Ilustrim

Frika nga Arrestimet në Serbi

Sindikalisti i metalistëve të Kosovës, Hasan Abazi ishte arrestuar për spiunim të supozuar të kryer në vitin 1999, gjatë kohës së Millosheviqit, dhe Adem Murseli nën akuzat për drogë.

Sindikalisti 65 vjeçar tani është në paraburgim 30 ditor në Vranje të Serbisë. Gazeta JnK ka kuptuar se ai mund të deklarohet si një i burgosur i ndërgjegjes nga Amnesty International.

Ministri i brendshëm serb, Ivica Daçiq ka pranuar se arrestimet ishin si një përgjigje direkte për arrestimet e mëhershme të serbëve në Kosovë. 

Më 26 shkurt, policia ka arrestuar gjashtë serbë të Kosovës të cilët punonin për MPB-në serbe në Gjilan.

Katër prej tyre, u arrestuan për shkelje të “rendit kushtetues të Kosovës” dhe dyshoheshin për organizimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë, dhe janë akuzuar për nxitje të urrejtjes dhe jo-tolerancës.

Në këtë arrestim është përfshirë kryetari i Vitisë, të strukturave paralele serbe, Sreçko Spasiq, dy punëtorët e tij, dhe një polic nga Ferizaj. Ata gjinden nën arrestin shtëpiak. 

Më 27 mars, policia e Kosovës ka arrestuar edhe pesë serbë të tjerë të cilëve iu janë gjetur 38 kopje të gazetave të emëruara si “Srpske Novine”. Këto gazeta janë shtypur në Kanada dhe ishin përshkruar si ‘material Çetnik’. Të gjithë përveç njërit janë liruar. 

Më 28 mars, policia arrestoi Jovica Balosheviqin, një zyrtar i postës serbe, nga fshati Mogilë, afër Gjilanit, duke bartur postën serbe në Kosovë. Edhe ai është liruar.

Në anën tjetër, me 28 mars, policia kufitare serbe arrestoi dy kosovarët, Hasan Abazi dhe Adem Murseli, tek pikë kalimi kufitar afër Gjilanit. 

Me 31 mars, policia serbe arrestoi dy policët kosovarë afër kufirit me Merdaren. Ministri Daçiq, gjatë një konference për shtyp paraqiti fotografitë e policëve me fytyrë te poshtë e të rrethuar nga xhandarmëria serbe.

Arrestimet Ndalin Udhëtimet në Serbi

Një OJQ kosovare, që ka program shkëmbimin kulturor ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i tha gazetës JnK se ka pezulluar udhëtimin për Beograd pas arrestimeve.

“Kemi pasur një vizitë të planifikuar për në Beograd me një grup të Kosovarëve Shqiptarë, të cilën e kemi pezulluar për shkak të arrestimeve të fundit,” një zyrtar i OJQ-së i tha Gazetës, i cili nuk deshi të identifikohej.

Individët po ashtu janë duke ri-menduar planet e udhëtimit. Ylli Dragaj, 22 vjeçar, student i shkencave kompjuterike, tha se kishte konsideruar mundësitë e tij për të udhëtuar në Serbi me letërnjoftimin e tij të Kosovës deri në arrestime.

“Prej se kanë filluar arrestimet situata është bërë më e vështirë dhe çështja kryesore mbetet siguria,” tha ai.

“Askush nuk mund të më garantoj sigurinë nëse unë shkoj në Serbi. Mendoj se ky problem është bërë edhe më keq në pesë deri në gjashtë vitet e fundi.”

“Madje është e rrezikshme për të udhëtuar edhe brenda në Kosovë, deri në veri të Mitrovicës, e mos të flasim për të shkuar në Serbi, ku mund të arrestojnë në çdo kohë,” tha Dragaj.

Nezir Çollaku, pronar i një biznesi të vogël në Prishtinë, tha se ka punuar me vite të tëra në Serbi para luftërave të 90’-s. “Por, prej atëherë nuk kam udhëtuar pasi që besoj se nuk është e sigurt.”

“Ata mund të arrestojnë në çdo kohë me ndonjë pretekst të gabuar dhe të fusin në burg,” tha ai. 

Naim Rashiti, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave tha se ishte e qartë se marrëveshja për lirinë e lëvizjes nuk ishte duke u zbatuar në mënyrë të duhur.

“Marrëveshjet do të implementohen vetëm si rezultat i presionit ndërkombëtar. Duhet te arrijmë në një fazë ku marrëveshjet implementohen si rezultat i një shprehje të vullnetit të mirë. Kjo nuk do të ndodh shpejt,” tha ai.

“Arrestimet e qytetarëve dhe vonesat e qëllimshme në kufi po minimizojnë vlerën e marrëveshjes dhe nëse i referohemi gjendjes së sotme, forma e implementimit të marrëveshjes në fakt ka vështirësuar lëvizjen e qytetarëve.”

Natasha Kandiq, kryesuese e OJQ-së me seli në Serbi “Fondi për të Drejtën Humanitare” beson se kosovarët e tjerë mund të arrestohen nëse ata kalojnë në Serbi. 

Qeveria e Serbisë ka nxjerrë një amnisti në vitin 2001 duke anuluar akuzat të cilat ishin ngritur në regjimin e Millosheviqit kundër Shqiptarëve të Kosovës për veprimtari armiqësore në vitet 1999 dhe 2001.

Por Kandiq beson se disa nga këto akuza dhe fletë arreste nuk ishin shlyer kurrë. “Disa akuza nuk janë anuluar sepse procedimet kundër njerëzve ishin bërë në mungesë të tyre,” tha ajo.

“Këto akuza dhe fletë arrestime mund të aktivizohen kurdoherë që disa ministra vendosin të cilët mendojnë se kanë arsye për ti aktivizuar ato,” shtoi ajo. 

“Autoritetet Serbe deshën të tregojnë ‘fuqinë’. Nuk jam e sigurt se çfarë fuqie është duke u demonstruar këtu,” vazhdoi Kandiq, duke iu referuar arrestimeve. 

“Është e qartë se arrestimi i Hasan Abazit ishte një arrestim politik dhe është një turp nga ministri i drejtësisë i cili nuk ka reaguar.”

Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut të Serbisë, beson se Ministri Daçiq ka urdhëruar arrestimin për të fituar vota nacionaliste të 6 majit, kur zgjedhjet presidenciale, të përgjithshme dhe ato lokale janë caktuar. 

Arrestimet janë bërë për shkak të zgjedhjeve – kjo është strategji e Daçiqit,” tha Biserko.

“Partia Demokratike nuk ka reaguar sepse Socialistët mund të jenë përsëri partnerët e tyre të koalicionit pas zgjedhjeve,” shtoi Biserko.