Hulumtimi i publikuar në KALLXO.com për tenderin 155 mijë eurosh, rezulton me arrestim

Departamenti për Krime të Randa i Prokurorisë Themelore në Gjilan në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë ndaluar të dyshuarin A.K. në kohëzgjatje prej 48 orëve nën dyshimin për keqpërdorim dhe Mashtrim në Prokurimin Publik.

“I njëjti dyshohet se ka falsifikuar një dokument zyrtar të lëshuar kinse nga Ministria e Forcës së Sigurisë (Ministria e Mbrojtjes), me të cilin dokument ka aplikuar në një tender publik në vitin 2021, në Komunën e Gjilanit dhe e ka fituar të njëjtin” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ky reagim i Prokurorisë së Gjilanit vjen pas publikimit të artikullit në KALLXO.com, “Dyshime të forta se tenderi 155 mijë euro u fitua përmes dokumentacionit të falsifikuar”.

Ky artikull ishte botuar në kuadër të projektit “Qeverisje e mirë: prokurim publik dhe politik-bërje e avancuar” i financuar nga BE, zbatuar nga Demokraci Plus (D+).

KALLXO.com kishte raportuar se Kompania “ARF Sh.P.K” kishte arritur të nënshkruajë një kontratë për ‘furnizim me material zyrtar’ në vlerë 155 mijë euro me Komunën e Gjilanit falë një dokumenti që dyshohet se është i falsifikuar.

Gjatë fazës së tenderimit, kjo kompani ka dorëzuar në Komunën e Gjilanit një referencë të lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes se gjoja e njëjta ka kryer me sukses një kontratë me këtë ministri për kohën që është kërkuar nga Komuna e Gjilanit.

Përmes këtij dokumenti, kjo kompani ka arritur të plotësojë një nga kriteret e tenderit që operatori ekonomik ka kryer me sukses tri kontrata të natyrës së ngjashme në tri vitet e fundit.

Një nga dokumentet që ishte në dosjen e kompanisë “ARF Sh.P.K” ishte një referencë që pretendohet që është lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes më 31 janar 2019, për një kontratë në vlerë 80 mijë e 363 euro.

Kjo referencë nuk posedonte vulën e Ministrisë së Mbrojtjes, institucioni që pretendohet që e ka lëshuar. Madje, kjo referencë e dorëzuar nuk posedonte fare vulë.

Në një përgjigje në atë kohë, nga kompania “ARF Sh.P.K” thonins e nuk kanë qenë në dijeni për këto parregullësi.

Sipas tyre, dokumentacioni ishte përgatitur nga babi i tyre, tashmë i ndjerë.

“Ju njoftojmë që të gjitha dosjet e tenderit dhe dokumentacionet për dorëzim të ofertave janë përgatitur nga babai ynë Halil Fazli Koca, tashmë i ndjerë. Pas humbjes së prindit tonë, ne fëmijët e tij, jemi munduar që të vazhdojmë biznesin që babai jonë na e ka lënë” – kishin thënë në atë kohë nga kompania “ARF Sh.P.K”

Hulumtimin e plotë mund ta lexoni më poshtë.

Dyshime të forta se tenderi 155 mijë euro u fitua përmes dokumentacionit të falsifikuar