Viti i ‘Bashkëjetesës’ Mustafa- Thaçi, në Skaner të Analistëve

Analistët e vlerësojnë se 365 ditëshi i qeverisjes së Isa Mustafës, ka qenë si hije e qeverisjes së Hashim

Thaçit, e të cilin e kishte kritikuar shumë gjatë viteve sa ky i fundit drejtonte qeverinë e vendit.

“Qeverisja e z. Mustafa karakterizohet me pamundësinë e këtij të fundit që ta konfirmojë veten si Kryeministër dhe të qeverisë si i tillë”, thotë Dren Doli, analist nga Grupi për Studime Juridike e Politike (GLPS).

Fushatën e shkurtë për zgjedhjet e jashtëzakonshme të qershorit të vitit 2014, Mustafa e kishte ndërtuar mbi kritikat ndaj kryeministrit të atëhershëm, rivalit kryesor politik, Hashim Thaçit.

Sociologu Artan Muhaxhiri mendon se kriza aktuale politike, bashkë me të papriturat që mund të sjellë Gjykata Speciale, “nuk e përjashton asnjë opcion për ndryshime të rëndësishme politike në muajt e ardhshëm”.

Ndërsa gazetari Bajrush Morina, thotë se koalicioni PDK-LDK është koalicion i imponuar.

“Është koalicion i domosdoshëm por jo i natyrshëm, është koalicion i dy partive të mëdha të cilat kanë pikëpamje diametralisht të kundërta, është koalicion që e mbyt demokracinë në Kosovë, dhe është koalicion që më së pakti i është dashur edhe LDK-së edhe PDK-së, është koalicion që më së pakti i është dashtë vendit por është koalicion i vetëm i cili megjithatë ka qenë i vetmi i mundshëm për t’u arritur”, thotë Morina.

Ai tha se Isa Mustafën dhe Hashim Thaçin në vitin 2014 i bashkoi “nevoja e domosdoshme”.

“Është shumë vështirë me qeverisë Isa Mustafa me Hashim Thaçin dhe ketë vështirësi më së miri e dinë që e ka në lëkurë Isa Mustafa, i cili në njërën dorë e ka peshën e rëndë të koalicionit me PDK-në, dhe e dyta është duke u përballë me një opozitë jashtëzakonisht ekstreme të rebeluar”, shprehet Morina, i cili në zgjedhjet e kaluara parlamentare kishte qenë pjesë e listës së LDK-së për deputetë..

Kryeministër i Kujt?

Marrëveshja për koalicion e bëri Mustafën kryeministër, ia dha PDK një numër të madh të ministrive dhe kryetarin e Kuvendit dhe ia mundësoi kryetarit të PDK-së Hashim Thaçi shpalljen e  kandidaturës për President, atëherë kur të skadojë mandati i Presidentes Atifete Jahjaga, në pranverë të vitit të ardhshëm.

Por analisti Imer Mushkolaj e sheh pa ndonjë rezultat konkret vitin e parë të qeverisjes së dy partive më të mëdha.

Ai tha se nëse merren parasysh premtimet e Isa Mustafës gjatë fushatës parazgjedhore, atëherë del se nuk është bërë asgjë në realizimin e tyre.

“Duke thënë se ka me qenë një qeverisje krejt tjetër, ne kemi pa vetëm një vazhdimësi të qeverisjes së Thaçit”, thotë Mushkolaj.

Ndërsa Dren Doli thotë se gjatë këtij viti, Mustafa ka shërbyer si Kryeministër vetëm i një pjese të kabinetit qeveritar.

Sipas tij gjatë këtij viti është reflektuar edhe pamundësia e vazhdueshme e Isa Mustafës, që t’i kontrollojë ministrat nga radhët e  PDK-së dhe atyre të listës Serbe.

“Shërbesa e tij si Kryeministër ka ngjyrosur tejet negativisht imazhin e lidershipit të deritanishëm të LDK-së me ngjyrat e dhunës, kokëfortësisë dhe inatit”, shprehet Doli.

Ai thotë se pritjet e publikut ishin shumë më të mëdha, nisur nga sjellja e lidershipit të kaluar të LDK-së.

Për Dolin, pritjet e LDK-së ishin që Mustafa do të arrijë të tregojë dallim në mes qeverisjes së PDK-së dhe asaj të LDK-së.

“Varësia e vazhdueshme nga Thaçi ka bërë të pamundur që (Mustafa) ta imponojë ‘vizionin e tij të shprehur qeverisës’, dhe prandaj qeverisja e tij tregon rezultate të pakta por pozitive vetëm në ato fusha ku të dërguarit e tij udhëheqin me to”, thotë ai.

Qeverisja e Mustafës filloi me një fluks masiv të largimit të kosovarëve drejt vendeve të Evropës perëndimore.

Qindra autobusë të mbushur me kosovarë largoheshin çdo ditë nga vendi drejt Hungarisë duke shfrytëzuar kufirin poroz ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë.

Imer Mushkolaj thotë se qeveria kishte dështuar ta ndalë largimin masiv të kosovarëve nga vendi dhe kalimin ilegal të tyre në zonën e Bashkimit Evropian.

Më pas filluan grevat dhe protestat e njëpasnjëshme të arsimtarëve, studentëve, veteranëve të UÇK-së, qumështarëve dhe në fund të partive opozitare.

Isa Mustafa nuk e pati luksin që ta presë 100 ditëshin tradicional për t’iu parë puna.

Një vit më vonë, Dren Doli thotë se rezultatet pozitive të qeverisjes një vjeçare të Isa Mustafës janë të kufizuara në vendosjen e një kursi pozitiv të shpenzimeve publike duke mos rrezikuar stabilitetin financiar të Kosovës.

Një gjë tjetër që ai ia përmend për të mirë Mustafës është edhe vullneti i këtij të fundit për ta përmirësuar funksionimi e asaj që është vlerësuar si burimi kryesor i korrupsionit në qeveri- nëpërmjet prokurimit publik.

Por Imer Mushkolaj thotë se Mustafa dështoi në depolitizimin e bordeve të Ndërmarrjeve Publike, që kishte qenë njëri nga premtimet kryesore të tij, si dhe njëra nga kritikat më të mëdha për qeverisjen e Hashim Thaçit.

“Ne kemi parë një vazhdimësi të mbushjes së Bordeve Publike, me militantë politikë”, thotë ai.

Në një të fundit, gazeta “Jeta në Kosovë” ka gjetur se Metije Jashari, reja e kryetarit të komunës së Podujevës Agim Veliu, është akomoduar nga qeveria aktuale në njërin nga bordet.

Veliu është nënkryetar i LDK-së dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i Mustafës në parti. Bashkë me emërime të njerëzve të LDK-së, gazeta Jeta në Kosovë ka identifikuar edhe emërime partiake nga partneri i LDK-së në qeveri, partia e zëvendës kryeministrit Hashim Thaçi.

Gjithashtu edhe bordet e tjera janë të ndara për njerëz të këtyre dy partive..

Por Bajrush Morina, e sheh me sy më pozitiv vitin e parë të qeverisjes së Isa Mustafës.

“Qeveria ka jetuar një vit me plot sfida, protesta, reagime, një vit me plot të papritura, por si sukses ka qenë fakti se i ka mbijetuar të gjitha këto protesta e reagime nga shtresa të ndryshme”, thotë ai.
Ndërsa  ai e cilëson si arritje vetëdijesimin e qytetarëve për të kërkuar kuponët fiskalë duke kontribuar “edhe në mbushjen e arkës së shtetit”.

Raporti i Progresit pa progres për Qeverinë

Në paraqitjet e fundit, kryeministri Mustafa dhe eksponentë tjerë të qeverisë janë duke e përmendur me të madhe nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim- Asocim me Bashkimin Evropian si suksesin më të madh të vitit.

Analisti i çështjeve evropiane, Avni Mazreku, megjithatë, thotë se mbyllja e ciklit për Stabilizim- Asocim, është çështje e vonuar.

“Kosova është vendi i fundit në rajon që e ka nënshkruar MSA-në dhe një pikë e tillë nuk është element për t’u mburrur Kosova me të”, thotë ai.

Në raportin vjetor të Komisionit Evropian të publikuar pak ditë pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, u pa se Kosova vlerësohej pozitivisht vetëm në tri çështje.

Paradoksalisht, të tri çështjet pozitive për të cilat fliste ‘Raporti i Progresit’ e kanë sjellë Kosovën në trazira saherë që është provuar të debatohet apo votohet për to në Kuvend.

Fjala është për dialogun me Serbinë, demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe themelimin e Gjykatës Speciale.

Sivjet Kosova ka kaluar muaj të rëndë për shkak të dhunës në Kuvend dhe jashtë tij, si pasojë e kudnërshtimit të opozitës ndaj të trija këtyre çështjeve.

Imer Mushkolaj ia krediton kryeministrit dështimin për ta krijuar një konsensus të gjerë kosovar në këto tema.

“Ai nuk ka arritur ta krijojë një konsensus politik e shoqëror për marrëveshje shumë të rëndësishme, dhe tash jemi këtu ku jemi”, thotë Mushkolaj.

Megjithatë, kur ky raport u publikua drejtuesit e qeverisë u ngutën t’ia përkthejnë opinionit ato që ata i vlerësonin suksese të vendit

Por Avni Mazreku e ka një tjetër mendim.

Ai thotë se çdo lëvdatë e liderëve të shtetit, ose cilësim si arritje e Kosovës në këtë raport, është “thjeshtë mosinformim ose lexim i gabuar” i raportit.

“Bashkimi Evropian i bëri të ditur Qeverisë gjatë verës, se Parlamenti i Kosovës nuk mund të shkojnë në pushim vjetor pa e votuar Gjykatën Speciale, dhe ka qenë e qartë që s’ka ekzistuar vullnet politik për krijimin e saj, po ka qenë domosdoshmëri”, thotë ai.
Për Mazrekun, edhe më shqetësuese është klasa politike në vend, si ajo në pushtet, ashtu edhe opozita.

“Në Raportin e Progresit demaskohet e gjithë klasa politike në Kosovë, dhe kjo është për tu shqetësuar, sepse një vend normal nëse e ka një pozitë të korruptuar, të themi kushtimisht, ndërsa një opozitë premtuese, atëherë mund të shpresohet në ndryshime. Mirëpo në rastin e Kosovës,  shihet e gjithë klasa politike është e bankrotuar politikisht”, thotë ai.

Ndërsa Fatmir Curri nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, (KCSF) thotë se në këtë raport, Kosova përshkruhet se gjendet në fazën e hershme të anëtarësimit, që nënkupton se është shumë mbrapa vendeve të tjera në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit.

“Të rralla janë pjesët ku lexohet se ka pasur progres, për mos me thënë asnjë”, thotë Curri.
Ai tha se është shumë normale që Bashkimi Evropian  e sheh pozitive themelimin e Gjykatës Speciale.

“Rasti i themelimit të Gjykatave Speciale, nuk duhet të konsiderohen progres, e aq më shumë që nuk janë kritere të Kopenhagës, janë kritere shtesë të cilat i janë kërkuar prej Kosovës”, thotë ai.

Rruga e Hashim Thaçit drejt Presidencës, një krizë më e thellë?

Por njëra nga goditjet më të mëdha për koalicionin qeverisës PDK- LDK erdhi në nëntor të këtij viti.
Një pjesë të madhe të këtij viti, Ministrisë së Punëve të Jashtme të drejtuar nga Hashim Thaçi ia kishte marrë debati dhe përgatitjet për pranimin e Kosovës në UNESCO.

Në një kohë kur njohjet e shtetit të Kosovës kanë ngecur, pranimi në këtë organizatë të OKB-së shihej si “barkë shpëtimi” e Thaçit në opinionin e brendshëm dhe fuqizim i subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.
Por votimi solli në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s tregoi që Kosova nuk ka mbështetje të mjaftueshme nga shtetet anëtare për t’u pranuar në këtë organizatë, madje as nga ato që e kanë pranuar. Kjo ishte kritikuar si mospunë e diplomacisë kosovare.

Për një kohë pas këtij dështimi, Thaçi rralloi në masë të madhe paraqitjet e tij në publik dhe postimet e tij deri atëherë shumë të shpeshta në Facebook.

Sociologu dhe analisti Artan Muhaxhiri është i mendimit se rezultati nga votimi në UNESCO krijoi një ndjenjë të përgjithshme zhgënjimi pasi që Kosova, në projektin për anëtarësim në këtë organizatë kishte investuar shumë energji politike dhe organizative.

“Përkundër angazhimit entuziast të strukturave të ndryshme të shoqërisë, gabimi më i madh i ekipit të këtij projekti ishte krijimi i përshtypjes për anëtarësimin në UNESCO si një gjë të kryer, të garantuar”, thotë Muhaxhiri.

Sipas tij, deklaratat e vazhdueshme për suksesin e parakohshëm për këtë aplikim kanë formësuar një situatë në të cilën edhe anëtarësimi eventual nuk do t’i sillte shumë poenë politikë Qeverisë.

Prandaj, Muhaxhiri thotë atmosfera e krijuar para votimit fliste se anëtarësimi eventual në UNESCO më shumë do të konsiderohej arritje e partnerëve kosovarë me fuqi globale – SHBA-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës sesa arritje e diplomacisë kosovare.

“Në nivelin kosovar, dështimi tash i faturohet Ministrisë së Punëve të Jashtme për faktin se ajo nuk e prezantoi këtë proces në mënyrë realiste para qytetarëve të Kosovës, duke e minimizuar skajshmërisht mundësinë e mosanëtarësimit”, thotë ai.

Muhaxhiri thotë se mossuksesi për anëtarësim në UNESCO e dëmton imazhin e Hashim Thaçit si Ministër i Jashtëm, por jo pozicionin që ka brenda koalicionit qeveritar me LDK-në dhe fuqinë e tij elektorale në Kosovë.

Në këtë drejtim, Muhaxhiri mendon se dështimi në UNESCO nuk e dëmton kandidaturën e Hashim Thaçit për President të Kosovës, ashtu siç e parasheh marrëveshja për koalicionin qeverisës PDK-LDK.

“Sipas deklaratave konsistente të Thaçit dhe të Kryeministrit Mustafa, marrëveshja mes PDK-së dhe LDK-së do të respektohet në plotëni, ndërkohë që përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare kësaj radhe do ta kenë më të vështirë ta imponojnë një alternativë, siç ishte rasti me Atifete Jahjagën”, thotë Muhaxhiri.

Ndërsa, gazetari Bajrush Morina, mendon se është kandidatura e Thaçit për President të vendit, ajo që do ta rrezikojë gjithë koalicionin, dhe që do ta çojë vendin në një krizë të thellë politike.

“Kriza e madhe politike mund të fillojë në momentin e fillimit të negociatave për zgjedhjen e kryetarit të vendit, dhe tash për momentin nuk kemi aq shumë krizë politike, tash kemi rebelim politikë në institucionet e shtetit tonë”, thotë ai.