Foto: euronews.green

‘Lufta’ e frutave në Evropë, si po përshtaten pemishtet me dimrat më të ngrohtë

Dimrat më të ngrohtë janë një problem në rritje për prodhuesit e frutave. Shumë vende evropiane kanë nevojë për një dimër të gjatë të ftohtë për të prodhuar fruta të mira në verë dhe ndryshimi i klimës po prish ciklet e tyre natyrore.

Në një pemishte afër Bordosë në Francën jugperëndimore, biologia e bimëve në  Institutin Kombëtar të Kërkimeve Franceze për Bujqësinë, Ushqimin dhe Mjedisin, Bénédicte Wenden, ka kërkuarpër lloje të mollës, qershisë, kajsisë dhe pjeshkës të cilat janë në gjendje të lulëzojnë në një vend më të ngrohtë.

Qëllimi afatgjatë i saj është të identifikohen tiparet në pemë të ndryshme që mund të lejojnë krijimin e shumëllojshmërisë së frutave për vitin 2050 dhe më tej, raporton euronews.green.

“Problemi që kemi tani është se me rritjen e temperaturave të dimrit, kërkesat e pemëve frutore për të ftohtin nuk plotësohen më”, tha Bénédicte për Climate Now. “Kjo do të thotë se nuk ka më mjaft ftohtë në dimër dhe kështu lulëzimi është i parregullt, me probleme të mëdha në prodhim”.

“Nëse do të ketë ngrica në javët e ardhshme, të gjitha lulet do të digjen dhe nuk do të kemi asnjë frut këtë verë”- shton ajo.

Në laboratorin e saj, Wenden ekspozon degët e mostrës ndaj kushteve të ngrohta të pranverës, përderisa kërkon të kuptojë se si pemët reagojnë ndaj kushteve të ndryshme mjedisore në një nivel gjenetik.

Qëllimi i saj është të identifikojë tipare të ndryshme dhe në fund të zhvillojë shumëllojshmëri të pemëve frutore që mund të ofrojnë përzierjen e duhur për të ardhmen, megjithëse puna e saj është e mundimshme dhe mund të mos rezultojë në një variacion të ri të për 30 vite.

Por sipas saj, nuk ka zgjidhje të thjeshtë.

“Mendimi im është se është më mirë të kemi një përzierje varietetesh. Një lloj është shumë i mirë kur ka dimër të butë, por nuk ka ngrica. Një lloj tjetër do të jetë mirë nëse keni dimër të ftohtë me ngrica. Prandaj është më mirë të kemi një përzierje të llojeve për të garantuar prodhimin”- shprehet Wenden.

“Kjo i ndërlikon gjërat për prodhuesit, por u jep atyre një jastëk në rast të ndryshimeve në klimë”- shton ajo.

Garantimi i prodhimit është një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet kultivuesi organic, Philippe Sfiligoi, i cili humbi rreth 60% të të korrave të tij të frutit të mollës për shkak të ngricave të vona për dy vjet radhazi. Ai shprehet se ka frikë se e njëjta gjë do të përsëritet këtë vit.

“Nëse është vërtet ngrohtë javën e ardhshme, rreziku është që pema të fillojë të rritet” thekson Philippe teksa shton se “Çështja është se kur një proces i tillë tek një pemë të fillojë, nuk do të ndalojë. Me fjalë të tjera, ajo ka filluar ciklin e saj. Mund të ngadalësojë pak, por nuk do të mund të ndalet. Pra, nëse kemi një ngricë pas disa javësh, gjithçka ka mbaruar”- shprehet Sfiligoi.

Euronews.green raporton se temperaturat mesatare të dimrit në Evropë janë rritur që nga vitet 1950, dhe mesatarja parashikohet të rritet për dekadat në vijim.

Të dhënat nga Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus tregojnë se Evropa sapo ka regjistruar janarin e tretë më të ngrohtë, me temperatura për muajin 2.2 gradë Celsius, mbi mesataren e viteve 1991-2020.