BE-ja do përballet me dimër të tmerrshëm në mungesë të gazit

Ministri i Energjisë i Belgjikës i ka paralajmëruar se vendet e BE-së do të përballen me pesë deri në 10 dimra të tmerrshëm nëse nuk bëhet asgjë për t’i ulur çmimet e gazit natyror, shkruan sot Euroneës.

Thirrjet po shtohen për një limit në krejt BE-në mbi çmimin e gazit dhe shkëputjen e tij nga çmimi i energjisë elektrike.

Shtetet e BE-së janë duke u përballur me rritje të mëdha të çmimeve të energjisë që kur furnizuesi kryesor i gazit Rusia e pushtoi Ukrainën në muajin shkurt, duke shkaktuar sanksione.

Vendet që e mbështesin Ukrainën po përpiqen t’i reduktojnë importet e gazit dhe naftës ruse.

Rusia, e cila furnizoi BE-në me 40% të gazit të saj vitin e kaluar, i ka kufizuar furnizimet ndaj saj tani.

Ministri belg i Energjisë Tinne Van der Straeten shkroi në Twtter se çmimet e gazit në Evropë duhet të ngrihen urgjentisht, duke shtuar se lidhja midis çmimeve të gazit dhe energjisë elektrike është artificiale dhe duhet të reformohet.

“Pesë deri në 10 dimrat e ardhshëm do të jenë të tmerrshëm nëse nuk bëjmë asgjë,” tha ajo. “Ne duhet të veprojmë në burim, në nivel evropian dhe të punojmë për t’i ngrirë çmimet e gazit.”

Çmimet e energjisë elektrike kanë qenë gjithashtu në rritje në Evropë dhe kanë arritur nivele rekord këtë javë. Gazi është burimi kryesor i prodhimit të energjisë elektrike.

“Duhet ta ndalojmë këtë çmenduri që po ndodh tani në tregjet e energjisë,” tha kancelari i Austrisë Karl Nehammer.

Çmimet e energjisë elektrike duhet të ulen, tha ai, duke i bërë thirrje BE-së t’i shkëpusë çmimet e energjisë elektrike dhe gazit.

“Nuk mund të lejojmë që [presidenti rus Vladimir] Putin ta përcaktojë çmimin evropian të energjisë elektrike çdo ditë,” shtoi ai.

Gjermania – importuesi më i madh i gazit rus në vitin 2020 – ka bërë gara për t’i forcuar rezervat e saj të gazit para dimrit, pavarësisht se Rusia i ka shkurtuar furnizimet.

Synimi i Gjermanisë është ta mbushë kapacitetin e saj të gazit në 85% deri në tetor. Për ta bërë këtë, ajo ka zbatuar masa për kursimin e energjisë.

Ministri i Ekonomisë Robert Habeck tha se masa të tilla – së bashku me blerjen e gazit nga furnizuesit alternativë – i kanë mundësuar Gjermanisë ta përmbushë qëllimin e saj më shpejt se sa ishte parashikuar.

Ai vlerësoi se objektivi prej 85% mund të arrihet deri në fillim të shtatorit./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala