Inflacioni, Foto: Pixabay

Bllokimi i investimeve kapitale si pasojë e inflacionit, Qeveria synon ta zgjidhë me ligj të veçantë

Shumë komuna të Kosovës janë detyruar të shkëpusin disa kontrata të prokurimit publik, për shkak të rritjes së çmimeve në treg e nivelit të lartë të inflacionit.

Komunat janë ankuar se shumë projekte kapitale kanë mbetur të bllokuara, e si pasojë edhe buxheti i ndarë për investime kapitale, ka mbetur i pashpenzuar.

Komuna e Prishtinës deri më tash ka shpenzuar vetëm rreth 15% të buxhetit vjetor për investime kapitale. Ndërsa ajo e Fushë Kosovës deri në qershor 2022 kishte shpenzuar vetëm 2%.

Këtë problem, Qeveria e Kosovës po synon ta zgjidhë me një ligj të veçantë.

Më 10 tetor ‘Projektligji për Punën Publike’ është miratuar në Komisionin për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës.

Ky projektligj ka për qëllim që për kontratat e nënshkruara para datës 1 prill 2022, t’iu rritet vlera për 20%.

Deputetja dhe anëtarja e këtij Komisioni, Jeta Statovci, tha se ky projektligj do të mundësojë zhbllokimin e qindra projekteve kapitale, në nivel qendror dhe atë lokal, e të cilat projekte sipas Statovcit, u ndikuan nga rritja e çmimeve të materialeve ndërtimore.

“Ky projektligj ka për qëllim të krijojë një mekanizëm për kompensimin deri në një masë të caktuar të rritjes së çmimeve të materialeve ndërtimore dhe punëve përcjellëse” – ka bërë të ditur Statovci.

“Zhbllokimi i këtyre projekteve do të ketë impakt ekonomik dhe me kujdesin e treguar për operatorët dhe në tërësi për projektet, është e sigurtë se javëve në vijim kantieret e punës nëpër punishtet respektive do të jenë aktive me kapacitet të plotë”.

Miliona euro kontrata të shkëputura

Buxheti i Komunës së Prishtinës për investime kapitale në vitin 2022 është 40 milionë euro. Komuna deri më tash ka arritur të shpenzojë vetëm 15% të buxhetit. E arsyeja sipas nënkryetarit Alban Zogaj, është inflacioni. Kjo komunë ka shkëputur rreth 30 kontrata të viteve paraprake.

“Problemet më të mëdhaja që i kemi aktualisht në sektorin publik, janë këto proceset e prokurimit që po na zgjasin kaq shumë. E krejt lidhen me planifikimin, pastaj me procesin e prokurimit që janë të ngadalshme e që janë të dobëta, këtë po e pranoj edhe po e themi vazhdimisht” – tha ai.

Tutje, Zogaj deklaroi se kontratat që kanë qenë të lidhura në vitet paraprake, janë detyruar që të shkëputen për shkak të rritjes së çmimeve.

“Gati 30 kontrata i kemi shkëputur, që po flasim për miliona euro të shkëputura. Do të shkojnë në procese gjyqësore, duhet me i rishpallë , tek tash në fund të vitit me i nënshkru. Ligji i prokurimit nuk lejon me bo negociata për shkak të konfliktit të interesit dhe thotë se duhet një vendim i përbashkët. Në mars apo prill të këtij viti, ne i kemi propozuar Qeverisë së Kosovës që ta marrim një vendim të përbashkët, ku themi ‘krejt kontratat po i rrisim për 20% në mënyrë automatike’. Duke pasur parasysh që të gjitha komunat dhe ministritë e kanë këtë problem” – ka thënë ai për KALLXO.com.

Sipas tij, kjo është një prej arsyeve kryesore pse niveli qendror dhe ai lokal ka problem me shpenzimin e buxhetit. Inflacioni i lartë, sipas Zogajt, ka ndikuar që sektori privat të tërhiqet nga kontratat e nënshkruara.

Të njëjtin problem e ka edhe Fushë Kosova. Fadil Krasniqi, nënkryetar, ka bërë të ditur se deri në qershor të këtij viti, Komuna kishte shpenzuar vetëm 2% të buxhetit vjetor për investime kapitale.

Krasniqi tha se Fushë-Kosova është në gjendje të vështirë në shpenzimin e buxhetit për investime kapitale.

“Kanë krijuar të tjerët kushte që na mos me i shpenzu. Ky vit për neve ka qenë shumë i vështirë, arsyet janë shumë të thjeshta. Edhe ne 10 kontrata është dashtë me i anulu, sepse u ngritën çmimet. Këtu është përgjegjësi edhe e Qeverisë, se qysh në fillim të vitit e ka pa që inflacioni është 20%, por ju e dini që ka fsheh edhe inflacionin” – ka thënë Krasniqi.

Ai tha se kjo nuk ka qenë e varur vetëm prej Komunës, pasi që sipas tij, edhe mosfunksionimi i bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit ka qenë pengesë.

E Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), e njohur ndryshe si Gjykata e Tenderëve, është institucioni ku operatorët ekonomik që marrin pjesë në tendera të institucioneve publike, deponojnë ankesat në rastet ku kanë pakënaqësi në procesin e tenderimit.

OSHP-ja për më shumë se 1 vit, nga mars 2021 deri më prill 2022 e kishte të pafunksionalizuar bordin. Si pasojë, deri rreth 200 milionë euro llogaritej vlera e projekteve që kishin mbetur të bllokuara.

E pak më mirë i kanë punët Komuna e Gjilanit dhe ajo e Pejës.

Komuna e Gjilanit për vitin 2022 ka shpenzuar 69% të buxhetit për investime kapitale, rreth 4.5 milionë euro.

Por, shumica e këtij shpenzimi ka shkuar për pagesën e borxheve të trashëguara. Drejtori për Buxhet dhe Financa i kësaj komune, Riad Rashiti, për KALLXO.com ka thënë se problem e kanë pasur vazhdimin e projekteve në infrastrukturë.

“Ne si komunë nuk kemi pas e as nuk kemi problem me shpenzimin e buxhetit komunal, sepse kemi të trashëguara mbi 11 milionë euro borxhe. Problem e kemi vazhdimin e realizimit të projekteve në infrastrukturë, për disa projekte si pasojë e këtyre borxheve, e për disa projekte si pasojë e rritjes enorme të çmimeve të materialit ndërtimor, ku operatorët ekonomikë nuk kanë punuar për realizimin e këtyre projekteve” – ka thënë Rashiti.

Ai ka bërë të ditur se nga Qeveria kanë kërkuar buxhet shtesë për pagesën e shpronësimeve, për borxhet e trashëguara, pasi sipas tij, presioni është i jashtëzakonshëm nga vendimet e përmbaruesve privat.

“Thesari është në procedurë përsëri të bllokimit të llogarive bankare të komunës së Gjilanit, përshkak se janë edhe mbi 3,4 milionë euro kërkesa për ekzekutim të vendimeve tjera të përmbaruesve privat që kanë të bëjnë kryesisht me pagesën e shpronësimeve”.

Ndërsa Jeton Abazaj, drejtor komunal për Buxhet dhe Financa në Pejë, ka thënë se Komuna ka shpenzuar 40% të buxhetit vjetor për investime kapitale.

“Buxhetin vjetor për investime kapitale e kemi 9.7 milionë euro. Deri më tash kemi shpenzuar diku 40% të këtij buxheti, apo rreth 4 milionë euro. I kemi më shumë se 12 kontrata të shkëputura, si shkak i inflacionit” – ka bërë të ditur Abazaj.

Çka thotë ligji që synon zhbllokimin e investimeve kapitale?

Projektligji për Punët Publike i propozuar nga Qeveria e Kosovës, e që aktualisht ka kaluar në Komisionin për Buxhet dhe Financa, thotë se ka për qëllim të krijojë një mekanizëm për kompensimin deri në një masë të caktuar, të rritjes së çmimeve të materialeve ndërtimore dhe punëve përcjellëse.

Ligji do të zbatohet vetëm për kontratat e tenderëve të lidhura para datës 1 prill 2022.

Neni 4 i këtij Ligji thotë se kompensimi për inflacion realizohet vetëm për materialet ndërtimore të cilat janë ndikuar nga inflacioni. E këto materiale, sipas Ligjit, janë: Bitumi dhe emulzioni; çimento; hekuri dhe produktet e tij; plastika dhe produktet e saj; betoni dhe produktet e tij; zhavorri; alumini; bakri dhe zinku.

Kompensimi për inflacion realizohet edhe për punët përcjellëse si makineritë dhe fuqia punëtore.

Të drejtë, sipas këtij Ligjii, për të dorëzuar kërkesë për kompensim për inflacion kanë Operatorët Ekonomikë të cilët dëshmojnë se materialet ndërtimore, të cilat janë pjesë e kontratës së punës, kanë pësuar rritje të çmimeve.

“Ky ligj zbatohet vetëm për kontratat aktive të punës me vlerë të mesme dhe të mëdha të lidhura në mes të Autoritetit Kontraktues dhe Operatorit Ekonomik.Ky ligj ka efekt vetëm për punët e certifikuara dhe faturat e dorëzuara nga Operatori Ekonomik tek Autoriteti Kontraktues prej datës 1 Korrik 2022 deri më 30 Qershor 2023” – thuhet në nenin 5 të këtij Ligji.

Aktualisht, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni vjetor në Kosovë është 12.7%.