Shitja e Aseteve me Likuidim ShAL 69 - Mundësi unike për investime strategjike

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka shpallur shitjen e aseteve me likuidim ShAL69, duke ofruar një gamë të gjerë pronash dhe asetesh atraktive në rajonet kryesore të Kosovës. Kjo shitje ofron mundësi të veçanta për investitorët që kërkojnë të hyjnë në tregun e pasurive të paluajtshme në vend dhe të realizojnë investime strategjike.

Në rajonin e Mitrovicës janë 3 asete në dispozicion, përfshirë toka bujqësore dhe një lokal me tokë, së bashku me një depo. Këto asete ofrojnë mundësi të shkëlqyer për investime në prona rurale dhe tregtare. Në rajonin e Pejës janë 25 asete në këtë valë, përfshirë 24 toka të kategorive të ndryshme dhe një objekt, duke i dhënë mundësi investitorëve për të zgjeruar veprimtaritë e tyre në sektorin bujqësor dhe tregtar. Në kryeqytet ofrohen 20 asete, përfshirë 10 toka bujqësore, 4 lokale, një zyrë dhe asete të luajtshme të NSh Ingeniering. Me një numër të madh aseteve për shitje, Prishtina paraqet mundësi të rëndësishme për zhvillimin urban dhe tregtar. Në rajonin e Prizrenit janë 7 asete, përfshirë toka bujqësore, lokale dhe një aset të luajtshëm. Ky rajon turistik përfaqëson një zgjedhje të mirë për investitorët që synojnë mundësi në zhvillimin e rajoneve tërheqëse.

Përveç aseteve në Kosovë, kjo valë përfshin edhe 4 lokale afariste në Podgoricë, Mal i Zi. Me sipërfaqe që variojnë nga 75m² deri në 232m² dhe të pozicionuara në lokacione atraktive, këto prona përbëjnë një mundësi ideale për investime të suksesshme ndërkombëtare.

Procesi i dorëzimit të ofertave dhe hapjes së tyre zhvillohet me transparencë të plotë, në prani të mediave dhe të gjithë konkurrentëve të interesuar, duke siguruar korrektësinë dhe garancinë e çdo hapi të procedurës. Mos e humbisni këtë mundësi të rrallë për të investuar në të ardhmen e pasurive të paluajtshme në Kosovë!

Ofertat e mbyllura për njësitë/asetet që janë në shitje përmes Shitjes së Aseteve me Likuidim nr.69 duhet të dorëzohen në “Sallën e konferencave – Hoteli Grand”, në Prishtinë me datën 30.10.2024, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, të shoqëruara edhe nga depozita e ofertës dhe tarifa për paraqitjen e ofertës, ashtu siç është parashikuar për secilin artikull. Kurse hapja e ofertave do të bëhet po të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 12:30. Gjatë kësaj periudhe palët e interesuara e kanë mundësinë që të marrin informata më të detajuara si dhe t’i vizitojnë për së afërmi pronat e ofruara për shitje.

Për më shumë informata, palët e interesuara mund të kontaktojnë AKP-në, Rruga “Dritan Hoxha Nr.55”, 10000 Prishtinë, Kosovë, apo në tel: +383 (0) 38 500 400, ext. 1090 apo ext.2059.

Për me shumë informata vizitoni web faqen e Agjencisë: www.pak-ks.org