Çka ndodhi e çka u tha dje për takimet në Bruksel për çështjen e targave

Mëngjesin e djeshëm i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak zhvilloi takime të ndara me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe me kryenegociatorin serb Petar Petkoviq, e pasdite ai takoi të dy kryenegociatorët.

Në takim Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e BE-së kanë diskutuar për arritjen e një marrëveshjeje për targat, gjë për të cilën serbët janë duke protestuar për më shumë se 10-ditë në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje.

Pas takimit trepalësh, për media u deklarua zëvendëskryeministri Bislimi, i cili tha që janë dakorduar për një draft marrëveshje, duke theksuar se pala serbe ende nuk është pajtuar për të gjitha pikat.

“Për momentin, kjo marrëveshje ka mbetur të pranohet edhe nga pala serbe e cila ka vërejtje në mënyrën e trajtimit të veturave me KM, për të cilat ka besuar apo kërkuar se do duhej trajtim i privilegjuar. Ne shpresojmë që delegacioni i Serbisë do të bindet për tekstin e marrëveshjes pa asnjë ndryshim të mëtejmë dhe në momentin e dakordimit, mund të themi se kemi një marrëveshje valide”, ka shkruar Bislimi në facebook.

Ndonëse Bislimi tha që janë dakorduar për një draft-marrëveshje, negociatat pritet të vazhdojnë edhe sot në Bruksel.

3 pikat e draft-marrëveshjes për targat

1. Të shtunën më datën 2 tetor, forcat e KFOR do të vendosen në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe disa orë pas vendosjes së tyre, do të fillohet me largimin e barrikadave dhe njëkohësisht edhe me zhvendosjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës. Njësitë e KFOR do të qëndrojnë në vendkalimet kufitare afërsisht dy javë dhe mund të largohen nga vendkalimet pastaj në rast të qetësimit komplet të situatës.

2.Me datën 4 tetor, në ora 08:00 të mëngjesit do të filloj zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës. Rrjedhimisht nga dita e hënë parashihet që asnjë qytetarë i Kosovës dhe Serbisë nuk do ketë më nevojë të vendosë tabela të përkohshme gjatë kalimit në territorin e shtetit tjetër.

3.Do të krijohet një grup punues me objektiv gjetjen e zgjidhjes përfundimtare rreth targave, bazuar në standarded dhe praktikat e BE-së. ky grup do ketë 6 muaj kohë për të mundësuar kalimin në zgjidhjen e përhershme, me çka edhe kufizohet afati i zbatimit të sistemit me afishe.

Përparim pa marrëveshje

Ndonëse zëvendëskryeministri Bislimi deklaroi se është arritur një marrëveshje, Bashkimi Evropian, SHBA-të dhe Serbia deklaruan se nuk ka arritje të marrëveshjes por vetëm përparim në negociata.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha negociatat për të gjetur një zgjidhje për krizën në veri të Kosovës.

“Takimi i kryengociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel i lehtësuar nga i deleguari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, ende nuk ka mbaruar. Negociatat vazhdojnë për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale në veri të Kosovës”, ka shkruar Stano në Twitter.

Një deklaratë të ngjashme e kanë dhënë edhe SHBA-të, duke theksuar se ka përafrim por duhet ende negociata.

I ngarkuari me punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Nicholas Giacobbe ka thënë që ende ka punë për t`u bërë.

“Negociatat në Bruksel vazhdojnë. Ka pasur progres, por duhet ende punë. Ne inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë të angazhohen hapur dhe seriozisht”, ka shkruar ai në tëitter.

Delegacioni serb në këtë takim, kishte deklaruar për Tanjug, se ka përfunduar takimi por nuk ka marrëveshje.

Që nga 20 shtatori në Jarinjë dhe Bërnjak janë duke protestuar qytetarët serb të cilët kanë vendosur edhe tenda aty. Për siguri është duke u përkujdesur njësia speciale e Kosovës, ndërsa KFOR ka shtuar patrullimet në këto pikë.

Qytetarët serb po kundërshtojnë vendimin qeverisë së Kosovës sipas të cilit, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës. Shoferët të cilët kanë automjete me targa të lëshuara nga Serbia, me të hyrë në Kosovë duhet të paguajnë pesë euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në vitin 2011, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Në vitin 2016, po ashtu ishte arritur pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel që automjetet me targa ‘KS’ të vazhdonin të jenë në qarkullim edhe për një afat prej pesë vjetësh, pra deri më 14 shtator të këtij viti, kur edhe ka skaduar kjo marrëveshje.