Pamje nga ekspozita ‘Një komb, një ABC’. Foto: KALLXO.com.

Hapet ekspozita në kujtim të 115-të vjetorit të Kongresit të Manastirit

Organizuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, është hapur sot në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës në Prishtinë, ekspozita “Një komb, një ABC”.

Kjo ekspozitë është hapur në kujtim të 115 vjetorit të Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, njohur edhe si Kongresi i Manastirit.

Në kuadër të kësaj ekspozite janë ekspozuar fotografi e materiale tjera që lidhen me punë dhe jehonën e Kongresit të Manastirit.

Zëvendësuesi i Kryeshefit të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bislim Bislimi, cili në këtë pozitë u transferuar pak ditë pas emërimit nga Qeveria e Kosovës në postin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës, tha se kjo ekspozitë nxjerr në pah përpjekjet për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit.

“Kongresi i Manastirit, përveç që vuri gurthemelin e unifikimit të shkrimit në gjuhën shqipe, shënon një prej ngjarjeve më të rëndësishme të mbajtura deri atëherë për unifikimin e kombit shqiptar, gjuhën dhe kulturën”- tha Bislimi.

Ndërsa Ardit Bido, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë tha se falë vendimit të Kongresit të Manastirit, u ndikua unifikimi i kombit shqiptar dhe u largua rreziku i shpërbërjes kombëtare.

“Ne nuk po festojmë sot vetëm Kongresin e Manastirit, ku u vendos për unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe, por po festojmë formësimin dhe kulmimin e identitetit tonë kombëtar” – tha Bido.

Një fjalë rasti mbajti edhe zëvendësambasadorja e Shqipërisë në Kosovë, Pranvera Dibra.

“Shënimi i përvjetorit të Kongresit të Manastirit është një ngjara e madhe në kuadër të shënimit të festës kombëtare. Fryma e kongresit ishe kompromisi, andaj le të mos na ndaj asgjë që të kemi kompromis për çështje e mëdha të kombit shqiptar”- tha ajo.

115 vjet më parë në Manastir, kryeqytetin e Vilajetit të Manastirit – Perandoria Osmane, sot Maqedonia e Veriut nga 14 deri më 22 nëntor 1908 në selinë e klubit “Bashkimi” u mbajt Kongresi për unifikimin e alfabetit gjuhës shqipe.

Kuvendi i Kongresit të Alfabetit vendosi që gjuha shqipe të shkruhet me shkronja latine, por miratoi për përdorim 2 alfabete; të Shoqërisë së Stambollit dhe Shoqërisë “Bashkimit nga Shkodra”, e që me kalimin e kohës, alfabeti i “Bashkimit” mbeti alfabeti i vetëm i gjuhës shqipe.

Pamje nga ekspozita ‘Një komb, një ABC’. Foto: KALLXO.com.

 

Pamje nga ekspozita ‘Një komb, një ABC’. Foto: KALLXO.com.

 

Pamje nga ekspozita ‘Një komb, një ABC’. Foto: KALLXO.com.

 

Pamje nga ekspozita ‘Një komb, një ABC’. Foto: KALLXO.com.

 

Pamje nga ekspozita ‘Një komb, një ABC’. Foto: KALLXO.com.