Tri zonat më të rrezikuara nga tërmetet në Kosovë

Kosova bën pjesë në listën e vendeve me aktivitet sizmik relativisht të lartë, thotë në një intervistë për KALLXO.com, Shemsi Mustafa, udhëheqës i sektorit të Gjeofizikës dhe Gjeologjisë Inxhinierike në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Tërmetet e ditëve të fundit në Shqipëri, të cilat u përcollën me disa të lënduar, shumë dëme materiale dhe panik ndër popullatë, kanë ngritur shqetësimet për mënyrën e funksionimit të agjensive të emergjencës në vend.

“Territori i Kosovës në aspektin sizmotektonik përfaqëson një terren aktiv, të dhënat për tërmetet nga e kaluara dëshmojnë qartë se dukuria e tërmeteve të forta në disa pjesë të territorit të Kosovës ka qenë evidente shumë herët dhe në bazë të këtyre ngjarjeve sizmike në të kaluarën, Kosova zë vend në zonën me aktivitet sizmik relativisht të lart”, thotë Shemsi Mustafa.

Tërmetet  janë lëvizje te pllakave tektonike, lëvizjes së korës së tokës apo shpërthimeve që lirojnë shumë energji dhe si pasojë ndodhë lëkundja e tokës. Njohja e masave mbrojtëse në rastet e tilla është esenciale.

Sipas Shemsi Mustafës qëndrimi larg objekteve te varura, zjarreve, mos përdorimi i ashensorit janë disa nga masat që duhet të ndërmerren nga njerëzit atëherë kur ata ndodhen në objekte të mbyllura në momentin e tërmeteve.

“Me ndalimin e dridhjeve duhet të largohemi në vendet e sigurta, të bashkëpunojmë me personat e tjerë gjatë kësaj kohe si dhe të shmanget kthimi në objekte pa kaluar rreziku”, thotë Mustafa.

Por si duhet të sillen banorët e një shtëpie apo blloku banimi në rast të tërmetit?

udhëheqës i sektorit të Gjeofizikës dhe Gjeologjisë Inxhinierike në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Foto: Facebook

“Në rast tërmeti, largimi nga vendet që janë me rrezik brenda dhome, siç janë objekte të varura për mure mund të shkaktojnë pasoja në njerëz, jo përdorimi i ashensorëve, larg zjarrit apo mjeteve me zjarre, pasi të ndalen dridhjet në mënyrë të organizuar dhe të sigurt pa panik të largohen nga objekti në një vend më të sigurt, sepse çdo herë pas një tërmeti mund të ndodhin pasgoditje që janë me rrezik të madh. Duhet t’u ndihmohet familjeve me fëmijë të vegjël dhe të moshuarve që në mënyrë të sigurt të dalin nga objektet, të komunikojnë njëri me tjetrin deri sa të janë të sigurt që nuk ka mbetur askush brenda objektit. Nuk guxon të bëhet kthimi në ndërtesë nëse ka plasaritje, pa pëlqimin e organeve kompetente, deri sa ata ta vlerësojnë se nuk ka rrezik”, thotë Shemsi Mustafa.

Mustafa thotë se në bazë të matjeve sizmike nga e kaluara, Kosova bënë pjesë në zonën e vendeve me aktivitet sizmik të lartë.

Ndër tërmetet e fundit që kanë prekur Kosovën është ai 8 ballësh me epiqendër në Gjilan në vitin 2002, ai 7 ballësh në Istog në vitin 2010, dhe i fundit me epiqendër në Vushtrri në vitin 2013 prëj 6.5 ballë.

Sipas Mustafës, tri zonat me aktivitetit sizmk më të lartë në Kosovë janë zona Istog- Pejë- Prizren, zona Ferizaj-Viti- Gjilan dhe zona e Leposaviqit.

Këto ditët e fundit Shqipëria është përfshirë nga një valë dridhjesh të tokës, ku ka pasur lëndime në persona dhe dëme të shumta materiale. Një ngjarje e tillë ka shkaktuar panik tek qytetarët. Tërmeti i së shtunës bëri që shumë njerëz të flinin në veturat e tyre ose në sheshe.

Kosova nuk rrezikohet nga tërmetet që ndodhin në rajon përveç në rastet e ndonjë tërmeti me shkallë shumë të lartë të rihterit, thotë Mustafa.

“Objektet e larta dëmtohen nga tërmetet e largëta. Kjo do të thotë se nëse një ndërtesë 8 kat – 20 kat është ndërtuar në Prishtinë dhe tërmeti ndodh jashtë kufijve të Kosovës, ai mund ta dëmtojë këtë objekt nëse nuk janë marrë parasysh parametrat e truallit (faktori i dheut, perioda, frekuenca) dhe  potenciali i një zone të largët”, thotë Shemsi Mustafa.

Ai shtoi se është e rëndësishme që çdo objekt të ketë studim gjeologjik- inxhinierik për të parë se në çfarë trualli po ndërtohet.

Në Kosovë sipas Shemsi Mustafës,  brenda 50 viteve mund të ndodhë një tërmet me magnitudë deri në 6.0 shkallë të riterit.

“Bazuar ne Hartën e rrezikut sizmik për Kosovë që jap disa te dhëna për tërmetet për periudha kthyese,  pra në Kosovë nuk priten tërmete katastrofike, sipas hartës se rrezikut sizmik për një periudhë kthyese 50 vite mund te ndodh një termet me magnitud deri 6.0 shkallë te rihterit”, thotë Shemsi Mustafa.