Tenderi i Policisë për antiplumb bllokohet në OSHP

Tenderi për blerjen e jelekëve antiplumb për zyrtarët policor është bllokuar tash e disa ditë pasi disa kompanitë ofertuese kanë shfrytëzuar mundësinë që të ankohen në Organin Shqyrtues të Prokurimit për këtë çështje.

Që nga qershori i vitit të kaluar, Policia e Kosovës ende nuk ka arritur që të blej më shumë se 3 mijë jelekë antiplumb për zyrtarë policor, tender të cilin e kishte hapur në qershor të vitit të kaluar.

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), i njohur si gjykata e tenderëve, tash e nëntë muaj ka mbetur pa bord. Që nga ajo kohë, numri i ankesave nga operatorët ekonomik në drejtim të OShP-së ka shkuar pothuajse në 600.

Tri ankesat që janë bërë gjatë kësaj periudhe janë edhe për tenderin për furnizim me jelekë antiplumb.

Ankesat sipas ueb-faqes së OSHP-së, mbajnë datën e 31 dhjetorit, ndërsa më 5 janar 2022, Policia e Kosovës ka njoftuar në E-prokurim se ka pezulluar tenderin.

Policia e Kosovës kishte planifikuar që të blejë 600 copë jelekë antiplumb të brendshëm, 2 mijë e 300 antiplumb të jashtëm dhe 350 antiplumb taktike për Njësi Speciale. Të gjitha këto antiplumba do të kushtonin 3 milionë e 799 mijë e 800 euro.

Njëri nga antiplumat për të cilat ka hapur tender Policia e Kosovës, është antiplumb i cili vishet nën rroba dhe peshon më pak se 3 kilogram gjithashtu nuk është i dukshëm, ndërsa dy llojet e tjera të antiplumave njëri 8 kilogram dhe ai për Njësitë Speciale 10 kilogram vishen mbi uniformën policore dhe janë të dukshëm.

8 muaj “negociata” për kompaninë më të mirë

Në qershor të vitit të kaluar, Policia e Kosovës kishte publikuar njoftimin për kontratë për furnizim me jelekë antiplum, tender ky që do të kushtonte mbi 3 milionë euro.

Më 19 korrik të vitit të kaluar, policia kishte pezulluar aktivitetin e prokurimit pas disa ankesave që kishin parashtruar disa kompani.

Operatori Ekonomik Ing Consulting sh.p.k- Prishtinë, Poligoni i Shenjtërisë Katana sh.p.k- Obiliq, Lenti dhe Armakos Group sh.p.k- Prizren, pretendonin se ishin bërë shkelje të dispozitave të Ligjit për Prokurimin Publik ndërsa Policia e Kosovës kishte refuzuar ankesat e tyre.

Tekno Ing Consulting pretendonte se Policia e Kosovës në tenderin për antiplumb kishte shkelur Ligjin për Prokurim kryesisht nenet 1,6, 7 të cilat flasin për efikasitetin, qëllimin dhe barazinë mes kompanive që aplikojnë në tenderë.

“Jelekët antiplumb janë pajisje mbrojtëse shumë specifike dhe përveç broshurave dhe raporteve, patjetër duhet që gjatë fazës së vlerësimit të ofertave të jenë edhe mostrat e antiplumbave për të vlerësuar materialin dhe thurjen balistike, peshën, dizajnin, konstruksionin dhe përveç faktit që mostra do të jetë prezentë për krahasim gjatë liferimit të mallit, mostrat do të jetë në dispozicion për tu testuar, qëndrueshmëria balistike nëse janë prodhuar konform specifikacioneve teknike”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës ndaj ankesës së kompanisë Ing Consulting.

Poligoni i shenjtërisë “Katana” me seli në Obiliq ishte ankuar duke pretenduar se është shkelur neni 7 i Ligjit për Prokurim Publik, i cili flet për diskriminimin dhe trajtimin e barabartë në tender.

Përgjigja e policisë në këtë ankesë është se “Operatori ekonomik ka pasur kohë të mjaftueshme për të siguruar mostrat dhe rrjedhimisht vlen për të gjithë të interesuarit për ofertim në mënyrë që ofertat e tyre të jenë valide”.

Njëjtë sikurse kompania e parë ishte ankuar edhe kompania “Lenti dhe Armakos Group” me seli në Prizren.

Policia e Kosovës është përgjigjur ngjashëm sikurse ishte përgjigjur për “Ing Consulting”.

Më 29 korrik, sërish ishte pezulluar tenderi për furnizim me jelekë antiplumb. Kësaj radhe një kompani tjetër kishte ushtruar ankesë, kompania “OE GHM SHPK”.

Një ditë më vonë, policia kishte refuzuar kërkesën për rishqyrtim të kompanisë nën pretendimin se “shumë qartë është cekur pesha maksimale e lejuar për antiplumba të jashtëm dhe referimi i OE-së është cekur (BFS) nuk qëndron se ky specifikim ka të bëjë me peshën apo me specifikat e kërkuara në dosje tenderi”.

Në procesverbalin për hapjen e tenderit për antiplumbë, thuhet se në këtë tender kanë aplikuar gjithsej 7 kompani.

Më 20 tetor, Policia e Kosovës kishte marrë vendim që ta rekomandoj për kontratë grupin e kompanive e cila ishte përbërë nga 2 të tilla, për të furnizuar PK me jelekë antiplumb.

Kompanitë “Pricom  shpk” dhe “Seyntex NV” kishin ofertuar çmimin prej 2 milionë e 346 mijë eurove.

Oferta më e lirë ishte nga grupi i kompanive  “Be New LLC, Mars Armor LTD” me seli në Prishtinë, vlera e së cilëve ishte 2 milionë e 98 mijë e 250 euro.

Më 25 tetor, Policia e Kosovës sërish kishte pezulluar tenderin pas ankesave që kishte pranuar nga “Profitech shpk”, Poligoni i shenjtërisë Katana si dhe “Sodex Group & Be new LLC” në lidhje me tenderin dhe vendimin për rekomandim të kompanisë fituese.

Për shkak të ankesave që kishin parashtruar kompanitë për shkelje të disa neneve të Ligjit për Prokurimin Publik, Policia e Kosovës vendosi që të kthente lëndën në rivlerësim për të sqaruar të gjitha pretendimet e kompanive.

Më 2 nëntor Policia e Kosovës kishte anuluar rekomandimin për dhënien e tenderit për furnizim me jelekë antiplumb  dhe me vendim të drejtorit të prokurimit lënda ishte rikthyer në rivlerësim.

Më 10 nëntor Policia e Kosovës zgjati afatin e validitetit të ofertave, ndërsa ditë më pas edhe sigurimin e tenderit për furnizim me jelekë antiplumb.

Në dhjetor, Policia e Kosovës kishte shpërblyer me kontratë pas zgjatjes së afatit për tender, kompaninë “Sedex Group” me seli në Prishtinë, oferta e së cilës ishte 2 milionë e 758 mijë e 950 euro nën arsyetimin se kanë dorëzuar ofertën me çmimin më të ulët për tenderin.

Më 21 dhjetor, pra pak ditë pas dhënies së kontratës, Policia e Kosovës sërish pezullon tenderin, pas ankesave të disa kompanive, përfshi edhe atyre që ishin zgjedhur paraprakisht që të furnizojnë policinë me jelekë antiplumb, pra kompanitë “Pricom shpk dhe Seyntex NV”.

Policia e Kosovës më 24 dhjetor kishte refuzuar ankesat e kompanive dhe kishte vërtetuar vendimin për dhënie të kontratës për kompaninë “Sodex Group”.

Më 5 janar 2022, Policia e Kosovës edhe njëherë ka pezulluar tenderin pas ankesave që disa kompani kanë ushtruar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Ankesat e kompanive për jelekë antiplumb në OSHP

Organi Shqyrtues i Prokurimit tash e nëntë muaj është pa bord, ndërsa qindra ankesa janë ushtruar nga kompani të ndryshme në lidhje me tenderët e hapur nga ana e institucioneve në Kosovë.

Vetëm gjatë vitit 2021, për tenderët e hapur nga Policia e Kosovës, janë ushtruar 32 ankesa në OSHP. Dy nga to kanë përfunduar, të cilat janë trajtuar në fillim të vitit kur edhe bordi ishte funksional ndërsa 30 ankesa të kompanive janë ende në proces.

Më 31 dhjetor kompania “Pricom Shpk” kishte ushtruar ankesë për tenderin e policisë për furnizim me jelekë antiplumb.

Kjo kompani është ankuar pasi që fillimisht ishte rekomanduar që t’i jepet kontrata e që pas ankesave të kompanive të tjera, Policia e Kosovës kishte eliminuar ofertën e tyre.

Të njëjtit sipas ankesës, kishin refuzuar edhe kërkesën për rishqyrtim ndërsa kompania “Pricom” pretendon se në këtë rast janë shkelur disa dispozita të Ligjin për Prokurimin Publik, më saktësisht neni për efikasitetin, barazinë në trajtim të ofertuesve, ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve si dhe nenin i cili parasheh dokumentacionet dhe informacionet shtesë.

“Në letrën standarde për tenderuesin e eliminuar, AK njofton se ka eliminuar ofertën tonë për arsyet e mëposhtme: Antiplumb i brendshëm: Testet balistike për pjesët e buta të antiplumbit të brendshëm janë bërë me llojin e municionit 44 mag 240 sjph dhe jo me llojin e municionit 44 mag 240 jhp siç është kërkuar”, thuhet në ankesën e kompanisë “Pricom”.

Kompania ka pretenduar se kanë dëshmi që kanë kërkuar nga një shkollë ushtarake i cili kishte konfirmuar se plumbat 44 jhp dhe 44 sjhp mund të konsiderohet se kanë efekt identik në vlerësimin e traumës së shkaktuar pas mbrojtjes.

Te refuzimi i kërkesës për rishqyrtim Policia e Kosovës sipas kompanisë “Pricom”, ka insistuar se dallimi mes JHP dhe SJHP është se e para është më depërtuese.

Tutje në ankesën e kompanisë në OSHP, përmenden edhe disa specifika të tjera teknike për të cilat kompania pretendon se nuk janë bërë të ditura dhe se janë në rregull me atë që kanë ofruar për Policinë e Kosovës.

Një ankesë tjetër është edhe e kompanisë “Be New LLC”. Kjo kompani kishte ofertuar një çmim 660 mijë e 700 eurove më të vogël se kompania “Pricom”.

“Be New LLC” pretendon se me këtë rast, Policia e Kosovës ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik.

“AK ka vepruar në kundërshtim me nenin 1 pasi nuk ka arritur që të siguroj mënyrën më efikase më transparente dhe më të drejtë të shfrytëzimit të fondeve publike, burimeve publike si dhe të gjitha fondeve dhe burimeve të tjera të AK, ndërsa për ofertën tonë janë të theksuara edhe si element përjashtues edhe përmbajtja e tekstit të katalogut me qenë e njëjtë me kërkesat e tekstit të kërkesave edhe përkundër faktit që ka çmim prej 660 mijë e 700 eurove më shtrenjtë se sa oferta jonë”, thuhet në ankesën e “Be New LLC”.

Edhe në ankesën e kësaj kompanie përshkruhen në detaje pretendimet e tyre se Policia e Kosovës ka shkelur disa dispozita ligjore me specifikat teknike të shpallura në tenderin për antiplumba.

Ankesa e tretë është nga kompania “Profitech shpk” e cila kishte ofertuar si grup operatorësh çmimin prej 2 milionë e 417 mijë e 171 eurove për antiplumba.

Në arsyetim, kjo kompani pretendon se në letrën standarde të Policisë së Kosovës për tenderuesin e eliminuar nuk i është përmbajtur asnjë pretendim të vërtetë.

“Asnjë prej pikave të pretendimeve nga ana e komisionit vlerësues të AK “Policia e Kosovës” nuk qëndrojnë”, thuhet në ankesë.

Edhe në këtë ankesë janë numëruar një numër i madh specifikash teknike të cilat kompania pretendon se nuk janë vendosur apo nuk janë ofruar nga kompanitë që janë rekomanduar për dhënie të tenderit.

Në lidhje me jelekët antiplumb të Policisë së Kosovës, KALLXO.com ka raportuar edhe më parë.

Në shtator të vitit të kaluar, KALLXO.com pati siguruar një dokument të Gjykatës së Apelit i cili obligon Policinë e Kosovës që të pranoj disa antiplumba të një kompanie të cilën e kishte lidhur kontratë e pastaj e kishte shkëputur.

Shkëputja e kësaj kontratë sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë është bërë në mënyrë të jashtëligjshme ndërsa pas vërtetimit të fakteve për këtë çështje, Policia e Kosovës obligohet që të pranoj të gjitha mallrat të cilat janë prodhuar në kuadër të kontratës dhe urdhërblerjes për furnizim me jelekë antiplumb.

Madje sipas vendimit të datës 27 korrik 2020 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Policia e Kosovës duhet t’ia paguaj kompensimin e përgjithshëm kompanisë ALL-Zone në shumën prej 1 milion e 628 mijë e 559 euro së bashku me kamatëvonesën sipas normës vjetore 8 përqind e cila është llogaritur nga data 11 prill 2019, gjithashtu PK duhet të paguaj shpenzimet procedurale të gjykatës në blerë prej 4 mijë e 761 euro.

Vlera totale e blerjes së jelekëve antiplumb në atë kohë ka qenë 1 milion e 394 mijë e 560 euro ndërsa shuma e sigurimit të tenderit ka qenë 159 mijë e 180 euro.

Policia obligohet t’ia pranoj jelekët antiplumb kompanisë që ia shkëputi kontratën në vitin 2019