Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nagavci: Janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor

Ministrja e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka uruar vitin e ri shkollor 2023/2024.

Ajo ka thënë në bashkëpunim dhe me komunat e shkollat kanë bërë të gjithë përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor.

Tutje ka shtuar se po punojnë për të përmirësuar infrastrukturën shkollore e ligjore.

“Si Ministri po punojmë çdo ditë për të përmirësuar infrastrukturën shkollore e ligjore dhe vazhdojmë punën tonë për rritjen e cilësisë së teksteve shkollore mësimore. Gjatë punës sonë në Ministri të Arsimit me vendosmëri po avancojmë politikat arsimore” – tha Nagavci përmes një video-mesazhi.

Viti i ri shkollor ka nisur sot, më 1 shtator në Kosovë.

Këtë vit, tekstet shkollore janë blerë nga prindërit për dallim nga vitet paraprake që janë siguruar e shpërndarë nëpër shkolla nga Ministria e Arsimit.

Mjetet për blerjen e librave do të subvencionohen nga Ministria e Arsimit, e cila javën e kaluar ka njoftuar se do të ndahen nga 80 euro për prindërit e nxënësve të klasave nga e para deri në të pestën për t’i blerë librat shkollorë.

Ky proces është përcjell nga një debat i gjerë publik.

Një ditë para fillimit të procesit mësimor Nagavci ka njoftuar se kanë përfunduar procedurat e pagesës për blerje të librave shkollorë për 81 mijë përfitues.

Ajo ka bërë të ditur se numri i tërësishëm i aplikimeve është mbi 115 mijë dhe se pjesa tjetër do të trajtohet me grupin e radhës.

Aplikimi do të jetë i hapur deri në fund të shtatorit.