Gjykata e tenderëve kërkon nga Policia anulimin e tenderit për antiplumba

Policia e Kosovës ka anuluar tenderin të cilin e kishte hapur në qershor të vitit 2021 për të furnizuar zyrtarët e saj me antiplumba.

Policia e Kosovës në vitin 2021 kishte planifikuar që të blejë 600 copë jelekë antiplumb të brendshëm, 2 mijë e 300 antiplumb të jashtëm dhe 350 antiplumba taktike për Njësi Speciale. Shuma e përcaktuar për të blerë këto jelekë anti-plumb për Policinë e Kosovës do t’i kushtonte këtij institucioni hiç më pak se 3 milionë e 799 mijë e 800 euro.

Por ani pse kanë kaluar 2 vjet, këto jelekë nuk janë blerë me tender të hapur, pasi që pati ankesa e që të njëjtat nuk arritën të trajtoheshin me kohë për shkak të mungesës së bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, i cili njihet si gjykata e tenderëve.

Ankesa e fundit që u bë për këtë tender ishte ajo e 3 majit të këtij viti nga kompania “Sodex Group”.

Kjo kompani në dosjen e cila është e publikuar në E-Prokurim ishte rekomanduar njëherë për të marrë tenderin për furnizim me antiplumba por që më pas ishte anuluar aktiviteti dhe Policia e Kosovës kishte vendosur në favor të dy kompanive të tjera për t`u ofruar këtë tender.

“Sodex Group” kishte ushtruar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit nën pretendimet që Policia e Kosovës kishte shkelur disa nene të Ligjit për Prokurimin Publik.

Më 16 dhjetor të vitit 2021 përmes platformës elektronike të E-Prokurimit, “Sodex Group” ishte njoftuar për vendimin që kishte marrë Policia e Kosovës e që kishte rekomanduar për kontratë këtë kompani ndërsa disa ditë më vonë, PK kishte marrë vendim për anulim të aktivitetit duke u thirrur në një vendim të OSHP-së.

Për këtë çështje “Sodex Group” kishte parashtruar ankesë në OSHP e që kjo e fundit më pas kishte aprovuar ankesën dhe paneli shqyrtues kishte detyruar Policinë e Kosovës që lëndën ta kthej në rivlerësim.

Pas rivlerësimit, Policia e Kosovës më 20 prill të vitit 2023 kishte publikuar sipas ankuesit, një vendim e që përmbante rekomandimin e ri për kontratë, për dy kompani “Pricom dhe Seyntex NV”.

Arsyeja se pse Policia e Kosovës kishte marrë vendim që të tërheq rekomandimin nga “Sodex” sipas ankesës së këtij të fundit ishte se fillimisht, Policia e Kosovës kishte konstatuar se pesha e jelekut ishte për 40 gram më e madhe se sa ishte përcaktuar.

Pra sipas Policisë së Kosovës, pesha e një antiplumbi të jashtëm duhet të ishte 8 kilogram ndërsa në bazë të peshores së tyre rezultonte se pesha e kësaj pajisje ishte 8.4 kilogram.

“Sodex” pretendonte se pesha ishte brenda masës së tolerancës së lejuar pasi që sipas peshores së Policisë është 0.5 përqind më e lartë se kërkesa ndërsa toleranca konfirmonte se ishin brenda specifikave të kërkuara.

“AK (Policia e Kosovës) e ka cekur si sqarim se pas kalibrimit të peshores në 8 kilogram duhet shtuar edhe 30 gram, mirëpo për ne është e panjohur se si ka ardh AK-ja në një përfundim të tillë dhe se përse duhet t’i shtohet 30 gram peshores. Ky sqarim i AK-së për mendimin tonë nuk është profesional pasi që peshorja duhet të kalibrohet dhe nuk ka nevojë që t’i shtohen gram fare”- thuhet në një pjesë të ankesës së kompanisë “Sodex Group”.

Kjo kompani ka pretenduar në ankesë edhe se Policia e Kosovës e kishte eliminuar për shkak të disa specifikave për të cilat sipas tyre nuk kanë qenë të specifikuara në dosje të tenderit dhe te njoftimi për kontratë.

“Sodex Group” ka thënë në ankesë edhe se kompania tjetër e cila ishte rekomanduar për kontratë për antiplumba ishte e papërgjegjshme sepse nuk kishte plotësuar kërkesa të Policisë së Kosovës të specifikuara në tender. Madje “Sodex” pretendon se Policia e Kosovës kishte shfrytëzuar të drejtën e favorizimit.

Meqenëse kompanitë që ishin rekomanduar për kontratë për tenderin e furnizimit me antiplumb, “Sodex Group” thotë se fillimisht ishin eliminuar nën arsyetimin se ishin të papërgjegjshme e më pas Policia e Kosovës kishte pranuar të njëjtat kompani dhe i kishte rekomanduar për kontratë.

Në vendimin e Policisë së Kosovës në E-Prokurim është publikuar edhe letra standarde ndaj të gjithë kompanive që kishin aplikuar për të marrë tenderin për antiplumba.

Në këtë vendim thuhet se kompanitë “Pricom dhe Seyntex NV” ishin eliminuar në atë kohë nga gara për tenderin për shkak se tenderi i ofruar nga ta ishte administrativisht i papërgjegjshëm.

Arsyetimet thonë se këto kompani nuk i ishin përgjigjur në përpikëri ose specifikisht kërkesave të autoritetit që kishte hapur tenderin.

Dëmet materiale të cilat ka konsideruar “Sodex Group” se i është shkaktuar me veprimet e Policisë së Kosovës është 100 mijë euro.

Ekspertiza që çoi në anulimin e tenderit të Policisë së Kosovës për furnizim me antiplumba

Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte pranuar ankesën nga “Sodex Group” më 4 maj 2023. Vetëm 4 ditë më vonë ishte vendosur edhe për autorizimin e ekspertit që do të trajtonte këtë rast. Florije Rexhepi ishte ekspertja që do të shqyrtonte ankesën e “Sodex Group”.

Në bazë të ankesës së “SodexGroup” Policia e Kosovës kishte shkelur Ligjin për Prokurimin Publik më saktësisht nenet 1, 7, 56 paragrafi 3, 59, 60, 69 dhe 72.

Sipas Ligjit për Prokurimin Publik neni 1 parasheh mënyrën e shfrytëzimit të fondeve publike të autoriteteve kontraktuese në Kosovë duke përcaktuar kushtet dhe rregullat që do të zbatohen, procedurat që ndiqen e të tjera.

Neni 7 i këtij Ligji, për të cilin “Sodex Group” pretendon se shkeli Policia e Kosovës ishte barazia në trajtim dhe jo-diskriminimin e i cili thotë se institucioni duhet të trajtoj të gjithë operatorët ekonomik në mënyrë të barabartë dhe të veprojë në mënyrë transparente.

Neni 56 i përmendur në ankesë ishte edhe ajo për dispozitat e përgjithshme mbi përzgjedhjen e pjesëmarrësve dhe dhënien e kontratave ndërsa paragrafi 3 thotë se tenderuesi, gjatë procedurave të hapura, ose kandidati, gjatë procedurave të kufizuara dhe procedurave të negociuara, pas publikimit të njoftimit të kontratës, nuk do të diskualifikohet ose përjashtohen nga procedurat e tilla në baza të ndonjë kërkese ose kriteri që nuk është i cekur në njoftimin e kontratës dhe në dosjen e tenderit.

Neni 59 i Ligjit të Prokurimit Publik shpjegon ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve, e që edhe për këtë nen “Sodex Group” pretendoi se Policia e Kosovës e kishte shkelur me tenderin për antiplumba.

Kriteret e dhënies së kontratës parashihen në nenin 60, ndërsa aftësia teknike dhe profesionale në nenin 69 e në të cilën shpjegohet se autoriteti kontraktues mund të kërkojë nga operatorët ekonomik të sigurojnë dëshmi për të treguar se ata i posedojnë kualifikimet minimale të kërkuara dhe specifikuara në dosjen e tenderit dhe në njoftimin e kontratës. Gjatë vendosjes së kësaj kërkese, autoriteti kontraktues mund të kërkojë nga operatorët ekonomik që të sigurojnë, nëse është relevante dhe e nevojshme, njërin ose të gjitha dokumentet e specifikuara në këtë nen.

Neni 72 i cili pretendohet se u shkel nga Policia e Kosovës e që ka zënë vend në ankesën e “Sodex Group” parasheh dokumentacionin dhe informacionet shtesë e që institucioni mund të ftoj kompanitë që të plotësojnë apo qartësojnë certifikatat dhe dokumentet e paraqitura.

Në ekspertizën e ekspertes Florije Rexhepi janë përmendur të gjitha pretendimet e që për të njëjtat është kërkuar edhe sqarimi nga ana e Policisë së Kosovës.

Kjo e fundit ka thënë se të gjitha vlerësimet e mostrave të kompanive që kanë aplikuar janë vlerësuar mbi bazën e mostrave fizike që janë dorëzuar. Gjithashtu këto mostra janë vlerësuar nga një ekip i zyrtarëve policorë që kanë përvojë profesionale.

Gjithashtu ekspertja ka sqaruar se tenderi për antiplumba ka qenë disa herë në shqyrtim në OSHP dhe për ankesat ka autorizuar pra ekspertin që në fund të propozoj edhe të gjeturat dhe rekomandimet.

Ekspertja pas shqyrtimit të ankesës së “Sodex Group” ka rekomanduar që e njëjta të aprovohet si pjesërisht e bazuar, të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës dhe të kthehet lënda në rivlerësim.

KALLXO.com kishte kërkuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit arsye se pse fillimisht ishte vonuar trajtimi i ankesës.

Ankesa kishte më shumë se 2 muaj e gjysmë që nuk kishte përfunduar ndërsa OSHP në një përgjigje për KALLXO.com kishte thënë se kur ka vonesa nxjerrë vendime për shtyrje të afatit për vendimmarrje.

“Vonesat të cilat po paraqiten në vendimmarrje, vie si rezultat i mungesës së stafit profesional, mungesës së anëtarëve të bordit, ku aktualisht jemi duke funksionuar me vetëm tre (3) anëtarë të bordit dhe katër (4) zyrtarë ligjore”- thuhet në përgjigjen e OSHP-së për KALLXO.com, të dërguara më 28 korrik të këtij viti.

21 ditë pas kësaj përgjigje, Paneli Shqyrtues kishte marrë edhe vendimin për ankesën e “Sodex Group” në lidhje me tenderin për furnizim me antiplumba për Policinë e Kosovës.

Paneli Shqyrtues në përbërje nga kryetari Vedat Poterqoi, Vjosa Mexhuani dhe Agon Ramadani në cilësinë e anëtarëve, kishin vendosur që të aprovonin pjesërisht ankesën dhe që të anulohet në tërësi aktiviteti për furnizim me antiplumba nga Policia e Kosovës.

Në vendimin e OSHP-së përmendet fakti se Policia e Kosovës por edhe kompania që është ankuar nuk ishin pajtuar me mendimin e ekspertit shqyrtues.

“Sodex Group” kishte thënë se eksperti shqyrtues nuk kishte bërë shqyrtim të pretendimeve ankimore.

Paneli Shqyrtues kishte ardhur në përfundim se Policia e Kosovës kishte rënë ndesh me Ligjin për Prokurimin Publik më saktësisht në nenet 59 dhe 60 konkretisht ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve si dhe kriteret e dhënies së kontratës.

Për të njëjtin tender KALLXO.com pati raportuar edhe në janar të vitit 2022. Kjo pasi që pas ankesave që ishin bërë për këtë tender, lënda kishte përfunduar në OSHP.

Në atë kohë OSHP kishte mbetur pa bord dhe të gjitha ankesat ishin bllokuar për një kohë.

Tetë muaj kishte zgjatur fillimisht negociata për zgjedhjen e kompanisë më të mirë për të furnizuar Policinë e Kosovës me mbi 3 mijë antiblumba, vlera e së cilave ishte parashikuar se do të kushtonin mbi 3 milionë euro.

Në qershor të vitit 2021, Policia e Kosovës kishte publikuar njoftimin për kontratë për furnizim me jelekë antiplumb, tender ky që do të kushtonte mbi 3 milionë euro.

Më 19 korrik të po të njëjtit vit, policia kishte pezulluar aktivitetin e prokurimit pas disa ankesave që kishin parashtruar disa kompani.

Operatori Ekonomik Ing Consulting sh.p.k- Prishtinë, Poligoni i Shenjtërisë Katana sh.p.k- Obiliq, Lenti dhe Armakos Group sh.p.k- Prizren, pretendonin se ishin bërë shkelje të dispozitave të Ligjit për Prokurimin Publik ndërsa Policia e Kosovës kishte refuzuar ankesat e tyre.

Tekno Ing Consulting pretendonte se Policia e Kosovës në tenderin për antiplumb kishte shkelur Ligjin për Prokurim kryesisht nenet 1,6, 7 të cilat flasin për efikasitetin, qëllimin dhe barazinë mes kompanive që aplikojnë në tenderë.

“Jelekët antiplumb janë pajisje mbrojtëse shumë specifike dhe përveç broshurave dhe raporteve, patjetër duhet që gjatë fazës së vlerësimit të ofertave të jenë edhe mostrat e antiplumbave për të vlerësuar materialin dhe thurjen balistike, peshën, dizajnin, konstruksionin dhe përveç faktit që mostra do të jetë prezentë për krahasim gjatë liferimit të mallit, mostrat do të jetë në dispozicion për t`u testuar, qëndrueshmëria balistike nëse janë prodhuar konform specifikacioneve teknike”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës ndaj ankesës së kompanisë Ing Consulting.

Poligoni i shenjtërisë “Katana” me seli në Obiliq ishte ankuar duke pretenduar se është shkelur neni 7 i Ligjit për Prokurim Publik, i cili flet për diskriminimin dhe trajtimin e barabartë në tender.

Përgjigja e policisë në këtë ankesë është se “Operatori ekonomik ka pasur kohë të mjaftueshme për të siguruar mostrat dhe rrjedhimisht vlen për të gjithë të interesuarit për ofertim në mënyrë që ofertat e tyre të jenë valide”.

Njëjtë sikurse kompania e parë ishte ankuar edhe kompania “Lenti dhe Armakos Group” me seli në Prizren.

Policia e Kosovës është përgjigjur ngjashëm sikurse ishte përgjigjur për “Ing Consulting”.

Më 29 korrik, sërish ishte pezulluar tenderi për furnizim me jelekë antiplumb. Kësaj radhe një kompani tjetër kishte ushtruar ankesë, kompania “OE GHM SHPK”.

Një ditë më vonë, policia kishte refuzuar kërkesën për rishqyrtim të kompanisë nën pretendimin se “shumë qartë është cekur pesha maksimale e lejuar për antiplumba të jashtëm dhe referimi i OE-së është cekur (BFS) nuk qëndron se ky specifikim ka të bëjë me peshën apo me specifikat e kërkuara në dosje tenderi”.

Në procesverbalin për hapjen e tenderit për antiplumbë, thuhet se në këtë tender kanë aplikuar gjithsej 7 kompani.

Më 20 tetor, Policia e Kosovës kishte marrë vendim që ta rekomandoj për kontratë grupin e kompanive e cila ishte përbërë nga 2 të tilla, për të furnizuar PK me jelekë antiplumb.

Kompanitë “Pricom  shpk” dhe “Seyntex NV” kishin ofertuar çmimin prej 2 milionë e 346 mijë eurove.

Oferta më e lirë ishte nga grupi i kompanive  “Be New LLC, Mars Armor LTD” me seli në Prishtinë, vlera e së cilëve ishte 2 milionë e 98 mijë e 250 euro.

Më 25 tetor, Policia e Kosovës sërish kishte pezulluar tenderin pas ankesave që kishte pranuar nga “Profitech shpk”, Poligoni i shenjtërisë Katana si dhe “Sodex Group & Be New LLC” në lidhje me tenderin dhe vendimin për rekomandim të kompanisë fituese.

Për shkak të ankesave që kishin parashtruar kompanitë për shkelje të disa neneve të Ligjit për Prokurimin Publik, Policia e Kosovës vendosi që të kthente lëndën në rivlerësim për të sqaruar të gjitha pretendimet e kompanive.

Më 2 nëntor Policia e Kosovës kishte anuluar rekomandimin për dhënien e tenderit për furnizim me jelekë antiplumb dhe me vendim të drejtorit të prokurimit lënda ishte rikthyer në rivlerësim.

Më 10 nëntor Policia e Kosovës zgjati afatin e validitetit të ofertave, ndërsa ditë më pas edhe sigurimin e tenderit për furnizim me jelekë antiplumb.

Në dhjetor, Policia e Kosovës kishte shpërblyer me kontratë pas zgjatjes së afatit për tender, kompaninë “Sedex Group” me seli në Prishtinë, oferta e së cilës ishte 2 milionë e 758 mijë e 950 euro nën arsyetimin se kanë dorëzuar ofertën me çmimin më të ulët për tenderin.

Më 21 dhjetor, pra pak ditë pas dhënies së kontratës, Policia e Kosovës sërish pezullon tenderin, pas ankesave të disa kompanive, përfshi edhe atyre që ishin zgjedhur paraprakisht që të furnizojnë policinë me jelekë antiplumb, pra kompanitë “Pricom shpk dhe Seyntex NV”.

Policia e Kosovës më 24 dhjetor kishte refuzuar ankesat e kompanive dhe kishte vërtetuar vendimin për dhënie të kontratës për kompaninë “Sodex Group”.

Më 5 janar 2022, Policia e Kosovës edhe njëherë ka pezulluar tenderin pas ankesave që disa kompani kanë ushtruar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Tenderi i Policisë për antiplumb bllokohet në OSHP