Muzeu i Vushtrrisë, Foto: KALLXO.com
Muzeu i Qytetit të Vushtrrisë pa pranim teknik, nuk paguhet borxhi ndaj operatorit që restauroi objektin
Muzeu i Qytetit në Vushtrri, vazhdon të mos jetë ende i hapur zyrtarisht. Kjo për arsye të mos pranimit teknik nga ana e Ministrisë së Kulturës.
Borxhi në vlerë prej rreth 39 mijë euro ndaj kompanisë ndërtimore “Olti Trasing”, e cila ka kryer punimet për renovimin e atij objekti, del të jetë problemi kryesor i kësaj situate, siç tregojnë nga kjo kompani.
Komuna e Vushtrrisë dhe Ministria e Kulturës në vitin 2017, pas fillimit të ndërhyrjeve Konservuese dhe Restauruese për objektin e Muzeut të Qytetit, kishin nënshkruar një memorandum të bashkëpunimit mes vete, ku sipas komunës një pjesë e pagesës, në bazë të këtij memorandumi, është dashur të kryhet nga Ministria e Kulturës.
Këta të fundit, nuk pranojnë të bëjnë pranimin teknik të objektit me arsyen se gjatë punimeve për restaurimin e tij, kanë ndodhur disa ndërhyrje teknike dhe ndryshim i planit të punës.
Pra, hapja e Muzeut të Vushtrrisë , kushtëzohet nga pranimi teknik i objektit “Shtëpia e Mahmut Agë Gjinollit”, i cili është destinuar nga Komuna e Vushtrrisë për veprimtarinë e këtij muzeu.
Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Vushtrrisë Medina Bunjaku, thotë se mos hapja zyrtare e muzeut tashmë është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës.
“Objekti i Muzeut të Vushtrrisë nuk është hapur ende zyrtarisht për arsye të borxhit që ka MKRS-ja karshi kompanisë “Olti Trasing”, e cila zhvilloi punët projektuese “Renovimi i Shtëpisë së Mahmut Agë Gjinollit në Vushtrri” gjatë vitit 2017, 2018 dhe 2019. Prandaj si pasojë e borxhit dhe disa ndryshimeve të projektit që janë bërë për të ruajtur vlerat e objektit brenda hapësirave të muzeut, ende nuk është bërë pranimi teknik”, ka thënë ajo.
Ndryshime në planin e punës, pranojnë të jenë bërë edhe udhëheqësja e muzeut Shukrane Begu dhe Nexhat Merovci menaxher i projektit “Renovimi i Shtëpisë së Mahmut Agë Gjinollit në Vushtrri”.
“Sa i përket ndyshimeve, janë bërë disa ndryshime”, ka thënë Shukrane Begu e që sipas saj në çdo projekt janë të lejueshme 10% apo 20 % e ndryshimeve.
Mirëpo sipas tyre, ato ndërhyrje kanë qenë ndryshime të vogla, ku siç tregojnë ata, për këtë kanë qenë në dijeni edhe Zyra Qëndrore për Mbrojtjen e Monumenteve në Prishtinë.
Ndërsa për u.d. në QRTK (Qendra për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore) në Mitrovicë, Mujë Igrishta, kjo gjendje e muzeut nuk është në kompetencë të tij dhe se nuk është i informuar për këtë.
Ai për këto ndryshime thotë se nuk ka qenë e nevojshme të bëhet ndonjë kërkesë paraprakisht nga Ministria.
“Po, aty është desht që çdo ndryshim që bëhet, të bëhet në pajtueshmëri me Ministrinë e Kulturës, por ato janë ndryshime minimale edhe u kanë veq për të mirën e projektit”.
“Bashkë me stafin, nuk e kemi pa të nevojshme që ka nevojë një kërkesë e tillë me e ba”, ka thënë Igrishta.
Në një përgjigje me shkrim MKRS-ja po ashtu shprehen se pranimi teknik i objektit në fjalë nuk është bërë pikërisht për shkak të ndërhyrjeve që janë bërë pa miratim nga KPSH/IKMM.
“Gjatë zbatimit të punimeve janë realizuar edhe punime dhe pozicione të cilat nuk kanë qenë pjesë e projektit të miratuar, pra punime këto që janë kërkuar nga ana e përfaqësuesve të Komunës të cilat nuk janë miratuar nga ana e mbikqyrësit të MKRS/QRTK”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Sipas Ministrisë, funksionalizimi i ndërtesës në fjalë, e cila është në veprimtari të Muzeut, është bërë në bashkëpunim me Komunën e Vushtrrisë dhe operatorit, pa u përfunduar procedurat e përfundimit të punimeve.
Osman Krasniqi, inxhinieri kompanisë “Olti Trasing” thotë se kontratën e kanë të nënshkruar vetëm me Komunën, për çka thonë se të gjitha ndryshimet që janë bërë në renovimin e muzeut, janë vërtetuar nga organi mbikqyrës dhe se të gjitha faturat janë nënshkruar mes tyre dhe Komunës së Vushtrrisë.
“Ne, punën e kemi kry, e ka vërtetu organi mbikqyrës, e kanë vërtetu mbikqyrsat që kanë qenë, është e nënshkrume fatura, është çështje e moskoordinimit, mes Komunës dhe Ministrisë së Kulturës”, tha Krasniqi.
Sipas tij, meqenëse Komuna e Vushtrrisë, pas ankesës së tyre, e ka drejtuar këtë çështje në Ministrinë e Kulturës, Krasniqi thotë se ata nuk kanë marrur asnjëherë përgjigje apo arsyetim nga MKRS-ja për mos realizimin e pagesës. Pas premtimeve që i janë bërë dhe nuk është marrur ndonjë përgjigje, thotë se janë detyruar që këtë çështje t’a dërgojnë në përmbarues, ku Komuna e Vushtrrisë e kishte prapsuar lëndën me arsyetimin se ky është borxh i Ministrisë së Kulturës e që sipas Krasniqit, kjo lëndë deri më tash është dashur të kalojë për shqyrtim në gjykatë.
Të pyetur nëse është dërguar nga përmbaruesi në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, nga GJTHM dega në Vushtrri, thonë se pas verifikimit të regjistrave, kompania “Olti Trasing” nuk evidentohet në regjistra të gjykatës.
Kjo ka shkaktuar problem edhe për kompaninë në fjalë, të cilët presin që kjo çështje tashmë të zgjidhet vetëm me anë të procedurave gjyqësore.
“Kjo stërzgjatje neve po na dëmton shumë”…“Udhëheqjen e punëve e ka ba Komuna e Vushtrrisë jashtë Ministrisë së Kulturës se realisht ne konktraten e kemi me Komunën e Vushtrrisë, nuk kemi pasë zyrtarisht kurgjo me Ministrinë e Kuklturës”, është shprehur Osman Krasniqi.
Mirëpo për këtë Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Vushtrrisë përgjegjësinë e hedhin tek MKRS-ja.
“Përgjegjësia e MKRS-së karshi Muzeut të Vushtrrisë është që të merret më seriozisht me përmbylljen e borxhit ndaj kompanisë “Olti Trasing”, e cila zhvilloi punët projektuese “Renovimi i Shtëpisë së Mahmut Agë Gjinollit në Vushtrri”, si dhe të bëjë pranimin teknik”, thuhet në përgjigjen e Dtrejtoreshës për Kulturë të kësaj komune, Medina Bunjaku.
Nga ana e Ministrisë së Kulturës shprehen se MKRS- ja ka relizuar të gjitha pagesat siç parashihen në Memorandumin e bashkëpunimit të tyre.
Në përgjigjen e tyre nuk saktësohet qartë se si do të shkojë procedura e pranimit teknik dhe pagesës së borxhit për objektin në fjalë.
Siç shpjegojnë ata, gjatë vitit 2022 Komuna e Vushtrrisë dhe QRTK në Mitrovicë në bashkëpunim me IKMM kanë përgatitur raportin e gjendjes fizike të ndërtesës ku vepron Muzeu i Vushtrrisë e që pas këtij raporti përfundimtar, vlera prej 36,143 euro e mbetur nga kontrata e vitit 2017/18, është rekomanduar të realizohet nga MKRS-ja, që sipas kësaj ministrie kjo është e paraparë të realizohet në vitin 2023.