Osmani nënkryetare e LDK-së, thotë se problemet me Hazirin janë tejkaluar

Vjosa Osmani përveç që u konfirmuar sot edhe zyrtarisht si kandidate për kryeministre nga radhët e LDK-së, ajo është zgjedhur edhe nënkryetare e partisë.

Këtë e ka bërë të ditur, Lutfi Haziri pas përfundimit të takimeve maratonike që u mbajtën sot në zyrat e kësaj partie.

Osmani e ka vlerësuar besimin e LDK-së që ajo të jetë kandidate për kryeministre si nderin më të madh.

“Është nderi më i madh i jetës time që të marrë mbështetje nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm për kandidaturën për kryeministre”, tha Vjosa Osmani në konferencë për media.

Osmani tha se ajo dhe LDK e kanë në fokus një bashkëqeverisje me VV-në, por që nuk heqin dorë nga pozita e kryeministrit.

“Fokusi ynë është për një bashkëqeverisje me VV, por do të flasim në ditët në vazhdim. VV duhet t’i bashkohet LDK-së në një epokë të re të ndryshimit në Kosovë”, tha tutje Osmani

Duke qëndruar në konferencë krahë për krahë me Lutfi Hazirin, që deri para disa muajsh nuk kishin pasur raporte të mira, madje duke u quajtur “Nuse e Preshevës” nga ky i fundit, Osmani tha se këto janë barriera që tashmë janë tejkaluar.

Osmani pati deklaruar se qytetarët e Luginës së Preshevës nuk bijnë në kurthet e Thaçit dhe Hazirit.

“Unë jam krenare që jam nuse e Preshevës. Të gjitha barrierat e komunikimit që ne i kemi pasur e që janë ndërtuar artificialisht janë tejkaluar dhe nuk do të lejojmë assesi të ndërtohen sërish. Mirëpo ai (Lutfi Haziri) e ka mbështetur vendimin unanim te Këshillit të Përgjithshëm që kufijtë e 2008 janë të paprekshëm”, Vjosa Osmani.

Ndërsa Haziri tha se dallimet mes tij dhe Vjosa Osmanit kanë qenë të natyrës politike, ndërsa deklaroi se është i lumtur për nominimin e Osmanit për kryeministrie.

“Unë e Vjosa s’kemi pasur kurrë barriera. Kemi bashkëpunuar shumë në nivele institucionale dhe politike. Dallimet politike që i ka shfaqë Vjosa kanë qenë te natyrës politike e që kanë vazhduar deri ë fund. Jam jashtëzakonisht i lumtur që kam mbështetë nominimin e saj për kryeministër.”, tha në mes tjerash Haziri.

VIDEO – Fjalët e para të Vjosa Osmanit si kandidate për kryeministre