi.

Kallxo.com ka siguruar nga burime të Prokurorisë Speciale pjesë të aktakuzës ndaj Vesel Krasniqit. Prokuroria pretendon se dëmi i shkaktuar interesit publik, kap lartësinë e mbi 11 milionë eurove.

Ai akuzohet se me dashje dhe dijeni, kishte tejkaluar kompetencat e tij dhe pa autorizim ka iniciuar dhe zbatuar procedurat ligjore për përgatitjen e Udhëzimit administrativ (MTI) nr. 09/2020 për Kontrollin dhe Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës, të cilin e ka nënshkruar përkatësisht miratuar me datë 11.11.2020, i cili përmban disa nene të cilat janë në dëm të interesit publik dhe në dobi të interesit privat” – thuhet në arsyetimin e Prokurorisë.

Për këtë cështje, fillimisht kishte raportuar KALLXO.com.

KALLXO.com kishte raportuar 07.05.2021 se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e udhëhequr nga Vesel Krasniqi i partisë NISMA Socialdemokrate, e kishte lënë mbrapa një monopol të ri, koston e të cilës do të mbartin kompanitë e naftës, përkatësisht qytetarët e Republikës së Kosovës, që do të paguajnë me shtrenjtë naftën.

Ministri Krasniqi e kishte autorizuar një kompani zvicerane për shënjim/markim të naftës. Shenjëzimi/markimi i naftës do të bëhej i obligueshëm, ndërsa pritej t’i garantonte kompanisë së autorizuar rreth 6 milionë euro në vit apo 30 milionë brenda 5 vjetëve, në vartësi të sasisë sa naftës së importuar.

Kompania e autorizuar do të ishte e vetmja që do të bënte shënjimin/markimin e naftës në 5 vitet e ardhshme. Këtij monopoli i ishte hapur rrugë nga Udhëzimi Administrativë 09/2020 për kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari atë kohë kishte njoftuar se e kishte shfuqizuar shumicën e neneve të Udhëzimi Administrativë 09/2020, duke përfshirë nenet që parashihnin se vlerësimin e konformitetit të bënin bizneset private e jo Dogana siç ka qenë më herët. Por, në vendimin e publikuar të Hajdarit aso kohe dilte se nuk janë shfuqizuar nenet që flasin për shenjëzim, përkatësisht markim të naftës.

Nenin 54 i këtij Udhëzimi Administrativ kishte paraparë shënjimin e karburanteve. Pika 17 e atij neni kishte paraparë kontraktimin e një trupe për terë territorin e Kosovës.

“MTI do të autorizojë dhe kontraktojë vetëm një (1) trupë për territorin e Republikës së Kosovës për shënjimin e produkteve të lëngëta të naftës dhe të monitorimit të shënjimit, kjo me qëllim të sigurimit të uniformitetit të monitorimit të shënjimit të produkteve në tërë Republikën e Kosovës dhe të identifikimit dhe të monitorimit të të gjitha produkteve të lëngshme të naftës”- thuhej në pikën 17 të nenin 54.

Të njëjtat arsyetime për shkelje thuhen edhe në pretendimet e Prokurorisë Speciale, që i ka siguruar KALLXO.com

“…Përkatësisht me nenin 51 dhe 54 të këtij udhëzim, Doganës së Kosovës i është hequr kompetenca për vlerësimin e cilësisë së naftës me rastin e importimit dhe futjes në territorin doganor të Kosovës, të cilën deri në miratimin e këtij akti nënligjor të kundërligjshëm e kryente Dogana e Kosovës pa kosto shtesë, në pajtim me nenin 20 (par.6) të Udhëzimit administrativ (MTI) nr.01/2017 për Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës, duke e kaluar këtë çështje te operatorët ekonomikë privatë, ku si rrjedhojë e kësaj, në një proces jotransperent dhe të parregullt të zbatuar nga MTI, me Vendimin 01.Ref.nr.53, datë 30.12.2020 kishte emëruar kompaninë zvicerane, OE “Sicpa SA” (CHE-105.732.246) si trupë e cila do të kryejë shënjimin dhe monitorimin e derivateve të lëngëta të naftës, ndërsa me  datë 14.01.2021 kishte nënshkruar kontratën me këtë OE, nga e cila është dëmtuar interesi publik në lartësi 11,235,706.31 Euro , duke krijuar kosto shtesë të produkteve të derivate të naftës, me qëllim përfitimi për kompaninë private si dhe duke rritur çmimin final të karburanteve për konsumatorët në tregun e Republikës së Kosovës si dhe duke e ekspozuar shtetin ndaj rreziqeve nga inicimi i procedurave ligjore me bazë kontraktore” – thuhet në arsyetimin e Prokurorisë.

Hulumtimi i mëposhtëm i KALLXO.com i publikuar më 07.05.2021.

Ministri i NISMA-së la prapa monopol në shënjim të naftës me kosto milionëshe

Konfirmohet monopoli në shënjim të naftës: 6 milionë euro në vit