Foto: KALLXO.com

Zyrtari i lartë i ATK-së nuk i deklaron bizneset

Në gjurmimin e deklarimeve të pasurisë, KALLXO.com ka zbuluar se Burim Troni, ndihmës drejtor në ATK, nuk i ka deklaruar të gjitha bizneset që janë në pronësi të familjareve të tij.

Në deklarimin zyrtar, Burim Troni i ka deklaruar vetëm dy biznese të cilat figurojnë në emër të prindit të tij, Izahir Troni.

Bizneset të cilat i ka deklaruar janë “Cement Plus”, në të cilën ka 35% të aksioneve në vlerë 916 mijë euro si dhe 0.6 % të aksioneve në bankën “NLB”.

Pasuria e familjes Troni vlerësohet të jetë mbi 2.7 milionë euro dhe pjesë e saj janë një shtëpi, një banesë, një lokal, toka si dhe aksione në biznese të ndryshme.

Mirëpo një hulumtim i KALLXO.com, zbuloi se në deklarimin e pasurisë së ndihmës drejtorit të ATK-së, nuk figurojnë edhe tre biznese të cilat janë në pronësi të prindërve të tij.

Bizneset “N.T.SH Jehona”, “Troni Sh.p.k” dhe kompania “Kooperimi B.I” janë në pronësi të prindërve të ndihmës drejtorit dhe të njëjtat nuk janë deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion edhe pse deklarimin e tyre ndihmës drejtori ka qenë i obliguar që ta bëjë.

Madje në kompaninë “Troni Sh.p.k”, ndihmës drejtori i ATK-së, është i emëruar si anëtar bordi së bashku me tre familjarët e tjerë.

KALLXO.com ka kontaktuar me ndihmës drejtorin Troni për ta pyetur në lidhje me bizneset e pa deklaruara.

Në lidhje me këto biznese Burim Troni ka deklaruar se për dy biznese nuk e ka ditur se ekzistojnë ndërsa për një tjetër nuk e ka parë hapësirën në formular se ku duhet ta deklarojë.

“Sa i përket biznesit “Jehona NTP” e cila është në pronësi të njërit prind nuk e kam pa në formular një pozicion të tillë ose nuk e kam kuptuar, por sa i përket dy bizneseve tjera “Troni shpk “dhe “Kooperimi”, për këto dy biznese as që kam qenë në dijeni që këto biznese janë të regjistruara në emër të familjarëve të mi edhe pse këto biznese të regjistruara në qendër të regjistrimit të bizneseve, kurrë nuk kanë zhvilluar aktivitet ekonomik”, ka thënë Troni.

Sipas ligjit për deklarimin e pasurisë, zyrtarët e lartë publikë janë të detyruar që të deklarojnë pasurinë e tyre dhe të anëtarëve të familjes së tyre çdo vit nga 1 deri më 31 mars.

Muaj më parë, KALLXO.com kishte publikuar një hulumtim në të cilin shfaqeshin dyshimet se zëvendës drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Hamit Mulaj, i kishte fshehur bizneset e tij.

Hamit Mulaj, në deklarimin e pasurisë, kishte deklaruar se nuk ka pozita e as pronësi në ndonjë biznes, mirëpo hulumtimi disamujor i KALLXO.com kishte zbuluar se emri i tij figuronte në dy biznese.

KALLXO.com kishte gjetur se Mulaj është pronar i një biznesi i cili deri vonë figuronte në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK) me emrin “Pfleiderer Novoterm Kosovë”.

Përpos këtij biznesi, hulumtimi kishte zbuluar se emri i zëvendës drejtorit të ATK-së, Hamit Mulaj figuronte si përfaqësues i biznesit “Termo-Trade” në një katalog të kompanisë “URSA” i cili është publikuar në vitin 2018.

Në lidhje me emrin e tij në katalogun e kompanisë gjermane, zëvendës drejtori Mulaj kishte deklaruar se mund të ishte ndonjë gabim teknik.

Mirëpo KALLXO.com kishte kontaktuar me vëllain e drejtorit i cili është pronar i kompanisë  kompanisë, “Termo Trade” për të parë nëse Hamit Mulaj kishte ndonjë rol në kompani.

Driton Mulaj kishte deklaruar se Hamiti kishte startuar me biznesin dhe se vazhdojnë të janë bashkë.

“Hamiti është vëllai im, ai ka startuar, ne punojmë bashkë, po tash jam si ma përgjegjës, jemi bashkë, s’guxojmë as me u nda, se Zoti s’na ka nda”, kishte deklaruar vëllai i zëvendësdrejtorit të ATK-së.

Pas këtyre informacioneve kishte reaguar Administrata Tatimore e Kosovës, e cila rastin e kishte dërguar në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Pas raportimit të KALLXO.com, ATK e dërgon zv/drejtorin e përgjithshëm në Anti Korrupsion