Ata që dështuan t'i mbrojnë gratë, vazhdojnë punën në sistemin e drejtësisë

Rastet tashmë të gjykuara apo të hetuara të vrasjeve të grave nga burrat ose ish-burrat tregojnë se institucionet e shtetit nuk po arrijnë të vendosin plotësisht drejtësinë në vend.

Vrasjet e grave që po tronditin Kosovën, po tregojnë për neglizhencë të policisë e prokurorisë në fazën e raportimit të rasteve, procese gjyqësore me vite të tëra, dënime të ulta të gjykatave, e rritje të dënimeve ndaj kryerësve po vinë pas protestave e presionit publik.

Rasti i vrasjes se 18 vjeçares nga partneri i saj në Ferizaj ditën e djeshme e tronditi opinionin publik.

Hetimet deri tani thonë se 18 vjecarja u keqtrajtua dy ditë deri në vdekje, ndërsa u la në Spitalin e Ferizajt pa shenja jete.

Ndërsa njëri prej të dyshuarve për vrasjen e saj, ishte lënë pa një vendim meritor nga gjykata, që 6 vite, edhe pse ndaj tij ishte ngritur një aktakuzë për tentimvrasje.

E sa ishte në liri ndodhi vrasja e 18 vjeçares, për të cilën ekziston dyshimi se u keqtrajtua deri në vdekje.

Përkundër që afër 6 vite pa seanca gjyqësore, e i pandehuri në liri për akuzën e tentim vrasjes, gjyqtarët e ngarkuar me rast vazhdojnë të ndajnë drejtësinë në sistemin gjyqësor.

Praktikat e deritanishme tregojnë se shteti nuk po arrinë të mbrojë jetën e grave, edhe përkundër thirrjeve të tyre të vazhdueshme për mbrojtje.

Diana Kastrati u vra më 18 maj të vitit 2011, në rrugë në afërsi të shtëpisë së saj në Prishtinë, nga ish-partneri i saj, me të cilin bashkëjetonte për më shumë se 10 vjet. Ata së bashku kishin një vajzë, por nuk kishin kurorë formale martesore.

Tri javë para se të vritej, ajo kishte dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Komunale në Prishtinë, për urdhër të mbrojtjes emergjente, por gjykata nuk kishte vepruar.

Ndërsa vetëm pas 8 vjet, një muaj e 16 ditë që nga vrasja mizore e Diana Kastratit, Gjykata e Prizrenit ka marrë vendim që prindërve të Dianës, Gëzim e Makfire Kastrati, t’u kompensohet dëmi për vuajtjen që kanë përjetuar me rastin e humbjes së vajzës së tyre, vrasje e cila besohet se erdhi si rezultat i dështimit të drejtësisë kosovare që të përmbushin detyrimin e tyre ligjor në mbrojtjen të raportueses/viktimës.

Rast tjetër ku një grua u vra nga bashkëshorti i saj, ai i Zejnepe Berishës përfundoi me rritjen e dënimit vetëm pas protestave dhe presionit publik.

Nebih Berisha, akuzohej se për arsye xhelozie, ka vrarë bashkëshorten e tij, Zejnepen, duke e goditur me thikë 21 herë.

Reagime të shumta për vrasjen e Zejnepe Berishës ishin drejtuar nga neglizhencën e Policisë ndaj thirrjeve të viktimës për mbrojtje në disa raste të mëhershme të dhunës në familje, e që i njëjti përsëri ishte lënë liri.

Neglizhenca e sistemit të drejtësisë vihet në pah edhe në rastin e vrasjes së Valbona Ndrecajt e vajzës së saj që u qëlluan për vdekje nga kryefamiljari i tyre.

Për ngjarjen tragjike në Gjakovë ishin raportuar dyshime të forta se policia nuk e kishte kryer punën siç duhej, duke mos u përgjigjur thirrjeve për mbrojtje të Valbonës.

Ndaj policëve ishte dorëzuar kallëzim penal në prokurori, nën dyshimin se e kane keqpërdorur detyrën zyrtare, e prokuroria pas hetimeve kishte mbyllur dosjen ndaj tyre, me arsyetimin se ne veprimet e policëve nuk ka elemente të veprës penale.

Të dhënat e siguruara nga KALLXO.com tregonin se çifti kishin probleme në të kaluarën.

Detajet për këtë ishin konfirmuar nga ish kryeprokurori i Gjakovës, Ali Selimaj.

Ai për KALLXO.com ka deklaruar se “Viktima është ankuar në polici për kërcënimin policia ka shkuar në shtëpinë e të dyshuarit dhe ka tentuar ta kontaktoj por ka qenë e pamundur”.

Vet ish-kryeprokurori i Gjakovës e kishte konfirmuar se dorasi ishte person i njohur për prokurorinë dhe ishte i njohur pasi ndaj tij kishte një procedurë penale.

Dy muaj e gjysmë pasi është dënuar për vrasjen e gruas dhe vajzës, Pjetër Nrecaj erdhi sërish në gjykatore, për t’u përballur me një akuzë tjetër ndaj viktimës Valbona Ndrecaj.

Ai u ballafaqua me akuzën për rrahje të gruas, incident që kishte ndodhur 3 muaj para vrasjes se Valbona Ndrecajt.

Një rast tjetër ku një grua u vra në mënyrë mizore kishte ndodhur në Kamenicë.

Për këtë po akuzohet bashkëshorti i saj Nuhi Mavrovqani.

Nuhi Mavrovqani e kishte goditur bashkëshorten e tij me shufër metalike fillimisht në anën e majtë të kokës, duke e rrëzuar në tokë, ndërsa kishte vazhduar duke e goditur në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, po ashtu me shufër metalike.

KALLXO.com ka gjetur se i akuzuari ka pasur disa raste të dhunës në familje për të cilat ishte dënuar nga gjykata.

Ku shteti dështoj të mbrojë jetën e gruas, ishte edhe rasti i Sebahate Sopit.

11 ditë pasi ishte raportuar dhuna ndaj saj në prokuroi, ajo ishte vrarë nga bashkëshorti i saj i cili pastaj ka kryer vetëvrasje.

Vajza e të ndjerës Sebahate Morina, i është drejtuar Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, me kërkesën me të cilën është propozuar të konstatohet se mosveprimet e autoriteteve shtetërore kanë shkelur të drejtën për jetën të garantuar me kushtetutë.

E proceset e monitoruara gjyqësore tregojnë që rasteve të dhunës ndaj grave nuk iu kushtohet kujdesi maksimal.

KALLXO.com përmes një hulumtimi ka gjetur se në Gjykatën e Pejës, një i dyshuar për dhunë në familje është liruar nga ndalimi policor, pasi që gjykata nuk ka caktuar brenda afatit ligjor seancë për shqyrtim të kërkesës së paraburgimit.

Në këto rrethana i dyshuari është lënë në liri, pa u shqyrtuar fare kërkesa e prokurorisë për masën e paraburgimit.