Foto: Kallxo.com

Frikësimi i Mërgimtarit për Pronën e Privatizuar

Një investitor nga diaspora ka shpenzuar 328 mijë euro për të blerë një lokal në dhjetor të vitit 2016. Çelësat e lokalit i kishte marrë në prill të vitit të kaluar, mirëpo nuk po mund të shfrytëzojë atë lokal për shkak të kërcënimeve që ka pranuar nga ish-qiramarrësit e këtij lokali.

Historia e frikësimit të këtij investitori është transmetuar në emisionin “Drejtësia në Kosovë”, në të cilin u zbuluan pengesat që u bëhen investitorëve nga diaspora dhe atyre të huaj në shfrytëzimin e pronave të privatizuara në Kosovë.

Patrick Fluder, një bashkatdhetar nga Zvicra, e ka privatizuar një lokal në Mitrovicë, por nuk po mund ta shfrytëzojë atë nga frika se mos po ndodhë ndonjë incident në mes tij dhe ish-qiraxhinjve të atij lokali.

“Më 9 dhjetor 2016 kam konkurruar dhe kam qenë ofertuesi më i lartë me çmimin 328 mijë e 888 euro, dhe nuk po me lejojnë ish-qiraxhinjtë. Kam pasë kërcënime, kanosje, shantazhe dhe gjëra negative. Kërkesa e tyre është që unë të tërhiqem nga kjo blerje sepse thonë që kanë punuar për kohë të gjatë dhe nuk lejojnë që dikush tjetër të zhvilloj biznes aty”, tha Fluder i cili ka sqaruar se lokali po rri i zbrazët.

Ai thotë se ende nuk e ka hapur lokalin për të cilin ka shpenzuar qindra mijëra euro.

“Lokali është liruar, më 7 prill 2017 m’u kanë dorëzuar çelësat. Por, ata i kanë lanë tendat aty. Kam kërkuar që t’i largojnë që të më lejojnë ta zhvilloj biznesin, por në asnjë mënyrë nuk pranojnë një gjë të tillë dhe shkaku i frikës që mos të ndodhë diçka e keqe në qytetin e Mitrovicës ende nuk kam shkuar ta hap”, theksoi Fluder për emisionin ‘Drejtësia në Kosovë’.

Në disa incizime të cilat i ka siguruar “Drejtësia në Kosovë”, Fluder komunikon me një person që pretendohet të jetë pjesëtar i familjes Aliu.

Aty dëgjohen kërcënime për lokalin e privatizuar. Sipas Fluder-it, personi i cili po e kërcënon nëpërmes telefonit është ish- qiraxhiu i lokalit Enver Aliu.

“Unë mu tërhiq nuk e kom ndërmend, unë po të tregoj se aty ma mirë është… edhe atëherë të kam thënë edhe tash po të them i merr sendet tua kthehesh sa të shtyn veç ki me hup ti edhe ne”, ishte biseda e Fluder-it me atë që ai thotë se Enver Aliu.

Biseda, sipas incizimeve, nuk përfundon me kaq.

“Jo po hyn llugave, ke ble sherr me pare o zotëri, nuk ki me punua aty kurrë o zotëri, të kom tregu edhe atëherë edhe sot po të tregoj se edhe 500 vjet sa të kam ymër aty njeri i gjallë s’ka me punua përveç meje ”, dëgjohet të thotë personi që flet me Fluderin.

Lexo edhe Hulumtimin për telashet e një mërgimtari tjetër në Mitrovicë

http://kallxo.com/akuza-per-pushtim-e-kercenim-ndaj-shytit-e-beqirit/

Hulumtuesi i emisionit  “Drejtësia në Kosovë” kishte kontaktuar edhe me Enver Aliun, mirëpo ai nuk kishte dashur t’i komentojë pretendimet e Fluderit së i njëjti po e kërcënon.

Bisedën tjetër investitori e kishte me Gentuar Aliun, anëtari tjetër të kësaj familje në Kosovë, i cili i thotë Fluderit që të vijë në Kosovë dhe të ulen e bisedojnë.

Aktakuza për kanosje

“Unë të kam ftuar me dalë me ndenjtë, me pi kafe si njerëz, ti s’ki dashtë, je dal krejt kundër neve. U kanë problemi për të na, nuk u kanë problemi për të tjerët shembull. Plus edhe para kësaj herë të thash që vjen në Kosovë dalim pina kafe se na njerëz nuk hajna”,  thuhet në incizimin që Fluder po pretendon së është duke folur me Gentuar Aliun. “Nejse ti kryej ato sendet tua, unë i kryej me shtet, shteti i din punët e veta. Nëse unë të kam ba diçka mirëpo unë e di që nuk të kam ba send.”

Hulumtuesit e “Drejtësia në Kosovë” disa herë kanë provuar të takohen me shfrytëzuesin e dikurshëm të lokalit, Gentuar Aliun, mirëpo ai nuk ka pranuar të flasë para kamerës duke dhënë vetëm një prononcim të shkurtër përmes telefonit.

“Unë të kam tregu edhe ma herët që kemi fol. Unë nuk kam çka merrna me atë punë, Patriku i ka çelësat e lokalit, lokali është i zbrazët, ia kemi liruar ai disa herë ka ardhur në Kosovë e se ka ngucë kurrkush. Nuk e di çka po donë ma shumë”, ka  thënë Aliu për “Drejtësia në Kosovë përmes telefonit.

Hulumtimi i ‘Drejtësia në Kosovë’ tregon se rasti është raportuar në Polici dhe përpos procedurave standarde për raste të ngjashme. Zëdhënësi i Policisë në Mitrovicë Avni Zahiti tha se rasti është lajmëruar dhe është trajtuar për elemente të kanosjes ndaj investitorit.

“Rasti në fjalë në polici është raportuar si rast me elemente të kanosjes. Policia nën udhëheqjen e prokurorit të çështjes ka nisur hetimet në fjalë ku ka identifikuar të dyshuarin për elemente të kanosjes dhe tashmë veç është bërë një kallëzim penal, i cili në muajin gusht 2016 është dërguar në prokurori”, tha Zahiti.

Drejtësia në Kosovë ka kontraktuar edhe me kryeprokurorin e Prokurorisë në Mitrovicë, Shyqyri Syla. Ai e ka konfirmuar se Prokuroria në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj Gentuar Aliut për kanosjen që ia ka bërë investitorit Patrick Fluder, por aktakuza ende nuk është në rend për t’u trajtuar nga ana e Gjykatës.

“Me datën 09.08.2017 kjo Prokurori ka marrë kallëzimin penal kundër Gentuar Aliut për veprën penale kanosje pasi që i njëjti kishte kanosur Patrick Fluderit lidhur me shfrytëzimin e lokalit ‘Modesta’. Menjëherë prokurori e ka marrë në punë dhe e ka ngritur aktakuzën”, tha Syla.

Aktakuza e Prokurorisë në Mitrovicë, kopjen e së cilës e kishte siguruar “Drejtësia në Kosovë”, përshkruan veprimet e Gentuar Aliut kundrejt investitorit nga Zvicra, Patrick Fluder.

“Gentuar Aliu, në fillim të muajit qershor të vitit 2017 në Mitrovicë ka kanosur personin tjetër dhe atë të dëmtuarin Patrick Fluder, ashtu që paraprakisht i dëmtuari kishte blerë nga AKP-ja lokalin e quajtur ‘Modesta’, i cili gjendet në Sheshin ‘Agim Hajrizi’, mirëpo i pandehuri nuk e ka lejuar që ta shfrytëzojë lokalin të dëmtuarin Patrick, por edhe i është kanosur përmes telefonit me fjalët ‘nuk ke blerë lokal por ke blerë bela dhe duhet të tërhiqesh, nuk do ta gëzosh, nuk do     të punoj aty askush përveç neve’”, thuhet në aktakuzë.

Në përshkrimin e saj aktakuza tregon shumë, por hulumtimi i DNK-së ka gjetur se ajo ende nuk është marrë në dorë nga gjykata. Investitori Fluder pretendon se gjatë intervistave në polici kishte përmendur edhe persona të tjerë, por të njëjtit nuk janë në aktakuzë.

“Në polici i kam dërguar CD-të me Enverin dhe Gentuarin dhe nuk e di pse në aktakuzë është vetëm njëri duhet me e pyet policinë”, theksoi Fluder.

‘Drejtësia në Kosovë’ e kishte pyetur Policinë rreth akuzave të investitorit se ka dhe persona të tjerë të jenë përfshirë në këtë kanosje, mirëpo zëdhënësi Zahiti  tha se  deri me tani në bazë të hetimeve të bëra nuk ka persona tjerë.

Kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqyri Syla, tha se nuk është në dijeni për kërcënime të reja, mirëpo e ka ftuar investitorin që nëse ka t’i denoncoj në polici dhe prokuroria e tij do t’i trajtoj më prioritet qysh e ka trajtuar edhe raportimin e tij të parë.

http://kallxo.com/fundi-uzurpimeve-ne-qender-te-mitrovices/

Kërcënimet

Por edhe pas aktakuzës dhe policisë problemet për investitorin nuk kanë të ndalur. Thotë se serish ka pranuar telefonata kur ai ka tentuar të lëshojë lokalin me qira.

Investitori ka arrit marrëveshje për lëshimin e lokalin me qira me një pagesë prej 2 mijë euro në muaj. Personi që e ka marrë me qira lokalin, Fisnik Aliu thotë se nuk po mundet me punu. Ai thotë se nga muaji mars i 2018 fillon me pagu qiranë ashtu qysh e ka në kontratë me pronarin Patrik. Edhe për personin që e ka marrë lokalin me qira kishte telefonata.

“Lokalin e kam marr për me investu po kam has në probleme se ata që kanë qenë ma herët nuk po më lanë me hap”, tha Aliu.

Fisnik Aliu po pretendon së Gentuar Aliu e ka thirrur në telefon dhe është takuar me të, dhe i njëjti i ka rekomanduar se lokali në asnjë formë nuk guxon të hapet.

Mirëpo këtë e ka mohuar tash i akuzuari për kanosje Gentuar Aliu.

“Ata munden me thanë çka donë, mirëpo persona të tjerë unë  nuk kam thirrur në telefon dhe nuk kam takuar e as nuk skam fol me kërkon me kënd kanë fol ata unë nuk e di”, i kishte thënë DNK-së nëpërmes telefonit Gentuar Aliu.

Dy vite më parë në një prononcim publik kryeprokurori i vendit Aleksandër Lumezi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli ishin zotuar se pronat e uzurpuara do lirohen. Nga ato deklarata veprime konkrete ishin pasuar dhe mbi 200 prona të uzurpuara ishin liruar nga uzurpatorët në një aksion të gjerë të policisë. Por të dhënat nga terreni tregojnë se aksioni nuk i ka arritur të gjitha caqet.

“Drejtësia në Kosovë” kishte kërkuar përgjigje nga Prokuroria e shtetit për të ditur se sa aktakuza janë ngritur apo edhe sa kanë përfunduar, mirëpo zyra për informim e këtij institucioni nuk kishte kthyer përgjigje.

Veton Hajdini nga Agjencia Kosovare e Privatizimit thotë se nga 217 uzurpime sa kanë qenë në vitin 2015 sot AKP-ja ka të uzurpuara vetëm 22 asete e që shumica e tyre janë në veriun e Kosovës.

“AKP vazhdon me lirimin e aseteve të uzurpuara dhe nga një evidentim i vitit 2015 kur ishin të renditura rreth 217 asete të uzurpuara tani flasim vetëm për 22 raste dhe të cilat kryesisht janë në veriun e Mitrovicës që akoma nuk kemi arritur marrëveshje për qiramarrje”, tha Hajdini.

Kërcënimi i Investitorit nga Zvicra