CNN Heq “Newporn”-in nga Reklama

Me ndërhyrjen e Ministrisë kosovare të Tregtisë dhe Industrisë, rrjeti televiziv amerikan CNN ka përmirësuar “gabimin” në reklamën për Kosovën, e cila po shfaqet në katërvjetorin e pavarësimit.

Në versionin, i cili është transmetuar gjatë ditës së djeshme në CNN, në sekondën e 11-të shfaqet obilesku “Newborn”, por shkronja “B” është e ngjyrosur dhe duket si “P”. Kjo ka bërë që simboli i pavarësisë së Kosovës, të “shndërrohet” në “Newporn”, duke nxitur reagimin, së pari të ideatorit të kësaj vepre, Fisnik Ismajli, por edhe të shumë qytetarëve të tjerë.

Ka pasur kosovarë, që kanë shkruar në Facebook, duke ironizuar se vendi i tyre, tani i bën të ndihen shumë seksi.

Pas raportimeve në media, ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, kishte premtuar se do të ndërhyjë për të rregulluar gabimin.

Ndërkaq sot në faqen e saj në Facebook, ministrja Kusari-Lila ka bërë të ditur se gabimi është eliminuar.

“Ashtu sikur premtuam, korrigjimi ne reklamën e CNN për 4-vjetorin e pavarësisë u realizua dhe linkun me korrigjim po ua përcjell të bashkangjitur. Ju falënderoj të gjithëve për komentet, reagimet, mbështetjen dhe kritikat. Të gjitha kontribuojnë në përmirësimin e performancës tonë si Ministri dhe rrjedhimisht në të mirë të Kosovës”, ka shkruar ministrja.
 
Zëdhënësja e MTI, Arta Istrefi, ka thënë për mediat se “lëshimi teknik”, është bërë për shkak të shpejtësisë me të cilën është punuar reklama. “Ne i kemi shkruar CNN-it dhe lëshimi teknik në reklamë do të rregullohet me urgjencë”, ka shtuar ajo.
 
Reklama është punuar nga CNN Tunner Commercial Production. “Pjesa e shkronjës B është e ngjyrosur me të zezë, e kur është punuar ka dal me dritë të kaltër. Na ka ikur ky detaj, i cili do të rregullohet shumë shpejt”, i ka thënë Istrefi, Telegrafit.

17 shkurt 2008

Instalacioni metalik me shkronja, i vendosur para Pallatit të Rinisë në Prishtinë, ishte zbuluar pikërisht në Ditën e Pavarësisë – më 17 Shkurt 2008. Të parët që i kishin vënë nënshkrimet në të, kishin qenë kryeministri Hashim Thaçi dhe presidenti i atëhershëm, Fatmir Sejdiu,

Simboli i pavarësisë, më saktësisht këmba e shkronjës “B” ishte ngjyrosur me të zezë, nga persona të panjohur, duket për qëllime “rrengu”, duke bërë që fjala “Newborn” (I Porsalindur) të duket si “Newporn” (që nxit asociacione se Kosova është vend i seksit).

Më vonë “B”-ja është ringjyrosur, por në videon në CNN, është shfaqur një sekuencë pikërisht nga ajo kohë.

Për reklamimin në CNN, Qeveria e Kosovës mori vendim para disa ditësh që të ndajë 1 milion euro. Qeveria ka shpjeguar se përveç spotit të parë që ka nisur të shfaqet me rastin e 4-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, do të jenë edhe disa spote të tjera gjatë tërë vitit, qëllimi i të cilave thuhet se do të jetë tërheqja e investimeve në Kosovë.

Kreatori i monumentit “Newborn”, Fisnik Ismajli, ekspert i fushës së reklamimit, në një letër publike drejtuar ministres Kusari-Lila, ka shkruar se asnjë fushatë në botë, me buxhet prej 1 milion eurosh, nuk realizohet për 7 ditë.

Fisnik Ismaili

Ismajli ka “zbuluar” se nga 11 kuadrot që ka reklama, 6 nga to as që janë bërë në Kosovë, por janë “stock footage”, të cilat janë blerë të gatshme në internet, kurse skenat nga Kosova janë fotografi të gatshme.

Ismaili ka treguar se më 10 shkurt 2012 është kontaktuar me e-mail nga dikasteri i ministres Kusari-Lila, me kërkesën për të dërguar urgjentisht brenda ditës, fotografi me të drejta të autoriale të monumentit “Newborn”.

“Meqë unë isha atë ditë gjithë ditën i angazhuem në homazhin për Mon Balajn edhe Arben Xheladinin, nuk e pata mundësinë me i sigurue të drejtat autoriale prej fotografëve me kohë. Po të mos ishte ba kjo reklamë për ngut, ndoshta edhe nuk kish me ndodhë ky gabim”. Por Ismaili shton se në internet ka me qindra foto të “Newborn”-it, si në Flickr për shembull, ku personat përgjegjës për fushatën kanë pasur mundësi të marrin një foto më adekuate të monumentit.

Ismaili, i cili është themelues i përfaqësisë në Prishtinë i agjencisë së njohur të reklamimit në botë, Ogilvy | Karrota, ka kritikuar krejt fushatën e Qeverisë për reklamim në CNN. “Synimi i fushatës është gjëja e parë edhe më e rëndësishme e secilës fushatë, e cila gjithmonë duhet me e justifikue arsyen se pse po bahet, çfarë qëllimi ka, për kë po bahet (audienca) edhe çfarë rezultatesh pritet me pasë”, shprehet ai.

“Cilit ‘ekspert’ i ka shkue mendja se ma i randësishëm është numri i transmetimeve në CNN dhe ‘çmimi i ulët i sekondave’, sesa cilësia e video reklamës që ka me u transmetue? A e di ai person se një video reklamë e keqe, e transmetueme shpesh ka efekt ma negativ, sesa një reklamë e mire, e transmetueme ma rrallë”, pyet Ismaili, në letrën publike drejtuar ministres Kusari-Lila.

Versioni i transmetuar më 15 shkurt në CNN:

<iframe width=”480″ height=”360″ src=”http://www.youtube.com/embed/BAZckpF0mPc” frameborder=”0″ allowfullscreen></iframe>

Versioni i përmirësuar:

<iframe width=”480″ height=”360″ src=”http://www.youtube.com/embed/G3peoTjptzo” frameborder=”0″ allowfullscreen></iframe>