COVID-19 i merr jetën infermieres 28-vjeçare në Kërçovë

Një infermiere 28-vjeçare nga Spitali i Përgjithshëm në Kërçovë ka ndërruar jetë për shkak të komplikimeve nga virusi korona. Ajo nuk ishte e vaksinuar për shkak të disa arsyeve shëndetësore, ka pohuar drejtori i spitalit Stanko Tërpeski. Para tre ditësh viktima me pasqyrë të rëndë klinikë ishte dërguar në Shkup, ku edhe ka ndërruar jetë.

Ndërkaq Kërçova, Tetova, Gostivari dhe Kumanova janë vatrat më të mëdha të infeksionit me COVID-19. Qendrat COVID në këto komuna janë mbushur me pacientë thotë Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Shprehet i brengosur dhe vlerëson se nëse rritja vazhdon me këtë dinamikën, situata mund të bëhet me të vërtetë kritike. Shpëtimin e sheh vetëm te vaksina.

“Gjatë ditëve të fundit numri është duke u rritur. Nëse e shohim dinamikën me të cilën rriten numrat, para nesh janë disa javë në të cilën situata mund të jetë më të vërtetë kritike. Ka rritje të të diagnostikuarve, të të hospitalizuarve, posaçërisht në disa qytete si Tetovë, Gostivar, Kërçovë e Kumanovë. Këtu po mbushen repartet infektive. Nga COVID-qendrat po transferohen në Shkup. Klinika infektive është mbushur me pacientë”, tha Filipçe.

Përhapja e virusit më së shumti po bëhet nëpër ahengje apo festa, thotë Filipçe.

“Analiza e fundit që është bërë përafërsisht para një jave, tregon se 40% e të hospitalizuarve të atëhershëm, sipas të dhënave epidemiologjike kanë qenë në ndonjë festë dhe kjo nuk na befason, këtë e shohim gjatë gjithë kohës, gjatë gjithë periudhës së kaluar dhe vitin e kaluar klasterët më të shpeshtë ishin nga vendet ku kishte tubime masive dhe aty ku nuk respektoheshin masat parandaluese”, shton më tej ai.

Nga gjithsej 3497 pacientë që kanë dalë pozitiv në 7 ditët e fundit, 3047 nuk janë vaksinuar, që do të thotë se vetëm 10% janë vaksinuar dhe janë pozitivë, por dhe ata të vaksinuar që janë të shtrirë në spitale janë në një gjendje mjaft të qëndrueshme, deklaroi ministri i Shëndetësisë. Rreth tetë mijë qytetarë në nivel ditor po vaksinohen kundër virusit korona. E për shkak të interesit të lartë për vaksinim, punktet kanë punuar edhe gjatë ditës së sotme, por me një intensitet më të ulët. RTV21