Vjosa Osmani ‘bashkon’ strukturën e përçarë të LDK-së

Me marrjen e bekimit nga Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK) si kandidate për kryeministre për të garuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit, Vjosa Osmani ka nisur takimet nëpër degët dhe komunat ku qeverisë partia e saj dhe jo vetëm.

Por në këto takime, Osmani po bën bashkë mes tjerash zyrtarë të LDK-së, të cilët kanë shfaqur zë kritik në ndaj politikave më ta larta partiake.

Të parat takime, Osmani vendosi t’i zhvillojë në komunat në të cilat qeverisë LDK-ja, duke nisur me atë të Lipjanit, e cila udhëhiqet nga Imri Ahmeti, për të vazhduar më pas me atë të Vitisë, e cila është nën udhëheqjen e Sokol Halitit (LDK).

Vizita e radhës e kandidates së LDK-së për shefe të qeverisë u zhvillua në Fushë Kosovë, në komunën e Burim Berishës, që i përket po ashtu subjektit të saj politik, pasuar me vizitën në Komunën e Vushtrrisë së Xhafer Tahirit (LDK).

Ndërkaq, Burim Berisha, i cili njëherësh është kryetar i degës së LDK-së në Fushë Kosovë, pati preferuar që Vjosa Osmani të ishte edhe kryetare e LDK-së, para se Mustafa të merrte drejtimin e partisë për të tretën herë radhazi.

Berisha madje kishte kërkuar që LDK-ja të udhëhiqet nga struktura dhe njerëz të rinj.

Kryetari i Degës së LDK-së në Fushë Kosovë, Burim Berisha dhe kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani – Foto: Vjosa Osmani/ Facebook

Por gjatë vizitën në Fushë Kosovë afër Osmanit është parë edhe anëtarja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, e cila shfaqi pakënaqësinë që Isa Mustafa mori sërish pozitën e kryetarit të partisë në kuvendin zgjedhor të 3 gushtit.

“Në takim me qytetarët e Fushë Kosovës, kampionë të fitoreve të LDK-së
Vazhdojmë…”, ka shkruar Tërmkolli në profilin e saj në Facebook, përcjellë me dy fotografi ku duket bashkë me Vjosa Osmanin.

Termkolli, me 3 gusht e solli në kujtesë kohën kur Mustafa kishte qenë ministër i Qeverisë që udhëhiqej nga Rrahman Morina.

“Në krye të LDK-së e kemi njeriun që ka qenë ministër i Rrahman Morinës dhe nuk është aspak e çuditshme”, tha Tërmkolli në një konferencë për media, pasi kishte dështuar hyrja në garë e ish-kryetarit të LDK-së, Fatmir Sejdiut.

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani bashkëpartiakja e saj Melihate Tërmkolli – Foto: Melihate Tërmkolli/ Facebook

“Unë kam qenë ministër i Republikës së Kosovës. Kam punuar për Kosovën. Me Rrahman Morinën, veç nëse ka Melihatja ndonjë lidhje telefonike”, iu përgjigj Mustafa Termkollit pasi u rizgjodh kryetar i LDK-së.

Ndërkaq, Osmani, së cilës i është besuar edhe pozita e nënkryetares së LDK-së, gjatë këtyre ditëve vizitoi edhe komuna të tjera, si Prizrenin e Mitrovicën.

Kundërshtitë e Osmanit me figura të larta të LDK-së

Vjosa Osmani, e cila në legjislaturën e kaluar të Kuvendit të Kosovës, ishte gruaja më e votuar nga zgjedhjet e 2017-ës, jo rrallë herë kishte dalë kundër vendimeve të partisë së saj.

Ajo kishte kundërshtuar ashpër vendimin e kryetarit Isa Mustafa që të nënshkruante koalicion qeverisës me PDK-në në krye me Hashim Thaçin në vitin 2014, pas një krize politike gjashtë mujore.

Osmani madje nuk e kishte votuar Hashim Thaçin, për president të Kosovës në vitin 2016, marrëveshje kjo paraprake mes LDK-së dhe PDK-së.

Në anën tjetër, Osmani edhe pse kishte kundërshtuar ashpër marrëveshjen për shënjimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, e njëjta kishte votuar pro saj.

Për çështjen e kufijve, por kësaj radhe për idenë e Presidentit Hashim Thaçi, për “korrigjim të kufirit” me Serbinë, Osmani ishte përfshirë disa herë në polemika me bashkë partiakun e saj, nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Hazirin.

Vjosa Osmani në vazhdimësi ka kundërshtuar këtë ide.

Ndërkaq, Haziri e kishte quajtur Osmanin “nuse e Preshevës”,  e cila po “shet mend për përfitim të votave”, kur e kundërshtonte idenë.

Këto deklarimet nuk kishin mbetur pa përgjigje nga ana e Osmanit.

“Atyre që i bëjnë argat idesë së ndarjes do u thosha marre ju koftë, por kurrë në jetën e tyre s’kanë pasur as marre e as fytyrë. Askush s’ka çka çuditet nga qëndrimet e mia, sepse ato janë qëndrime të LDK-së, të mbrojtjes së integritetit territorial, kushtetutës e deklaratës së pavarësisë dhe paqes dhe sigurisë në rajon, e të vulosura në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, i ishte përgjigjur ajo Hazirit.

Por gjërat duket se ndryshuan me kandidimin zyrtar të Vjosa Osmanit për kryeministre, në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri dhe kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani – Foto: LDK / Facebook

Duke qëndruar në konferencë krahë për krahë me Lutfi Hazirin, Osmani ,tha se këto janë barriera që tashmë janë tejkaluar.

“Unë jam krenare që jam nuse e Preshevës. Të gjitha barrierat e komunikimit që ne i kemi pasur e që janë ndërtuar artificialisht janë tejkaluar dhe nuk do të lejojmë assesi të ndërtohen sërish. Mirëpo ai (Lutfi Haziri) e ka mbështetur vendimin unanim te Këshillit të Përgjithshëm që kufijtë e 2008 janë të paprekshëm”, Vjosa Osmani me 27 gusht 2019.

Ndërsa, Haziri tha se dallimet mes tij dhe Vjosa Osmanit kanë qenë të natyrës politike, ndërsa deklaroi se është i lumtur për nominimin e Osmanit për kryeministrie.

“Unë e Vjosa s’kemi pasur kurrë barriera. Kemi bashkëpunuar shumë në nivele institucionale dhe politike. Dallimet politike që i ka shfaqë Vjosa kanë qenë te natyrës politike e që kanë vazhduar deri ë fund. Jam jashtëzakonisht i lumtur që kam mbështetë nominimin e saj për kryeministër”, tha mes tjerash ai.

Ndërkaq, së fundmi, Lutfi Hazirit i është besuar edhe udhëheqja e fushatës elektorale të Vjosa Osmanit.

Në LDK apo jashtë saj?

Aktiv në fushatën për t’i siguruar mbështetje Vjosa Osmanit për t’u bërë kryeministre është paraqitur edhe djali i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, Ukë Rugova.

Ky i fundit, në vitin 2010 kishte bërë koalicion me AAK-në e Ramush Haradinajt, që tashmë është kundër kandidat i Vjosa Osmanit për postin e shefit të ekzekutivit kosovar.

Atë botë, në cilësinë e kryesuesit të “Listës Ibrahim Rugova”, Ukë Rugova, dhe nënkryetari i parë i AAK-së, Blerim Shala, kishin nënshkruar një marrëveshje që paraqiste vazhdimësinë e partneritetit politik që kishin presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Protagonist i ”Listës Rugova” është edhe zëvendëskryeministri në largim, Dardan Gashi, për të cilin së fundmi është raportuar se ka kaluar në Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt.

Por Gashi i ka demantuar këto raportime. Ai ndër të tjerash ka shtuar se nuk e ka braktisur “Listën Rugova”, me arsyetimin se “nuk ka pasur listë për tu braktisur”.

“Lista Rugova ka qenë vetëm një herë në qeveri, ne qeverinë Thaçi 2! Përfshirja ime në qeverinë Haradinaj ka qenë si jo partiak, pra si i pavarur! Lista Rugova ka qenë një fraksion i LDK i cili ka pushuar se ekzistuari qysh ne vitin 2014!”, thuhej në një reagim të tij.

Gashi ndërkaq, ditë më parë ka theksuar se tema e rikthimit të tij në LDK nuk është shtruar ndonjëherë në drejtim të kryetarit të partisë, Isa Mustafa.

Së fundmi, më i zëshëm kundrejt vendimeve të LDK-së, si dhe në përkrahje të Vjosa Osmanit në kandidaturën e saj për kryeministre, është shfaqur ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci.

Gjatë kuvendit zgjedhor të LDK-së, me 3 gusht, Geci përmes një postimi në “Facebook” nxori në pah “diskutime të brendshme” të LDK-së.

Geci ka shkruar se e ka uruar Vjosa Osmanin për kandidaturën për kryeministre të Kosovës nga radhët e LDK-së.

“Po, me pas shëndetin taman edhe Vjosës i urova kandidaturën për kryeministre”, thuhej në shkrimin e tij.

Në anën tjetër, Fadil Geci, vëllai i Gani Gecit është  zgjedhur anëtar në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së.

Gani Geci dhe Isa Mustafa pas kuvendit zgjedhor të LDK-së, me 3 gusht 2019