Burgu- muze në Shkodër mban gjallë kujtime të terrorit komunist

Një ish-burg në qytetin verior të Shkodrës i është kushtuar përjetësimit të kujtesës së shumë krimeve të ish-regjimit komunist shqiptar, pjesërisht për t’u siguruar që ato s’do të ndodhin më kurrë.

 

Në një ndërtesë të zakonshme në qendër të Shkodrës, në veri të Shqipërisë, afër kufirit me Malin e Zi, në një muze të vogël janë kujtimet e viktimave të një prej regjimeve më brutale të Europës Lindore.

Edhe nëse vizitorët nuk mund të imagjinojnë menjëherë se çfarë gjërash të tmerrshme ndodhën brenda selisë lokale të Ministrisë së Brendshme të epokës së komunizmit për pothuajse gjysmë shekulli, ata shumë shpejt e gjejnë veten të zhytur në një botë vuajtjesh dhe torturash dhe vrasjesh të motivuara politikisht.

Komunistët lokalë i fshinë menjëherë të gjitha gjurmët e veprimtarive të ish-gjimnazit françeskan “Illyricum” pasi një vendim i qeverisë më 6 mars 1946 ia dorëzoi ndërtesën shërbimeve të sigurisë.

“Shkodra vuajti shumë gjatë viteve të para të komunizmit, sidomos nga viti 1956 deri në vitin 1960, kur qyteti ishte si një burg komunist,” tha për BIRN historiani dhe kuratori Muzeut të Dëshmisë dhe Kujtesës, Pjerin Mirdita.

Foto; BIRN

Komunistët në një kohë drejtonin jo më pak se 23 burgje në Shkodër, një qytet me një popullsi të madhe katolike ku komunistët u përpoqën shumë për të marrë kontrollin e tij gjatë dhe pas viteve të fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Dhjetëra mijëra shqiptarë u dërguan në kampe pune për arsye politike nën regjimin komunist dhe të paktën 6,000 njerëz u ekzekutuan, besojnë shumica e ekspertëve.

“Gjatë këtyre viteve, kundërshtimi ndaj komunistëve ishte ende i lartë në Shkodër, mbase jo direkt kundër shtetit, por ai mbeti gjallë brenda zemrave dhe mendjeve të njerëzve, thotë Mirdita.

Mirdita thotë se ish-shkolla katolike funksiononte si një qendër torturimi dhe marrje në pyetje.

“Fillimisht, të burgosurit qëndronin këtu për periudhën e marrjes në pyetje, periudhë gjatë së cilës i nënshtroheshin torturës fizike dhe psikologjike. Pasi dënoheshin, ata dërgoheshin në burgje të tjera në të gjithë vendin,” shpjegon ai.

Korridori i lyet me të kuqe, simbol i vuajtjes

Pjesa e brendshme e Muzeut të Dëshmisë dhe Kujtesës është e ndarë në dy pjesë, të ndara nga një korridor i lyer me të kuqe, i cili simbolizon vuajtjet shpesh të përgjakshme të atyre që dërgoheshin në dhomën e marrjes në pyetje, dhoma më e errët e ndërtesës.

Foto; BIRN

Në korridorin e hyrjes është një ekspozitë fotografike për viktimat, me data dhe postera dhe një dhomë të vogël ku shfaqen video. Zona e dytë ka një tjetër dhomë ekspozite dhe qelitë e të burgosurve së bashku me dhomën e marrjes në pyetje.

Në të dy anët e korridorit, përballë njëra-tjetrës ndodhen 23 qeli. Në këto qeli të vogla, secila më pak se katër metra katrorë dhe që në atë kohë quheshin biruca, të burgosurit mbaheshin para dhe gjatë procesit të marrjes në pyetje.

Disa nga shkrimet e tyre nëpër mure janë ruajtur, së bashku me gazetat bashkëkohore propagandistike komuniste, të cilat mbulojnë muret e qelive.

Në fund të korridorit, dhoma e madhe, e errët dhe e ftohtë e marrjes në pyetje i ngjeth mishin kujtdo që kalon atë prag edhe tani.

Një shufër e elektrizuar dhe disa tela me gjemba ndodhen në një cep të dhomës, ndërsa oficeri që i merrte në pyetje së bashku me një makinë shkrimi ulej në anën tjetër të dhomës. Pajisjet e tensionit të lartë që dikur përdoreshin për të torturuar të burgosurit si fizikisht ashtu edhe mendërisht ndodhen në një tjetër tavolinë në dhomë.

Foto; BIRN

“Dy herë në ditë, për dy orë, të burgosurit detyroheshin të lexonin libra nga diktatori komunist Enver Hoxha. Ata gjithashtu rriheshin rregullisht,” shpjegon Mirdita.

Hoxha e qeverisi Shqipërinë me një grusht të hekurt nga viti 1946 deri në vitin 1992, duke e modeluar akoma veten e tij sipas Stalinit edhe shumë kohë pasi Stalinizmi u diskreditua në vendet e tjera në bllokun Lindor. Duke iu druajtur Perëndimit dhe fqinjëve të tij, Hoxha e izoloi plotësisht vendin e tij nga bota e jashtme, duke ndjekur recetën e tij të frymëzuar nga sovjetikët për zhvillimin e vendit.

“Riedukimi” i të burgosurve në Shkodër do të vazhdonte më pas në kampet e punës, në të cilat u dërguan shumë prej tyre. Shumë nuk u kthyen më kurrë.

“Ata duhej të punonin në miniera me turne, çdo tetë orë. Ishte njësoj si gulagët në Rusi gjatë kohës së Leninit ose Stalinit,” shton Mirdita.

Vendi vazhdon ende të përndiqet nga e kaluara

Ashtu si shumë vende të tjera që kaluan në anën sovjetike të Perdes së Hekurt pas Luftës së Dytë Botërore, krimet e epokës komuniste ende e përndjekin Shqipërinë, e cila sot po troket në dyert e Bashkimit Europian, pasi u mirëprit në NATO në vitin 2009.

Foto; BIRN

Kujtimi i dhjetëra mijëra viktimave politike të ish-regjimit mbahet gjallë në vende si Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës.

Anëtarët e publikut dhe turistët që vizitojnë muzeun mund të shohin filma të shkurtër në dhomën audio-vizuale. Në bibliotekë, ata gjithashtu mund të lexojnë libra për regjimin komunist në Shqipëri, si dhe letërsi të shkruar në dhe për burgun.

“Ne kemi një bibliotekë që është e hapur për publikun, kështu që të gjithë mund të vijnë këtu për të studiuar ose për të lexuar, ose thjesht të kalojnë ca nga koha e tyre e lirë,” tha për BIRN historiani dhe kuratori i Muzeut.

Mësuesit e shkollave i sjellin këtu nxënësit e tyre që të mësojnë mbi të kaluarën traumatike të vendit, jo vetëm për t’i edukuar ata për të kaluarën, por edhe për t’u siguruar që tmerre të tilla të mbesin pjesë e së kaluarës dhe të mos përsëriten më.

“Këtu vijnë shumë nxënës shkolle dhe mësues historie. Ata shohin vendin, prekur me duart e tyre dhe ndiejnë sa i vështirë ishte regjimi për njerëzit,” thotë Mirdita.

Madje, nxënësit e interesuar mund të takojnë disa nga ish të burgosurit politikë që kanë mbijetuar, të bisedojnë dhe “të ndajnë historinë me ta”.

Mirdita thotë se besimi fetar ishte çelësi për mbijetesën e shumë njerëzve në këtë rajon të trazuar, ku komunistët luftuan me rebelët antikomunistë për vite të tëra pas Luftës së Dytë Botërore nëpër male.

Regjimi i Enver Hoxhës shkoi më tej sesa Bashkimi Sovjetik në vitin 1967, kur ai ndaloi të gjitha fetë në Shqipëri dhe e shpalli Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë.

Por Mirdita thotë se shumë njerëz në Shkodër e ruajtën besimin e tyre. “Feja mbijetoi këtu, në shtëpitë e njerëzve,” thotë ai, duke përmendur se qyteti mbeti dhe mbetet ende shtëpia e tre besimeve kryesore në vend – katolicizmit, myslimanizmit dhe krishterimit ortodoks.