Dështon Zgjedhja e dy Gjyqtarëve të Kushtetueses
Në raundin e dytë nga kandidatët për Gjykatën Kushtetuese më së shumti vota mori Safet Hoxha, shefi i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, i cili u votua me 61 vota.
Gresa Caka- Nimani mori 57 vota, Selvete Gërxhaliu 48 vota dhe Hashim Çollaku 13 vota.
Fillimisht për pozitën e dy gjyqtarëve për Gjykatën Kushtetuese në garë ishin gjashtë kandidatë, por pas votimit të parë të deputetëve u eliminuan Remzie Istrefi- Peci dhe Zef Prendrecaj, drejtor i Zyrës së Prokurorit Disiplinor.
Pas grumbullimit të votave, deputeti Hajdar Beqa nga PDK-ja njoftoi për rezultatin përfundimtar.
“Asnjëri nga kandidatët nuk i kanë fituar votat e nevojshme për t’ia propozuar Presidentes,” tha Beqaj.
Në qershor KALLXO.com-i shkroi për notimin që Komisioni Parlamentar për Përzgjedhjen e Kandidatëve për Gjykatë Kushtetuese u bëri këtyre gjashtë personave.
Ndërsa Gazeta Jeta në Kosovë më 3 qershor hulumtoi të kaluarën e këtyre kandidatëve.
Safet Hoxha i kandiduar për gjyqtar kishte të kaluar politike duke qenë pjesë e PDK- së, ndërsa Selvete Gërxhaliu kishte konkurruar në zgjedhjet e vitit 2014 për deputete të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ajo nuk kishte arritur të mbledhë vota për të qenë ligjvënëse e legjislaturës së pestë në Kosovë.