
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Premtimet e LDK-së për energji, bujqësi dhe ambient
Të ftuarit në #DebatPernime debatuan për energji, bujqësi dhe ambient. Përfaqësuesit e partive të cilët ishin pjesë e debatit, AAK, LDK dhe LVV shpalosën programin e tyre qeverisës për bujqësinë, energjinë, ambientin dhe tema të tjera.
Edhe pse janë ftuar edhe përfaqësuesit e PDK-së dhe Nismës Socialdemokrate në këtë përballje të programeve politike në temat e trajtuara, ata e kanë refuzuar ftesën.
Përfaqësuesi i LDK-së në këtë debat ishte ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa. Mustafa shpalosi zotimet për energjinë, bujqësinë dhe ambientin.
Premtimet e LDK-së për energji, bujqësi dhe ambient:
- Besian Mustafa (LDK)
– Nga subvencionet në sipërfaqe të kalojnë në subvencionim në rendiment
– Kontrolli jo në terren por duke përdorur teknologjinë përmes imazheve satelitore
– Brenda mandatit nga 20 mijë në 40 mijë hektarë të sipërfaqes bujqësore do të kalojnë në ujitje
– Largimi i akcizës së naftës që përdorimit në bujqësi por të shtohet edhe kontrolli
– E gjithë databaza e regjistrimit për subvencione të kalojë në aplikacion online
– Secili fermer kur të shkojë në pompë për naftë të ketë të caktuar në aplikacion se sa litra naftë mund t’i marrë pa akcizë
– Të ketë kontrolle financiare për produktet vendore. Inspektorati i Tregut të sigurohet që kanë ekspozim preferencial të produkteve vendore në pikat e shitjes
– Të kalojmë te subvencionimi i blerjes së policës së sigurimit, bujqit do të blejnë policën e sigurimit nga kompanitë e sigurimit e më pas Ministria e Bujqësisë do të fillojë kompensimin me 90% të dëmeve
– Do të ketë zgjidhje në nivel vendi e jo në nivel komune sa i përket trajtimit të ujërave të zeza. Do t’i japim rëndësi në zgjedhjen e impianteve se ato ndahen në disa lloje
– Plotësim-ndryshimi i ligjeve aktuale për mbrojtje të ambientit
– Të gjitha lejet për shfrytëzimin e resurseve natyrore do të kalojnë në një sistem me konkurrencë të lirë dhe të plotë
– Duhet të kalojë në sistemin e konkurrencës së lirë dhënia në shfrytëzim e pyjeve nga Agjencia për Mbrojtjen e Pyjeve. Me plotësim-ndryshimin e ligjit kjo do të bëhet e mundshme me thirrjen e hapur.
– Do të punojmë për të funksionuar gjyqësori që të përfundojnë më shpejtë rastet e kompanive që kanë shfrytëzuar jashtëligjshëm resurset natyrore
– Brenda mandatit të ardhshëm do të hiqet tarifa nxitëse për energji të ripërtëritshme për të kaluar në ankand
– Brenda mandatit 4-vjeçar do të zgjidhet problematika e efiçiencës së energjisë
– Do të punojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës të paguajnë energjinë elektrike
Pjesë e debatit kanë qenë: Besnik Krasniqi dhe Bajram Kastrati nga AAK, Besian Mustafa nga LDK, dhe Hajrullah Ceku nga LVV.
Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.
Debati transmetohet çdo ditë në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.
Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.