QKUK anulon testin e konkursit për infermierë

Testi me shkrim për infermierë të përgjithshëm me shkollë të mesme dhe infermierë të përgjithshëm me bachelor është anuluar dje nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).

Arsye e anulimit në njoftim thuhet të jenë disa parregullsi gjatë mbarëvajtjes së testit me shkrim.

QKUK kishte hapur konkurs për 85 infermierë të përgjithshëm, 70 prej tyre të nivelit bachelor dhe 15 me nivel të mesëm, më 27 shkurt 2023.

Ky konkurs përfshinte edhe 15 vende të tjera të lira, 10 për pozitën teknikë të rëntgenit dhe 5 laborantë të drejtimit mjekësor. Të dyja këto pozita të nivelit bachelor.

Për këto pozita, janë përzgjedhur kandidatët fitues më 24 dhe 25 maj.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtorinë e QKUK-së, për të kuptuar se cilat kanë qenë këto parregullsi dhe është në pritje të përgjigjes.