Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Premtimet e LVV-së për energji, bujqësi dhe ambient

Të ftuarit në #DebatPernime debatuan për energji, bujqësi dhe ambient. Përfaqësuesit e partive të cilët ishin pjesë e debatit, AAK, LDK dhe LVV shpalosën programin e tyre qeverisës për bujqësinë, energjinë, ambientin dhe tema të tjera.

Edhe pse janë ftuar edhe përfaqësuesit e PDK-së dhe Nismës Socialdemokrate në këtë përballje të programeve politike në temat e trajtuara, ata e kanë refuzuar ftesën.

Përfaqësuesi i LVV-së në këtë debat ishte Hajrullah Çeku. Çeku shpalosi zotimet për energjinë, bujqësinë dhe ambientin.

Premtimet e LVV-së për energji, bujqësi dhe ambient:

  • Hajrullah Çeku (LVV)

– Subvencionet të shkojnë te ata që kanë nevojë dhe që janë më produktiv. Shpërndarja e subvencioneve të bëhet me plan strategjik

– Ne të kemi çmime referente për produktet bazë si gruri dhe qumështi

– Mbështetja e bujqësisë me kredi

– Lehtësimi i promovimit të turizmit lokal

– Komunat përmes grantit 4 do të kenë më shumë autonomi se si të bëjnë shpërndarjen e buxhetit në bujqësi

– Do të punojmë për anëtarësim në Fondin Ndërkombëtar për Bujqësi

– Ndër zotimet kryesore është shpërndarja e sistemit të ujitjes nga pikat e grumbullimit deri te komunat dhe ato të vazhdojnë ta shpërndajnë sistemit më tej

– Të konsultohemi me shoqatat e fermerëve dhe ta gjejmë modelin më të mirë për largimin e korrupsionit nga shpërndarja e subvencioneve

– Largimi i akcizës në naftë për bujqit do të jetë një nga veprimet e para. Bujku të ketë sa më pak ngarkesa në prodhimtari

– Shumëfishimi i numrit të inspektorëve për kontrollimin e natës

– Duhet të analizohen letrat, procedurat për hidrocentralet se besojmë që ka parregullsi. Veprimi i dytë është moratoriumi

– Të rritet numri i inspektimeve për të parë se si po përdoren resurset natyrore të Kosovës dhe të aplikohet politika e ndëshkimit

– Nuk do të lejojmë që shteti t’i përdorë resurset e veta me ia çu në xhep disa biznesmenëve të mëdhenj

– Nuk besoj që një termocentral i ri me qymyr do të kishte me qenë një zgjidhje

Pjesë e debatit kanë qenë: Besnik Krasniqi dhe Bajram Kastrati nga AAK, Besian Mustafa nga LDK, dhe Hajrullah Ceku nga LVV.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Debati transmetohet çdo ditë në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.