Hoxhaj: Kosova Me Strategji Për Anëtarësim në OKB

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka paralajmëruar të mërkurën në Kuvend se vitin e ardhshëm do të hartohet strategjia për mënyrën se si Kosova duhet aplikuar për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe se fillimisht do të aplikohet në disa agjenci të kësaj organizate.

Këtë informacion kryediplomati e ka dhënë, teksa ka raportuar në Komisionin parlamentar për punë të jashtme , ku është përballur me një numër të madh pyetjesh të deputetëve. Ministri Hoxhaj ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në OKB është prioritet i dorës së parë.

“Gjatë këtij viti kemi hartuar një dokument strategjik se si t’i qasemi Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ne mendojmë që Rezoluta 1244 është e vdekur, ne mendojmë që shtetet partnere të Republikës së Kosovës së bashku me qeverinë dhe me Kuvendin e Kosovës do të duhet në vitin e ardhshëm të dalin me një strategji për anëtarësimin e Kosovës në OKB”, ka thënë Hoxhaj.

Kryediplomati kosovar ka thënë se ministria që ai drejton ka zhvilluar dy skenarë: i pari, sipas tij, parasheh që në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm Kosova të aplikojë për anëtarësim në dy deri në tri agjenci të OKB-së. Nuk ua ka përmendur emrin këtyre agjencive, duke u arsyetuar se në sallën ku raportonte kishte media dhe se ai donte që emrat e tyre të mos publikoheshin.

“Ne i kemi votat, e kemi një fizibilitet të detajshëm dhe e kemi mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë që të aplikojmë dhe është fjala për agjencione kyçe”, ka thënë ministri Hoxhaj.

Sipas tij, në vitin e ardhshëm do të ndërtohet një strategji anëtarësimi në OKB, në të cilën duhet të ketë vendime përtej MPJ-së.

“Përveç aplikimit në agjencionet e OKB-së, mendojmë që në vitin e ardhshëm do të duhej ta ndërtojmë një mendim strategjik se si t’i qasemi anëtarësimit të Kosovës në OKB, mandej vendimi duhet të jetë përtej MPJ-së, meqë ka të bëjë me një temë që është shumë strategjike”, shpjegoi Hoxhaj.

Ministri e ka vlerësuar si të suksesshëm vitin 2013, sa i përket aspektit bilateral të politikës së jashtme. Si arsye për këtë vlerësim, ka përmendur njohjen e Kosovës prej tetë shteteve dhe firmosjen e 152 marrëveshjeve ndërkombëtare deri tash.

Ai ka përmendur si sukses edhe hapjen e ambasadave të reja dhe bashkëpunimin e intensifikuar rajonal. Por, deputetët i kanë bërë një mori pyetjesh, jo vetëm që ndërlidhen me politikën e jashtme.

Fillimisht Albin Kurti, që është kryetar i Komisionit, e ka kritikuar ministrin për konstatimin se Rezoluta 1244 e OKB-së është e vdekur.

Kurti e Hoxhaj nuk kanë pasur marrëdhënie të mira në pozitat që ata zyrtarisht i ballafaqojnë.

I pari i komisionit, i kishte kërkuar më 23 maj raportim Hoxhajt, për Marrëveshjen e parë të parimeve për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por Hoxhaj, me arsyetimin se kishte punë të tjera në interes të vendit, nuk kishte dalë para komisionit, deri më 26 korrik.

Në këtë ditë korriku mediat raportonin për keqtrajtim azilkërkuesish kosovarë në Hungari, ndërsa Hoxhaj kishte dalë para komisionit për ta demantuar këtë.

Me kundërshtim dhe demonstrata të Vetëvendosjes, Projektligji për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve qe miratuar në kuvend më 27 qershor.

Hoxhaj përveç raportimit të mërkurën, para Komisionit raportoi edhe dy herë të tjera: në javën e fundit të shkurtit dhe të korrikut.

Hoxhajn gjatë raportimit të së mërkurës para Komisionit, për konstatimin se Rezoluta 1244 është e vdekur e demantoi edhe deputeti Skënder Hyseni, i cili ka qenë ministër i Jashtëm mandatin e shkuar. Ai ka thënë se Kosova ka shënuar regres në këtë pikë, kur ka pranuar që kjo rezolutë të jetë pjesë e fusnotës.

Deputetët kanë bërë pyetje që ndërlidhen me incidentet e fundit të kuadrit diplomatik, me aspektin e rekrutimit të kuadrove nga ministri, por edhe për dyshime që ndërlidhen me keqpërdorimin e buxhetit. Ministri u ka premtuar atyre se do t’ua dërgojë në mënyrë të shkruar përgjigjet për secilën nga çështjet e ngritura, duke ua mbështetur atyre edhe faturat dhe dokumentet tjera.

Kurti e ka pyetur ministrin Hoxhaj edhe për rastet e zëvendësambasadorit të Kosovës në Kroaci, Urtak Hamitit e po ashtu edhe të Fatmire Musliut, sekretares së parë të ambasadës së Kosovës në Berlin.

Ministri ka refuzuar të japë detaje se si është vepruar në lidhje me këta persona diplomatikë, duke thënë që me këtë rast është marrë Komisioni për Disiplinë dhe Grada, duke ekzekutuar vendime që janë zbatuar.