Logoja e Kompanise Regjionale "Pastrimi" Foto: Facebook

'Skenari' që çoi 120 mijë euro në biznesin e familjes së menaxherit të ndërmarrjes

Burrë e grua, me dy biznese të ndryshme, i kanë hyrë garës për tenderin në vlerë prej 120 mijë euro që ishte iniciuar nga Kompania Rajonale “Pastrimi”.

Behram Gashi me biznesin e tij “Dardania” ka ofertuar në tenderin e hapur nga Kompania Rajonale e Mbeturinave ‘Pastrimi’ në Prishtinë. Gashi kishte ofertuar në këtë tender edhe pse është punëtor i ndërmarrjes publike ‘Pastrimi’, përkatësisht mban pozitën e menaxherit të Mirëmbajtjes dhe Autotransportit.

Gruaja e tij, Xhevrije Gashi, është aksionare në kompaninë ‘Clean Work Shine’. Edhe kjo kompani ka ofertuar në të njëjtin tender me 116 mijë euro.

Behram Gashi, menaxher ndërmarrjen ‘Pastrimi’, ka dështuar të fitojë tenderin për grumbullimin, transportin dhe trajtimin e mbeturinave interte, pasi kompania e tij ishte eliminuar nga gara me arsyetimin se ‘përben konflikt të interesit’.

“Oferta juaj paraqet konflikt interesi, për arsye se Pronari i Operatorit Ekonomik është i punësuar ne Kompaninë Rajonale te Mbeturinave “Pastrimi”, SH.A-Prishtinë”, thuhet në njoftimin për eliminim nga gara. Pas dështimit që të fitojë këtë tender, Gashi e kishte shuar biznesin e tij.

Por, paratë nga ky tender serish kanë shkuar në biznesin e familjes së menaxherit të kompanisë ‘Pastrimi’, Behram Gashi. Tenderin e ka fituar kompania ‘Clean Work Shine’, e cila është në pronësi të bashkëshortes se tij, Xhevrije Gashi.

Gruaja e tij, Xhevrije Gashi, përmes kompanisë ‘Clean Work Shine’ me 19 prill të këtij viti ka fituar tenderin nga ‘Pastrimi’, për ‘Grumbullimin, Transportin dhe Trajtimin e Mbeturinave Inerte’. Tenderin e ka fituar si grup i operatorëve ekonomik, bashkë me kompaninë ‘Alko-Impex’.

Vlera e tenderit të fituar nga gruaja e manexherit të kompanisë kap shifrën e 116 mijë eurove, apo 20 mijë euro më shumë se oferta e kompanisë së burrit të saj.

Kontrata ishte nënshkruar me 19 prill, ndërsa njoftimi për tender ka qenë i datës 20 maj 2019.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në kompaninë publike ‘Pastrimi’ për të marrë vesh se si e ka fituar tenderin gruaja e menaxherit Gashi.

Në një përgjigje me shkrim, ‘Pastrimi’ kanë thënë se nuk e kanë ditur që fituesja e tenderit është gruaja e Behram Gashit.

“Pas ‘Njoftimit për Kontratë’ të Autoriteteve Kontraktuese, mundësinë me dorëzu ofertë e ka secili Operator Ekonomik, prandaj edhe në rastin në fjalë komisioni vlerësues, por as Zyra e Prokurimit nuk e ka ditur se gruaja e kujt mund të jetë pronarja e Operatorit Ekonomik fitues, pasi që ne si kompani është e pa mundur t’i identikojmë prejardhjen apo lidhjen familjare të operatorëve ekonomik”, thuhet në përgjigje.

Tutje, në përgjigjen e tyre thuhet se rastin e kanë dërguar për interpretim ligjor edhe në Komisionin Regullativ të Prokurimit Publik.

“Pas fillimit të implementimit të kontratës qarkulluan disa informata që pronari i Operatorit Ekonomik fitues është gruaja e njërit nga zyrtarët e kompanisë, pastaj kërkuam intepretim ligjor nga KRPP dhe përgjigja e tyre ishte që rasti në fjalë nuk paraqet konflikt interesi”, thuhet në përgjigjen e kompanisë ‘Pastrimi’.

‘Pastrimi’ e mohon se zyrtari i tyre ka ndikuar që gruaja e tij ta fitojë tenderin, pasi sipas tyre, komisioni vlerësues ka qenë i pavarur.

Kompania e Behram Gashit, ‘Dardania’, në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), figuron si biznes i shuar me datë 1 prill 2019.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Xhevrije Gashi, ka mohuar se ka ndikuar burri i saj që ajo ta fitojë tenderin. Ajo thotë se komisioni vlerësues ka qenë i pavarur dhe ka vepruar sipas ligjit.

“Jo nuk ka ndikuar, sepse kërkesa me specifikime teknike është nga depertamenti i shërbimit të operatives. Po ashtu vlerësimi i dosjeve  të  tenderit është bërë nga komisioni vlerësues, të cilët sipas Ligjit të Prokurimit  Publik, janë të pavarur  të vendosin për operatorin fitues  dhe nëse në dokomentacionin e operatorit fitues kishte pasur ndonjë dokument në mos përputhje me Ligjin e Prokurimit  Publik, komisioni vlerësues kishte  vepruar në bazë të rekomandimeve të ligjit”, ka thënë Gashi në përgjigjen e saj.

KALLXO.com, ka tentuar të marrë një përgjigje prej vet Behram Gashit, lidhur me tenderin që fitoi gruaja e tij në kompaninë publike ‘Pastrimi’ dhe aplikimit të tij në këtë tender përkundër që ai mbanë pozitën e menaxherit të Mirëmbajtjes dhe Autotransportit në këtë ndërmarrje, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Gashi nuk është përgjigjur.