Zhduken dosjet, paratë e shtetit nuk dihet se ku përfunduan
Emisioni Drejtësia në Kosovë ka zbuluar se raportet të cilat do arsytetonin shpenzimin e 40 mijë eurove për projekte të ekstremizmit të dhunshëm janë zhdukur nga Ministria e Kulturës.
Në emisionin e së premtës në “Drejtësia në Kosovë” u trajtua ndarja e parave publike për Organizatatat jo Qeveritare nga ana e Ministrisë së Kulturës. Në vitin 2018 ministria kishte ndarë fonde për 19 organizata joqeveritare të cilat do zhvillonin projekte për parandalimin e ekstremizmit të dhunëshëm. Shuma ishte rreth 40 mijë euro ndërsa OJQ-të kishib obligim ti arsyetonin paratë me raporte financiare e narrative.
Hulumtim 8 mujor i “Drejtësia në Kosovë” zbardh se si Ministria e Kulturës nuk ka arritur që të menaxhojnë në përpikmëri shpenzimin e parave publike pasi që nga 18 OJQ që ishin paraparë të merrnin projekte pas vlerësimit nga ana e një Komisioni brenda ministrisë vetëm katër kishin raportuar se si kishin shpenzuar paratë dhe se si kanë implementuar projektet.
Ani pse Ministria e Kulturës përmend se i kanë financuar 19 OJQ, njëra nga to nuk ka marrë pikë të mjaftueshme nga Komisioni Vlerësues por e njëjta është bërë pjesë e përfituesve.
DnK zbuloi se një OJQ e cila në listën e aplikantëve kishte vetëm 42 pikë, kishte marrë projektin.
Arber Krasniqi menaxher i projektit nga OJQ “Egnatia” i ka thënë ekipit tonë se ai ka marrë një thirrje nga ana e MKRS-së për këtë projekt ndërsa nuk ka qenë në dijeni se a ka përmbushur pikët e duhura kur ka aplikuar apo jo.
“Unë kam qenë i paguar si menaxher nga OJQ-ja. Unë nuk jam në ngjarje. Tash kur kanë dalë rezultatet më kanë thirrë në telefon më kanë thanë që jam përfitues i këtij projekti. Nuk e kam ditë çka ka ndodh e çka jo. E kam marrë thirrjen në telefon se kam qenë përfitues. Kemi shkuar e kam nënshkruar projektin krejt në rregull e kemi kryer projektin bile tash na kanë qit një telashe tjetër se i kanë humubur të gjitha dokumentet. Unë i kam raportuar të gjitha shpenzimet nuk e di çka dojnë me bë, i kanë përzier të gjitha”, rrëfen Krasniqi për DNK.
Labinot Berisha në kohën kur janë ndarë projektet ka qenë Kryesues i Komisionit Vlerësues ndërsa insiston në përgjigjet e DNK-së se janë më shumë se katër OJQ që kanë raportuar shpenzimet e marra nga MKRS.
“Me sa kujtoj, me 16 maj kjo thirrje ëhstë publiku ndërsa vlersimi i projekteve është bërë në qershor ndërsa implementimi në korrik, të vitit 2018 dhe të gjitha kontratata kanë pasur mandat që të zhvillohen deri më 31 dhjetor 2018. Në fillim të vitit 2019 jam transferuar në një pozitë tjetër, por me sa jam informuar nuk janë vetëm 4 organizata që i kanë mbyll raportet, pra ka më shumë por me sa jam informuar Ministria e Kulturës nuk ka arritur të ofroj inforacione të bollshme për KALLXO.com. Pasi jam larguar nga ky sektor, ky sektor ka mbetur pa asnjë zyrtar dhe për shkak të ndjeshmërisë së materialeve nuk ka pasur mundësi të ofrimit të materiale. Unë kam kërku që të ju ofrohet dokumentacioni, por edhe MKRS ka një mangësi që unë kam kërkuar që çështja e zingjirit të lëndës duhet të rregullohet me një akt nënligjor që të mos ketë kësi lloj pengesash”, thotë ai.
Tutje ai tregon se në fillim të vitit të kaluar pra në 2019 ai është larguar nga departamenti i sigurisë.
“Në fillim të 2019 jam larguar nga ky sekor edhe pse kam tentu që të u ofrohet më shumë materiale për ju, pasi ka edhe materiale konfidenciale por pjesa e aktiviteteve ku janë zhvilluar unë nuk kam mëdyshje sepese në tetor ku kemi zhvilluar konferencën shumica e OJQ-ve kanë prezantuar aktivitetet. Ju thash që pasi që jam larguar nuk kam akeses të drejtëpërdrejt. Por mesa jam në dijeni sepse jam në ministri nuk mund të them se nuk më ka interesuar ky sektor sepse ndihem mirë në këtë sektor por mendoj se Ministria ka dështu me fut të dhana për OJQ-të e tjera”, shton tutje ai.
Në lidhje me menaxhimin e parasë publike, Berisha thotë se ekipi ynë nuk ka pasur qasje në dokumente konfidenciale por sipas tij ka pasur ngecje në dhënie të informacioneve relevante.
“Çështja e dështimit të menaxhimit të parasë publike dhe dhënies në akses të informatave janë dy gjëra të ndryshme. Unë nuk dyshoj në implementimin të projekteve sepse kemi mbajtur konferencën dhe OJQ-të kanë tregu dhe raportu për aktivitetet e mbajtura. Unë i kam emailat e ruajtura se cilat OJQ i kanë dërguar raportet. Kur shohim këtë situatë na jep një rrugë tjetër bëhet fjalë për çështjen e mbylljes finale, nëse dojmë me nda një shqetësim të përbashkët është mbyllja finale e raporteve të Organizatave Jo- Qeveritare. Këtu ka pasur ngecje sepse ka munguar zyrtari i fushës përkatëse”, shton ai.
Katër nga OJQ-të që kanë raportuar shpenzimet e marra nga MKRS janë “’Jeta rinore”, “Acces” “Liza-r” dhe “Kites”.
Pra gjithsej 19 projekte janë financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndërsa vetëm katër OJQ-të e përmendura më lartë sipas ministrisë kanë deklaruar se si i kanë shpenzuar paratë e marra dy vite më parë për parandalimin e ekstremizmit dhe terrorizmit në Kosovë.
Ekipi i Drejtësia në Kosovë ka kontaktuar edhe me Ojq-të të cilat sipas ministrisë ende nuk kanë mbyllur raportet financiare dhe nuk kanë treguar se si i kanë shpenzuar paratë.
Bari Zenelaj nga OJQ “ATTA” ka treguar se tash e dy vite kanë kaluar që nga koha kur është implementuar projekti ndërsa tregon se ai ka mbyllur shpenzimet në ministri madje këta të fundit e kanë telefonuar se nuk po ia gjejnë dokumentet.
Kjo thirrje sipas Zenelajt erdhi pak kohë pasi ekipi i DNK kërkoi qasje në këto dosje.
“Unë për momentin nuk jam duke punuar në ATTa ky ka qenë projekt i viit 2018 dhe i kemi dorëzuar por si duket ka pasur një spo di, i kanë humbur apo i kanë phstjellë. Afati i dorëzimit ka qenë në fund të vitit 2018, projekti ka zgjat deri në muajin nëntor dhe ne i kemi dorëzuar mirëpo si duket është pshtjelluar odkumenti me aktivitete apo raportin dhe ne kemi menduar që ai projekt ka përfunduar por para një 3 jave po na thirrin po na thonë që projekti nuk është raportuar dhe MKRS e ka një princip që i kërkon shpenzimet origjinale faturat dhe më thanë që nuk janë duke mundur që të i gjejnë dokumentet. Nëse ata i kanë hup dosjet në atë rast e kompletojmë edhe ne por e pakuptimtë pse me zgjat kaq shumë. P.sh unë nuk punoj më në atë OJQ dhe mu kthy pas dy vitesh por prapë unë mund të kthehem dhe të i dërgoj prapë të dhënat”, tha Zenelaj.
Viloeta Gjocaj nga OJQ-ja Kujdesi për Mjedisin dhe Shëndetin e të Rinjve, rrëfeu se edhe ajo ka dorëzuar dokumentet e implementimit të projektit.
“I kemi raportuar. Kur e kemi mbyll projektin, pas përfundimit të aktiviteteve, i kemi dorëzuar raportet në MKRS te departamenti për siguri. Unë e kam raportu edhe i kam dorëzuar fletat poseduese në ministri dhe përshembull nëse nuk ka qenë dicka në rregull ata do të duhej të na kontaktonin e mua nuk më kanë thirr më kanë thënë se gjithcka është në rregull. Ku i kanë tash unë nuk e di”, ka thënë Gjocaj për ekipin e DNK-së.
Detaje për projektin DNK ka kërkuar edhe nga OJQ “SHL- Kosova” me anë të emailit.
“ SHL-KOSOVA, e njohur si qenër rinore e të rinjve në Rahovec gjatë vitit 2018, ka implemtuar projektin kundër ekstremizmit fetar, e që ky ka qenë projekti i dytë që ka marrë SHL-Kosova nga MKRS-ja për këto 20 vite. I tmerrshëm jo-profesionalizmi i punëtorëve të këtij departamenti për të rinj, e tmerrshme qasja e tyre ndaj disa OJQ- ve që nuk i kanë për “qejfi”. Në kuadër të këtij projekti ne kemi mbajtur një puntori dhe një debat gjatë vitit 2018, e menjëherë sipas kërkesës së MKRS-së raporti është dorëzuar më datë 08.10.2018, sakt në ora 5:13 min, në adresë të personit përgjegjës sipas këtij departamenti Labinot Berisha. Menjëherë pas kopja fizike me të gjitha dokumentetet e kërkuara është dorëzuar në zyren e këtij personi lart përmendur më datë 15 10 2018, gjë për të cilën është thënë se çdo gjë është në rregull”, thuhet në emailin e OJQ-së drejtuar DNK-së.
Tutje ata thonë se Ministria e Kulturës u ka kërkuar muajin e kaluar raportin që sipas OJQ-së është mbyllur para dy viteve.
“Drejtori ekzekutiv i SHL- KOSOVA Enis Durguti në muajin shkurt pranon email nga Emine Sylejmani ku kërkon raportin e po të këtij projekti. Zyrtarisht drejtori z. Durguti kërkon nga unë informacione rreth këtij raporti i habitur se çka po ndodh me atë raport sepse ka qenë cc në email kur i është dërguar Labinot Berishës. z. Durguti kërkojë nga unë që emailin me gjithë atë raport të i’a forëadoj në email zonjës e cila i kishte shkruar pra Emine Sylejmanit. Unë atë email ja forëardova znj. Emine Sylejmani më datë 24 02 2020 me të gjitha raportet e kërkuara ku dhe shihej qart se raporti ishte dorëzuar me kohë tek Labinot Berisha”, vazhdon sqarimi i OJQ-së.
OJQ-ja “IYDK” sqaron se i kanë dorëzuar faturat e implementimit të projektit por që nuk e di se çfarë ka ndodhur në ministri që nuk është mbyllur avanci i marrë.
“I kemi dorëzuar ministrisë dhe unë e kam raportin. E kam marrë projektin ma kanë financu dhe prapë e kemi fitu një projekt tjetër në po të njëjtën ministri por në një departament tjetër. Në bazë të kontratës ashtu i kemi realizu, i kemi fotografitë e aktiviteteve faturat, raportin financiar të gjitha i kemi. Unë tash kam mbet me bisedu i kam dërgu email ministrisë dhe ia kam sqaruar se po kërkoni një raport të cilin e kam prezantuar para jush. Ne i kemi të gjitha faturat, fotografitë projektin e kemi realizuar ashtu siç ka qenë edhe kontrata e nënshkruar”, tha një përfaqësues i OJQ-së IYDK.
Habi se si projekti nuk është mbyllur në ministri shfaqi edhe Rina Bajgora nga OJQ-ja “Europian College Of Kosovo Foundation”
“Ju konfirmoj se projekti “Shkollë verore mbi parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm” i financuar nga MKRS është realizuar dhe përmbyllur me kohë dhe sipas afateve të përcaktuara nga MKRS. Gjithashtu, gjatë implementimit ju njoftoj se dy zyrtarë nga Ministria, kanë realizuar vizita dhe konfirmuar realizimin e aktiviteteve të parapara. Pas përfundimit të projektit, ne kemi dorëzuar raportin narrativ, financiar,listën e pjesëmarrësve, faturat (origjinal), transferet e pagave dhe tatimet/kontributet në muajin Nëntor, 2018. Konfirmoj se ne posedojmë dosjen (kopje) të komplet projektit ashtu sic është dorëzuar në MKRS”, ka sqaruar Bajgora.
Tutje ajo thotë se njoftimin se projekti nuk është mbyllur e ka marrë nga ekipi i DNK-së.
“Sqarojmë se ne kemi pasur konfirmim nga zyrtarët se dokumentacioni është ne rregull, projekti është mbyllur dhe vetëm falë informatës suaj, po njoftohemi se figuron i pambyllur. Në momentet e para kur do të përmirsohet gjendja do të kontaktojmë MKRS pasi që jemi të bindur se duhet të jetë ndonjë gabim teknik dhe jemi shumë të interesuar që të korigjohet kjo cështje”, thuhet tutje në sqarim.
Reagime të shumta sa i takon çështjes së mbylljes së projekteve në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për paratë e ndara dhe mos- mbylljen e projekteve shfaqën edhe OJQ të tjera.
OJQ-ja “KVRL- Prizren”, sqaron se projekti ka qenë i realizuar dhe implementuar në kohën e paraparë nga MKRS.
“Projekti është realizuar dhe finalizuar në atë kohë, më sa kujtojmë raporti narrativ dhe shpenzimet janë dorëzuar fizikisht në atë kohë prandaj edhe atë raport të projektit përkatës sigurisht që duhet ta kemi si kopje, edhe pse ka kaluar bukur nje kohë. Te enjten, kur kemi pranuar këtë e-mail nga ju, të nesërmen të premten kemi provuar të kontaktojmë në telefon zyrtar në Ministri, por sigurisht për shkak të masave të pandemisë pak kush punon edhe në atë institucion. Poashtu sot ishim në Prishtine me synimin për të shkuar në Ministri por sheshi që shpie atje ishte tërësisht i bllokuar me shirita dhe ishte e pamundshme të shkohej në atë drejtim”, kanë thënë përfaqësues të kësaj organizatë për DNK.
Ish- Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi në një intervistë për DNK ka treguar procesin e ndarjes së parave për këto projekte.
“ Në fakt bëhet gjithmonë një monitorim janë disa zyrtar të MKRS përkatësisht një departamenti që monitorojnë implementimin e projekteve. E them me përgjiegjësi që numri i monitoruesve është i vogël për shkak të kapaciteteve dhe duke marrë parasysh që kemi ndarë një fokus të veçantë për organizatat rinore dhe implementimin e projekteve. Gjatë kohës së implementimit nuk ka pasur ndonjë problem të theksuar ndërsa sa i përket mbylljes së projekteve pasi ka ra qeveria, disa nga OJQ-të nuk kanë përmbyll projektet”, tha Gashi.
Tutje ai shton se OJQ-të që nuk kanë raportuar shpenzimet duhet të përgjigjen para organeve të rendit.
“Unë kam kërkuar që të gjitha OJQ-të që në afate të parapara të mbyllin projekte të raportojnë dhe t’i mbyllin projektet por më pas nuk e di çka ka ndodh. Për të gjithë OJQ që nuk i kanë mbyllur projektet është përgjegjësi që të gjitha këto të i denoncoj në organet përkatëse dhe të ndiqen penalisht”, shtoi ish-ministri Gashi.
Ish- Kryesuesi i Komisionit Vlerësues ka treguar se përgjegjësia është mbi ata që nuk kanë raportuar aktivitetet.
“Përgjegjësia është e rregulluar me ligj. Atë cfarë sheh ligji, në këtë rast të gjitha OJQ-të janë të obliguara të raportojnë aktivitetet se si i kanë zhvilluar. Ojq-të nëse nuk kanë mujt me mbrri me i zhvillu aktivitetet duhet të arsyetojnë ato dhe në kushte normale duhet të i kthejnë MKRS paratë e marra”, tha Berisha.
Nga gjithsej 56 aplikimeve në thirrjen e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, 19 Ojq-ve iu ndanë 40 mijë euro. Gjithsecili projekt ka marrë nga 1 mijë deri në 5 mijë euro për të implementuar projektin kundër parandalimit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë.
Dosja e MKRS-së përmban vetëm katër Ojq që kanë raportuar shpenzimet e marra nga ana e ministrisë ndërsa të tjerat nuk gjenden në asnjë regjistër.