Rrezikimi i nxënësve në shkollat pa dalje dhe shkallë emergjente

Shumë objekte shkollore në Kosovë nuk kanë dalje dhe shkallë emergjente, gjë që e rrezikon shëndetin dhe jetën e mijëra nxënësve nga ndonjë situatë e paparashikuar fatkeqësie natyrore.

Sipas Departamentit për Infrastrukturës dhe Shërbimeve Teknike në kuadër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, të cilët janë përgjegjës për sigurimin e hapësirës së përshtatshme dhe adekuate si për zhvillimin e procesit mësimor në Kosovë janë rreth 60 shkolla të amortizuara që kanë dëmtime në strukturën e ndërtimit.

Në anën tjetër, janë vetëm 394 shkolla në Kosovë që kanë dalje emergjente, ndërsa nga këto shkolla, janë vetëm 165 shkolla që kanë shkallë emergjente.

“Vlen të theksohet se afërsisht 300 shkolla janë përdhesë dhe me numër të vogël të nxënësve që për dalje emergjente mjafton dalja kryesore”, thuhet më tej në përgjigjet e këtij departamenti.

KALLXO.com nga përgjigjet e marra nga komunat e Kosovës në lidhje me daljet dhe shkallët emergjente ka kuptuar se më shumë se 50% e shkollave nuk kanë dalje të tilla, ndërsa sipas Ministrisë së Arsimit, inspektimet për ndërtimet e shkollave e bën investitori.

“Meqenëse ligji ju lejon ndërtimin e shkollave edhe komunave, pastaj ka edhe donatorë dhe mbikëqyrjen e shkollave e bënë sicili invenstitor për projektet e veta,  do të thotë se mbikëqyrja e shkollave bëhet nga komunat, MASH dhe donatorët secili për donacionet e veta”, thuhet më tej duke shtuar se ndërtesat janë në menaxhim dhe kompetencë të komunave, të cilat paraprakisht e marrin pëlqimin nga MASH për projekt-dizajnin e shkollës.

Derisa sipas ligjit çdo ndërtesë në Kosovë, duke përfshirë edhe shkollat, duhet të ndërtohet sipas kodit të ndërtimit, Kosova ende nuk e ka këtë kod.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, fushën e ndërtimit në Kosovë e rregullon Ligji për Ndërtim, i cili ligj e obligon Qeverinë që të miratojë edhe kodin unik shtetëror të ndërtimit.

“Ky ligj e obligon qeverinë që ta miratojë edhe një akt nënligjor i cili quhet Kodi unik i ndërtimit mirëpo i njëjti ende nuk është miratuar nga Qeveria edhe pse një version është hartuar nga ish Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për KALLXO.com.

Hajriz Sejdiu, nga departameti i Emergjencave në  Ministrinë e Punëve të Brendëshme dhe Administratës  ka thënë për KALLXO.com se si departament ofrojnë ndihmë në komuna kurdo që ato kërkojnë.

“Është përgjegjësi e komunave sepse edhe Ligji për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore ka dënime deri në 6 mijë euro nëse nuk e kanë një plan të reagimit emergjent. Ndërtesat publike nuk kanë dicka të tillë në nivele lokale ndërsa patjetër që do të duhej të kishin”, ka thënë Sejdiu.

Ndërsa ka shtuar se Komuna e Gjilanit është e vetmja deri më tash që ka realizuar ndonjë simulim tërmeti në ndonjë shkollë.

Sipas tij, ky ushtrim është kryer në shkollën Selami Hallaqi me ndihmë e donatorëve, gjë të cilën për KALLXO.com  e ka konfirmuar edhe Komuna e Gjilanit.

“Në dhjetor 2013 në shkollën Selami Hallaqi kemi pasur aktivitetin me titull: “Stërvitje për shkolla në rast tërmeti” përmes AME-së, KKK, Kuvendit Komunal  mbështetur nga: UNDP, IFRC, UN Volunter dhe SAVE  THE CHILDREN. Ndërsa gjithashtu edhe aktivitetin simulim i tërmetit më 2018 në shkollat: shkollën fillore “Thimi Mitko”, shkollën “Abaz Ajeti”, Çerdhen e fëmijëve “Integj”, kanë treguar për KALLXO.com.

Në anën tjetër edhe MASh ka thënë se u takon komunave përgatitja e reagimit emergjent në shkolla.

Kosova ka mbi 300 mijë objekte pa leje të ndërtuara për të cilat ka filluar procesi i legalizimit 20 vjet pas luftës. Ky proces do të zhvillohet duke u bazuar në pesë Udhëzime Administrative.

Edhe pse Ministria e Mjedisit kishte nxjerrë këto Udhëzime Administrative, nuk ka pasur ndonjë shifër se sa nga këto objekte nuk i plotësojnë kushtet e ndërtimit dhe sa nga to janë objekte kolektive.

KALLXO.com ka kërkuar nga MASh informacione se a janë të legalizuara shkollat, por të njëjtit kanë thënë se legalizimet e ndërtesave shkollore janë në kompetencat komunale.

Kujtojmë se vitin e kaluar shteti fqinj, Shqipëria, u godit nga një termet, i cili la pas tij më shumë se 50 viktima.

Misin Misini, inxhinier dhe profesor që ligjëron në Universitetin e Prishtinës lëndën për rrezikun nga tërmeti për 37 vjet, ka thënë për KALLXO.com se në Kosovë nuk ka mbikëqyrje të projekteve të ndërtimeve.

Misini ka thënë po ashtu se objektet nuk mund të dallohen vetëm me sy nëse kanë rrezik të shembjes në rast tërmeti.

“Ka dobësi në ndërtimet në Kosovë në disa masa shtesë sepse ky projektim duhet të bëhet nga personat me kualifikim të përshtatshëm dhe me përvojë. Ka shumë të kualifikuar, por u mungon përvoja në fusha të caktuara të projektimit. Në Kosovë ka mungesë të mbikëqyrësve të projektit dhe punëve ndërtimore dhe nëse do të kryheshin punët sipas rregullave nuk do të ekzistonte panik në qytet”, ka treguar Misini.

Misini ka treguar se të gjitha objektet mund t’u nënshtrohen testeve, karakteristikë e objekteve është perioda dhe këto teste e bëjnë matjen e ngurtësisë dhe peshës apo masës së një ndërtesë si dhe të tregojnë për kualitetin e saj.

Ai ka shtuar se këto teste mund të bëhen gjersa ndërtesat janë në proces të ndërtimit si dhe pas përfundimit të tërësishëm.

Në më shumë se 300 mijë ndërtime pa leje të evidentuara në gjithë Kosovën bëjnë pjesë edhe ndërtime të paraluftës, por vlerësohet se shumica prej tyre janë pas vitit 1999.

Gjatë luftës së fundit, pos humbjeve në njerëz, në Kosovë u shkatërruan edhe një pjesë e madhe e pronave private dhe publike.

Të sfiduar nga nevoja për strehim, në vitet e para të pasluftës shumë njerëz ndërtuan shtëpi të reja, qoftë mbi themelet e ndërtesave të djegura e shkatërruara apo në pjesë tjera të pronave të tyre.

Por, më vonë sektori i ndërtimtarisë mori vrull të pakontrolluar dhe pësoi ndryshime, ndërsa fokusi kaloi nga ndërtimet individuale tek ato kolektive, veçmas në qendrat e urbanizuara.

Shumica këtyre ndërtimeve u bën pa iu nënshtruar procedurave ligjore, për pajisje me leje ndërtimi, dhe në kundërshtim me planet urbanistike.

Njëjtë si në Kosovë edhe shtetet si Slovakia, Republika Çeke, Polonia dhe Hungaria kanë probleme me “ndërtimet e zeza” apo ndërtimet pa leje. Gjithashtu edhe në këto shtete procedurat e pajisjes me leje zgjasin dhjetra ditë.

Gjatë periudhës pas viteve 2000, Kosovën e kanë goditur tre tërmete të fuqishme të mëdha. Në qytetin e Gjilanit në vitin 2002 me intensitet në epiqendër 8 ballë. Tërmeti i Istogut, i vitit 2010 me intensitet në epiqendër 7 ballë dhe i fundit, Tërmeti i Vushtrrisë në vitin 2013.