Bota e egër-Fotografi e huazuar nga fotografi Arian Mavriqi

Vrasja dhe keqtrajtimi i kafshëve në Kosovë

Shkelmimi i kafshëve shtëpiake në ambiente publike, gjuetia ilegale e specieve të rralla dhe mbajtja e pakontrolluar e kafshëve blegtorale janë vetëm disa nga abuzimet të cilat shpërfaqin raportin jo-njerëzor njeri-kafshë në Kosovë.

Milaim Vitia gjuetar dhe kryetar i Shoqatës së Gjuetarëve “Gollaku” në Prishtinë ka 15 vite që përkujdesjen ndaj kafshëve e ka shndërruar në profesion. 

Sipas tij, vrasja ilegale e kafshëve në Kosovë po e “shpraz” faunën duke rrezikuar që i gjithë vendi të mbes pa kafshët e pyllit.

Vitia i cili profesionin e ka trashëguar nga babai, gjyshi e stërgjyshi i tij, rrëfen se speciet si kaprolli, lepuri, ujku e dhelpra janë në zhdukje si pasojë e gjuetisë ilegale. 

“Nëse vazhdon gjuetia ilegale në këtë ritëm pa kontrollim nga institucionet të gjitha speciet në male do të zhduken njëlloj si në Shqipëri”, tha Vitia.

Muajve të fundit janë publikuar fotografi të një dhelpre të maskaruar në Kamenicë, drenushe gjashtë-shtatë muajshe të masakruar në Dragash dhe varjen e shpezëve në fshatin Stralicë të Kamenicës.

 

Fotografi i botës së egër Arian Mavriqi tha se kafshët rrezikohen nga gjuetia ilegale, por se sipas tij egziston një vetëdijësim më i madh gjatë viteve të fundit sidomos pas publikimit dhe videove të tyre vetëdijësuese.

“Ato rrezikohen edhe nga prerja ilegale e pyjeve, degradimi i lumenjeve, mbeturinat nëpër vendet e banuara me kafshë dhe shpendë, por padyshim se edhe vrasja e specieve të ralla përbën rrezik të madh”, tha Mavriqi.

Mavriqi thotë se gjatë punës si fotograf këtë vit ka vërejtur një numër më të vogël të thëllënzave të fushës në krahasim me vitet e kaluara. Por,  përpos këtyre ai tha se padyshim se i vërejnë edhe pjestarët tjerë të faunës që janë shumë të paktë në numër, sidomos kafshët e egra. 

“Në Shqipëri e Serbi tregojnë kolegët tanë thuajse janë afër zhdukjes, dhe se shumë shumë rrallë i shohin”, tha Mavriqi.

Sipas tij, nëse vazhdojnë të mos zbatohen ligjet në fuqi e sidomos ndaj atyre që zihen në flagrancë, të cilëve duhet t’u jepet dënim i merituar, kurrë nuk do të kemi gjendje të mirë në Kosovë. 

“Edhe shoqatat e gjahtarëve të luajnë rol të madh, sidomos ndaj të antarësuarve të tyre, të mbahet ekstra-seminare me ta dhe t’u tregohet sa ma shumë për rrezikun që na kanoset nëse nuk respektohen ndalesat”, tha Mavriqi.

Ndërsa, Elza Ramadani nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve tha se ka shumë gjuetarë të pakontrolluar, të cilët në mungesë të monitorimit nga shteti, vrasin kafshë që janë të ndaluara me ligj të vriten dhe vrasin kafshë edhe jashtë sezoneve të gjuetisë.

“Gjuetia si sport, është e turpshme të mendohet dhe më së shumti aplikohet tek vendet e varfëra apo vendet me sistem shtetëror shumë të dobët, siç është Kosova në të gjitha nivelet”, tha ajo.

Sipas saj, gjuetarët e tillë nuk kanë frikë nga institucionet sa që vrasin ujkun, dhelprën, shpezët e egra dhe i publikojnë fotografitë në Facebook.

Ramadani tha se Fondacioni është duke përgatitur kallëzime penale për të gjithë gjuetarët që postojnë fotot e tyre me kafshët e egra të mbrojtura me ligj, të vrara nga ta.

Sipas përgjigjeve nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë,  dhe Zhvillimit Rural, gjuetia lejohet vetëm për kafshët dhe shpendët si derri i egër, dhelpra, qelbësi, lepuri, çakalli, thëllëza, shkurta, pëllumbi dhe disa të tjerë (përveç ujkut, gjuetia e të cilit është e ndaluar me udhëzim administrativ për shpalljen e llojeve të mbrojtura dhe strikt të mbrojtura, si dhe kur me planin menaxhues të aprovuar është planifikuar reduktimi i tyre).

MBPZHR-ja shkruan se llojet e rralla dhe të rrezikuara si:  dreri, kaprolli, dhia e egër si dhe llojet e kafshëve përherë të mbrojtura si: ariu, rrëqebulli, macja e egër, ketri, pula e egër, shqiponja, orli, e disa të tjera, janë të ndaluara për gjueti, por shpesh edhe të rrezikuara nga ’’gjuetarët’’ dhe gjuajtja apo vrasjet ilegale.

Sipas tyre, shtimi i fondit të kafshëve të egra është sfidë, që kushtëzohet nga shumë faktorë si: ruajtja e habitateve natyrore, gjuetia e paligjshme, reduktimi i llojeve predatore, numri i madh i armëve ilegale, gjendja shëndetsore dhe përkujdesi për popullacionet e egra, menaxhimi i qëndrueshëm, etj.

Zonat malore ku ndër vite është hasur gjuetia ilegale janë: Shutmani, Oshlaku, Koxha Ballkani, Liqeni i Jazhincës, Bistra e Koritinku.

Për këtë gjendje, Vitia fajin ia lë njerëzve që sipas tij janë të pandërgjegjshëm përderisa arrijnë ta mbysin një kafshë, institucioneve komunale që i konsideron si jo-funksionale dhe Prokurorisë e cila nuk i merr parasysh kallëzimet penale.

“Nuk mundesh me thur gardhin me dy njerëz. Na boll përpiqemi e shkruajmë kallëzime penale por kot. Duke përjashtuar ditët e fundjavës dhe duke marrë parasysh veç ditët e javës rreth 40 gjuetarë në rajonin e Prishtinës nuk ndalen pa marrë parasysh ndalimeve”, tha Vitia.

Shkumbin Gashi, drejtor i Turizmit,  Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në komunën e Prishtinës tha se janë duke punuar që shumë shpejtë të dalin me thirrje për aplikim në dhënien në shfrytëzim te vendgjuetive të Komunës së Prishtinës.

 Ligji për Mbrojtjen e Natyrës nuk e lejon gjuetinë pa një arsye të justifikuar. Ky ligj ndalon që kafshët në zonat e mbrojtura të shqetësohen, të kapen, të lëndohen dhe të zvogëlohet numri i popullacionit të llojeve të tyre.

Dhelpra e maskaruar në Kamenicë, dhjetor 2020- Fotografi nga fotografi Besnik Jakupi

Poashtu, ndalohet kapja ose vrasja e shtazëve të cilat i përkasin kategorisë të llojeve të egra të mbrojtura, përveç nëse gjuetia bëhet me qëllim të përpunimit, tregtisë dhe qarkullimit tjetër, por në këto raste nevojitet marrja e lejes nga Ministria me vendim apo me pëlqimin e pronarit ose bartësit të së drejtës në të mirat e natyrës.

Aktivistja Elza Ramadani thotë se vrasja e kafshëve më së shumti ndodh për shkak të mosseriozitetit të organeve shtetërore për ta trajtuar këtë fenomen.

Sipas saj, ky fenomen negativ është edhe si rrjedhojë e mentalitetit të krijuar nga mungesa e informatave rreth jetës së kafshëve, qoftë atyre në jetë të egër, qoftë atyre shtëpiake.

Ajo tha se kjo gjendje është edhe si rezultat i mungesës së materialeve në shkolla për mirëqenien e kafshëve dhe mungesës së informatave bazike për trajtimin e kafshëve.

Sipas Kushtetutës, nenit 8 të për mbrojtjen e kafshëve, përveç në rastet emergjente të cilat dukshëm tregojnë dhembje ekstreme që mund të pasojnë me ngordhje, vetëm veterinari ose personi kompetent lejohet të vras kafshën e llojit të zbutur ose çfarëdo kafshe të egër e cila është zbutur, përveç kafshëve të mbarështuara për prodhim të ushqimit.

Vrasja dhe varja e shpendit (kumria) në fshatin Stralicë të Kamenicës, dhjetor 2020- Fotografi nga fotografi Arian Mavriqi

Ramadani thotë se nuk mjafton që institucionet të bëjnë disa raporte që i konsideron kopje nga raporte evropiane dhe që nuk bazohen në studime serioze e profesionale të mjedisit dhe jetës së egër, për të kuptuar gjendjen e ekosistemit i cili është jetik për ne njerëzit.

Sipas monitorimit të saj të gjendjes me kafshët nëpër Kosovë, vërehet se kafshët blegtorale janë shumë të keqtrajtuara.

“Mund të themi me shumë bindje që shumica e mbajtësve të kafshëve në Kosovë, nuk i plotësojnë as kushtet minimale të mbajtjes së kafshëve të tyre”, tha Ramadani.

Sipas saj, shumica e bagëtive në Kosovë jetojnë në kushte të tmerrshme qoftë gjatë verës, ashtu edhe gjatë dimrit.

Ramadani u shpreh se në shumë raste, kafshët blegtorale vriten për therje, në oborre të shtëpive, në tregje të kafshëve apo në vende të tjera publike dhe jo ligjore, pa u trullosur fare e që bën që kafsha të ndjejë vuajtje të mëdha.

Në të njëjtën intensitet si kafshët blegtorale keqtrajtohen edhe kafshët si macja, qeni, zogjët, brejtësit, etj.

Bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, keqtrajtimi dhe vrasja e kafshëve është vepër e dënueshme dhe konsiderohet si vepër penale, por sipas Ramadanit edhe pse kanë raportuar shumë raste kanë hasur në një mosinteresim të institucioneve për t’u marrë seriozisht me shkelësit e ligjit.

Jo rrallë herë kemi hasur në keqtrajtime si shkelmimet apo goditjet tjera ndaj qenve e maceve nëpër qytet.

“Kemi hasur në raste ku njerëzit sillen keq ndaj kafshëve (kryesisht të rrugës) vetëm pse shfaqin irritim nga to apo pse në një lagje të caktuar ka këlysh të sapo lindur që kinse bëjnë zhurmë të pa durueshme për njerëzit”, tha Ramadani.

Sipas saj, kjo tregon mendësinë e ulët që një shumicë e madhe e shoqërisë tonë tregon ndaj krijesave të pambrojtura dhe të cilat nuk sillen në rrugë me dëshirën e tyre.

Për të evituar këtë gjendje dhe sulmet nga qentë endacakë Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratë për ndërtimin e strehimores, e cila pritet të fillojë në vitin 2021. Strehimorja pritet të ndërtohet në rrugën ‘Brigada’ në Hajvali të Prishtinës për të cilën janë ndarë 150 mijë euro.

 

Prishtinë – Qentë endacakë, dhjetor 2020 – FOTO: NAIM KRASNIQI – KALLXO

Profesori dhe studiuesi i sistemeve mbrojtëse në speciet shoqërore në Universitetin e Floridës në SHBA, Henry Hermann në hulumtimin e tij për vrasjen e kafshëve dhe raportin njeri-kafshë ka shkruar se aktet e mizorisë ndaj tyre janë simptomatikë e një shqetësimi mendor. 

Bazuar në kërkimet e tij në psikologji dhe kriminologji tregojnë se njerëzit që kryejnë mizori ndaj kafshëve nuk ndalen këtu shumë prej tyre kalojnë te njerëzit.

“Për shkak se abuzuesit synojnë individë që janë më pak dominantë se ata vetë, krimet kundër kafshëve, bashkëshortëve, fëmijëve dhe të moshuarve shpesh shkojnë dorë për dore”, shkruan në studimin “Dominance and Aggression in Humans and Other Animals.”