VIDEO - Një natë pune me punëtorët e kompanisë ‘Pastrimi’ në Prishtinë

Punëtorët e Kompanisë Publike ‘Pastrimi’ në Prishtinë janë ankuar në lidhje me kushtet e punës.

Ata thonë se kanë mungesë të kushteve, derisa kanë ankesa edhe për pagat që sipas tyre janë të ulëta.


“Unë punoj këtu që 23 vjet, kushtet janë katastrofë, se kamionë s’ka, kamionët e prishtë, nxemje s’kanë, kurrgjë s’kanë, këtu është tmerr, njëherë për njëherë tmerr i tmerrit. Qetash për pagë, krahasim me punën, ligshtë është” – thotë Ahmet Hajdini, punëtor në kompaninë ‘Pastrimi’,

Sa i përket pagës, Hajdini tha se nuk i plotëson nevojat e tij dhe se për shkak të kësaj gjendje i duhet t’i sigurojë paratë diku tjetër.

Sipas tij, paga që kanë marrë deri më tani është në vlerë 330 euro, ndërsa tha se rrogën minimale e kanë 400 euro, por që kontratën me këtë vlerë nuk e kanë pranuar ende.

“Shkoj punoj bon vaki 27 ditë, 28 ditë punoj badihava, se s’mundem t’i plotësoj kushtet familjare, si familjar. Po, duhet me hy borxheve, duhet me hy kredit. Për çdo muaj duhet me hy borxh, s’ka muaj që nuk hyjmë në borxh. Për rroga, janë të dobëta shumë, i bëj apel komunës, se s’ka faj, as drejtori i jonë, as ai, as ai, çdo kryetar i komunës po rren, po bon dallavere, as kamionë nuk po na bjen komuna, a krejt paret i merr komuna” – ka treguar Hajdini.

Ndërsa, Halim Ruhani teksa ka treguar vështirësit me të cilat përballen përderisa kryejnë punën në kryeqytet, ai është shprehur i pakënaqur me qasjen e qytetarëve ndaj punës së tyre.

“Paj deri qetash nuk janë kanë kushtet aq të mira, tash me do kamionë që i kemi marrë me qira, ma mirë, po ia dalim pak. Po kemi telashe pak edhe me veturat që na i parkojnë rreth kontejnerëve, po qesin materiale, çdo sen, kjo është mbeturinë. Ky kamion është veç për mbeturina, e merr kantën e plastikës, digjen, ka bo vaki gjatë procesit të bartjes, janë djegur gjitha kantat, janë kallë edhe veturat tani kush fajtor? Vetë qytetari” – ka thënë Ruhani.

Si rezultat i kësaj, Ruhani ka lutur qytetarët që ta lirojnë hapësirën ku merren kontejnerët.

Tutje, Ruhani dhe Hajdini kanë ndarë pak nga përditshmëria e tyre në punë, e cila sipas tyre përcjellet herë me falenderime e respekt, e herë me fjalë fyese.

“Po na si të dalim në rrugë, na dikë e pengojmë, se na jemi kompani që pastrojmë, dikë e pengojmë, dikush na falënderon, e dikush na shanë, e qeshtu kalojmë. Ka pas rast që u dalë i ka ra punëtorit, pse po ma nxe rrugën, veç pse ka qenë t’u i kallxu, e di mu kthy me kamion, i ka ra punëtorit” – ka shtuar Ruhani.

“Qytetarët s’na respektojnë hiç, vijnë i mshelin hundët, flasin do e do, thojnë “Huuu, na myti era”, do e do thonë kështu, ka edhe të kulturuar ka edhe që janë shumë të mirë, që na respektojnë, na qesin soka, po diku 30 % janë të mirë, 70% janë shumë të këqij” – tha Hajdini.

Mirëpo sipas nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, ata i vizitojnë punëtorët e Kompanisë ‘Pastrimi’ dhe janë duke punuar që t’i plotësojnë kushtet e tyre.

“Neve na raportojnë, pra kryetarit të Kryeqytetit, mua, drejtorisë së shërbimeve publike, na raporton vazhdimisht ndërmarrja për kushtet e punës, për punën që janë duke e bërë, për problemet, për barrierat që i kanë dhe gjithashtu vijnë na dorëzojnë faturat, se ne e paguajmë atë ndërmarrje. Pra diku 300-400 mijë euro e kemi faturën mujore që e paguajmë për ndërmarrjen ‘Pastrimi’” – ka deklaruar Zogaj.

Ndërkaq, më 20.09.2023, kompania ‘Pastrimi’ kishte njoftuar se një punëtor i saj ishte sulmuar fizikisht në fshatin Bardhosh, përderisa ishte duke i larguar mbeturinat.