Isometric gas station horizontal banner with oil tank and car with worker and editable text button vector illustration

Frikë nga ndërprerja e gazit rus - gjermanët përgatiten për dimër të ftohtë

Rusia po furnizon gjithnjë e më pak gaz për Gjermaninë. Tani tubacioni “Nord Stream” po mbyllet për mirëmbajtje dhe askush nuk e di me siguri nëse do të kthehet përsëri në funksion. Kremlini po e përdor gazin për të ushtruar ndikim në Gjermani.

Shumë qiramarrës në Gjermani po pranojnë letra të pakëndshme këto ditë. Ndërkohë që çmimet e energjisë rriten në mënyrë dramatike, pronarët dhe kompanitë e menaxhimit të pronave po e rrisin tarifën mujore për kostot e ngrohjes. Një kompani banesash në Berlin njofton një rritje 100 për qind të çmimeve të ngrohjes për apartamentet që ngrohen me gaz ose naftë.

Nuk është e qartë nëse kjo do të jetë e mjaftueshme. Çmimet e larta të energjisë kanë një ndikim të vonuar sepse paradhëniet nuk kompensohen me kostot aktuale të bëra deri në fund të vitit.

“The GdW”, një shoqatë që përfaqëson 3,000 kompani strehimi, ka llogaritur se çdo familje do të duhet të buxhetojë deri në 3,800 euro më shumë për energjinë në vitin e ardhshëm.

Trazirat e mundshme sociale

Ky shtrenjtim i gazit përfaqëson një problem real për njerëzit me të ardhura të ulëta ose të mesme, paralajmëroi një shoqatë e kooperativave të strehimit në shtetin e Saksonisë.

“Ne po flasim për jetesën e familjes. Politikanët më në fund duhet ta kuptojnë këtë,” thuhet në një deklaratë.

Nuk është vetëm rritja e çmimeve të energjisë që po i rëndon njerëzit. Inflacioni po prek pothuajse gjithçka. Kancelari gjerman, Olaf Scholz e ka bërë tashmë të qartë se asnjë shtet në botë nuk do të jetë në gjendje ta përthithë ortekun e afërt të kostove.

“Nuk do të mund t’i subvencionojmë të gjitha çmimet”, ka deklaruar kancelar Scholz. Ndërkohë, ministri i Ekonomisë Robert Habeck u ka kërkuar gjermanëve të kursejnë energji gjatë javëve të fundit.

Grupi më i madh i pasurive të paluajtshme në Gjermani, Vonovia, po planifikon ta ulë temperaturën e paracaktuar në ndërtesat me ngrohje me gaz në një temperaturë dhome prej 17 gradë Celsius gjatë natës, e cila vlerëson se do ta reduktojë konsumin me 8%. Ngrohja gjatë ditës do të vazhdojë si zakonisht. Furnizimi me ujë të ngrohtë nuk do të ndikohet dhe nuk do të ketë kufizime për dush apo banjë, shtoi ai.

Por gjërat duken ndryshe në Dippoldisëalde. Në këtë qytet të vogël në Saksoni, një shoqatë banesash kohët e fundit i informoi qiramarrësit e saj se në të ardhmen do të ketë ujë të nxehtë vetëm në mëngjes herët, në mesditë dhe në mbrëmje. Banorëve u është thënë se “Siç është paralajmëruar në mbledhjen e përgjithshme, tani duhet të kursejmë për dimrin”.

Kjo situatë ka shkaktuar një diskutim emocional në rrjetet sociale. Ministrja Federale e Ndërtimit Klara Geyëitz nxitoi t’i quajë këto paralajmërime për kufizime si të paligjshme. Shoqata Gjermane e Qiramarrësve gjithashtu theksoi se mungesa e ujit të ngrohtë është arsye për uljen e qirasë.

Shoqata e banesave e cila është prekur nga ky shtrenjtimrefuzon të pengohet. Qiramarrësit kanë treguar mirëkuptim të madh, tha një anëtar i bordit. Ai tha se është i lumtur që ka nisur një debat, edhe nëse kompania tani po abuzohet në internet. “Njerëzit tashmë janë shumë përpara politikanëve në Berlin,” tha anëtari i bordit për agjencinë e lajmeve DPA.

Pamje e zbehtë e Nord Stream

Në Ministrinë e Ekonomisë, ajri i kondicionuar është fikur javë më parë, ndërsa në vjeshtë do të përdoret më pak ngrohje. Kjo mund të bëhet edhe në ministritë e nivelit shtetëror dhe agjencitë e tjera qeveritare, tha ministri Habeck të premten në Bundesrat, dhomën parlamentare që përfaqëson shtetet e Gjermanisë.

Fakti është se varësia e Berlinit nga gazi rus është nënvlerësuar për një kohë të gjatë. Pjesa më e madhe e tij rrjedh përmes gazsjellësit Nord Stream, i cili sjell gaz natyror përmes Detit Baltik direkt në Gjermani. Në vitin 2021, pjesa e furnizimeve me gaz rus ishte 55%; aktualisht është 35%, sipas Ministrisë së Ekonomisë.

Rusia e ka reduktuar në mënyrë drastike furnizimin, duke përmendur një turbinë të munguar me gaz nga kompania gjermane Siemens që po riparohet në Kanada, por ka ngecur atje për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë.

Nord Stream do të mbyllet plotësisht për mirëmbajtje sot, e hënë. A do ta rikthejnë rusët tubacionin pas dhjetë deri në 14 ditëve të planifikuara? “Nëse turbina vjen pas riparimit, atëherë kjo do të lejojë një rritje të vëllimit,” thotë Kremlini, përpara se të këmbëngulë që Rusia të mos përdorë gazin e saj si një mjet presioni politik.

Nuk ka gaz gjatë dimrit?

Kjo është pikërisht ajo që ka frikë qeveria gjermane. Në Berlin shpresojnë për më të mirën, por po përgatiten për më të keqen. Tashmë po miratohen ligje për t’i zbutur pasojat e mungesës dhe ndikimin e rritjes së çmimeve të energjisë.

Ligji i Sigurisë së Energjisë përcakton që në të ardhmen më shumë termocentrale me qymyr mund të përdoren për të prodhuar energji elektrike në vend të termocentraleve me gaz, në mënyrë që gazi të përdoret për ngrohje. Më parë, qymyri duhej të reduktohej në mënyrë të qëndrueshme për shkak të të mbrojtjes së klimës.

Nga ana tjetër, do të jetë më e lehtë për kompanitë energjetike të marrin ndihmë federale. Një prej tyre është Uniper: Që nga mesi i qershorit, furnizuesi i energjisë, i cili është më i varur nga furnizimet me gaz rus se çdo tjetër, ka marrë vetëm 40% të gazit të garantuar kontraktualisht nga Gazprom i Rusisë dhe i është dashur të blejë sasi të konsiderueshme zëvendësuese me çmime më të larta në tregun botëror.

Kjo e ka futur kompaninë në një situatë të pasigurt financiarisht, prandaj Uniper tani ka kërkuar ndihmë financiare nga shteti. Flitet për një subvencion shtetëror prej 9 miliardë eurosh, të ngjashme me paratë e dhëna për linjën ajrore Lufthansa në kulmin e krizës së koronavirusit. Kur Lufthansa u rimëkëmb, qeveria ishte në gjendje t’i shiste sërish aksionet e saj dhe madje edhe të përfitonte.

A po afrohet një krizë e rëndë ekonomike?

Numri i shoqërive në vështirësi financiare po rritet pothuajse çdo ditë.

“Vendi ynë mund të jetë duke shkuar drejt krizës më të keqe ekonomike që nga themelimi i Republikës Federale të Gjermanisë,” tha Friedrich Merz, lideri i partisë më të madhe opozitare, Unioni Kristian Demokrat i qendrës së djathtë (CDU), e cila ishte partia në pushtet e Gjermanisë për 16 vite nga betimi i qeverisë së re në dhjetor. Merz tha se Gjermania po përjetonte normën e saj më të lartë të inflacionit në 30 vjet dhe shtoi se, për herë të parë në dekada, bilanci i tregtisë po kthehet në mënyrë që vendi po importon më shumë mallra sesa po eksporton. Kompanitë gjermane po kërcënohen me humbje të konkurrencës ndërkombëtare, përfundoi ai.

Në një studim të botuar në fund të qershorit, instituti i kërkimit ekonomik Prognos shqyrtoi pasojat e një ndalimi të plotë të furnizimeve me gaz rus, që do të thotë se Gjermanisë do t’i duhej të mjaftonte me furnizimet nga vendet e tjera dhe vëllimet e gazit që ajo tashmë ka ruajtur deri më tani.

Studimi zbuloi se, pas katër javësh, nuk do të ketë më gaz të mjaftueshëm për të gjithë. Meqenëse, sipas ligjit, do të vazhdonin të furnizoheshin familjet private, shërbimet sociale dhe furnizuesit e ngrohjes qendrore, ndalimi do ta prekte kryesisht industrinë. Sektorë të tillë si çeliku, hekuri i papërpunuar, kimikatet dhe qelqi do të goditeshin veçanërisht rëndë, me prodhimin që pritet të bjerë me rreth 50%.

Dhe e gjithë ekonomia do të prekej. Prognos vlerësoi se, nëse furnizimet me gaz rus do të dështonin, prodhimi ekonomik i Gjermanisë mund të bjerë me 12.7% deri në fund të vitit./DW