Pastrimi rreth pendës së Livoqit; Fotografi: Komuna e Gjilanit në Facebook

Komuna e Gjilanit dhe FSK-ja pastrojnë ambientin dhe mbjellin drunj te penda e Livoqit

Komuna e Gjilanit dhe Regjimenti i Parë i Forcave Tokësore të FSK-së dhe Agjencionin për Zhvillim Rajonal Lindje, kanë bërë sot pastrimin e ambientit dhe kanë mbjellë drunj dekorativ afër pendës së Livoqit.

Nënkryetari i Gjilanit Arbër Ismajli ka siguruar qytetarët që aty ku ka mundësi, komuna do të ndërhyjë për ta pastruar çdo pjesë ku ka mbeturina.

“Falë përkushtimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, ne e pastruam pendën e Livoqit dhe mbollëm drunj dekorativ. Ky aksion është sinbolik dhe nuk është as i pari e besojqë nuk do të jetë as i fundit që FSK na bashkangjitet”, tha Ismajli, shkruhet në njoftimin e komunës.

Zëvendës komandanti i Regjimentit të Parë i Forcave Tokësore të FSK’së, major Kadri Berisha, tha se do t’iu dalim në ndihmë institucioneve sa herë që kërkohet nga ta.

“Me kapacitetet tona ushtarake, njerëzore dhe me automjete, e kemi mbështetur këtë aktivitet për pastrimin e kësaj bukurie që e ka fal Zoti”, tha major Berisha.

Drejtori ekzekutiv i  Agjencisë për Zhvillim Rajonal Lindje,  Agim Zeka, ka falënderuar Komunën dhe FSK’në për pastrimin e ambientit aty dhe mbjelljen e drunjve.

“Si AZhR që nga muaji mars kemi filluar me këtë aksion dhe besoj që do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Po ndihem shumë mirë që për një kohë shumë të shkurtër ky ambient e mori këtë pamje fantastike”, tha Zeka.