Foto: Albin Kurti, Facebook

Asociacioni, ‘elefanti në dhomë’ që po injorohet

Kosova ‘mori obligime’ nëntë vite më parë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Derisa trysnia ndërkombëtare shtohet për zbatimin e marrëveshjes, ekzekutivi kosovar po e injoron ‘elefantin në dhomë’.

Nisi si teknik, por i tillë zgjati vetëm një vit. Në vitin 2012 krerët shtetëror të Kosovës e Serbisë nisin bisedimet edhe për çështje politike.

“Tuneli” i mospajtimeve mes dy vendeve duket pa dritë në fund edhe pas 11 viteve dialog. Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e nënshkruar nëntë vite më parë, u bë ‘sebep’ që dialogu mos të regjistroj ndonjë përparim të madh.

Bashkimi Evropian por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi kërkojnë nga Kosova zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Por, përgjigja e kosovarëve deri më tani është negative, kur fjala është për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Si t’i përgjigjet Kosova presionit ndërkombëtar për Asociacionin?

Kosova miratoi më 19 prill të vitit 2013 Marrëveshjen e parë ndërkombëtare të parimeve që rregullon normalizimin e marrëdhënieve në mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë, e cila është ratifikuar në formën e ligjit nga Kuvendi i Kosovës. Themelimi i Asociacionit, që buron nga kjo marrëveshje, konsiderohet detyrim ligjor dhe me pasoja juridike.

Shefi i Politikës së Jashtme evropiane, Josep Borrell, i ngarkuari për dialog i BE-së, Miroslav Lajcak e përfaqësuesi i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, bëjnë trysni që Kosova të zbatoj marrëveshjen për Asociacionin. Themelimin e tij e kërkon shteti serb.

Por, qeveria të cilës i prin Albin Kurti vazhdon të refuzoj themelimin e Asociacionit. Shefi i qeverisë kosovare e konsideron atë “një etnik” dhe si i tillë, sipas Kurtit, nuk mund të bëhet.

“Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë Asociacion mbi baza etnike”, argumenton Kurti.

Më 2015, në kuadër të dialogut të Brukselit, palët arritën Marrëveshjen mbi parimet për krijimin e këtij Asociacioni. Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga. Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

Grafika: Trembelat për Kallxo.com

Mosthemelimi i Asociacionit, sipas analistit politik, Artan Muhaxhiri, mund të jetë një pengesë tjetër për Kosovën në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“I gjendur mes marrëveshjeve të nënshkruara, kërkesave të vazhdueshme nga bashkësia ndërkombëtare dhe kundërshtimeve të ashpra prej lidershipit aktual të Kosovës, projekti i Asociacionit simbolizon një mur të madh në rrugën europiane të Kosovës”, vlerëson Artan Muhaxhiri.

“Pa pranimin, tejkalimin, ose rrëzimin e tij, pakgjë mund të ndryshojë”, thotë ai.

Në situatën aktuale, tejkalimi i kësaj pengese, mund të ndodh vetëm nëse ka një vullnet të lartë politik.

“Procesi i themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është shndërruar në një lëmsh të jashtëzakonshëm, i cili mund të zgjidhet vetëm me vullnet të madh politik dhe kreativitet konstruktiv institucional”, thotë Muhaxhiri.

Opsionet e Kosovës për Asociacionin

Deri më tani, ekzekutivi kosovar nuk ka prezantuar alternativat për Asociacionin. KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të zëvendëskryeministrit të parë, Besnik Bislimi, i cili është edhe kryenegociator i Kosovës, për të mësuar mbi opsionet e Kosovës rreth Asociacionit, por zyra për media e qeverisë nuk është përgjigjur.

Sipas kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, kështu siç është aktualisht, Asociacioni nuk duhet të pranohet. Ai thotë se Asociacioni nuk po bëhet për t’u dhënë të drejta serbëve të Kosovës por bëhet “për ta minuar Kosovën, për ta shkatërruar integritetin e saj territorial”.

“S’bëhet Asociacioni, nuk ndërrohet Kushtetuta, nuk bëhet copë-copë shteti për shkak se dikush tjetër jashtë Kosovës e kërkon këtë”, vlerëson kryeakademiku kosovar.

Sipas Muhaxhirit, Kosova duhet ta ketë një pltëformë ku do të përcaktoheshin disa pika të panegocieshme.

“Normativisht, Qeveria e Kosovës do të duhej ta ofronte një platformë të përbërë nga disa plane alternative për mënyrat e themelimit të Asociacionit, asnjë në kundërshtim me kushtetutshmërinë, sovranitetin, integritetin dhe funksionimin normal sistemor të shtetit”, thotë analisti politik Artan Muhaxhiri.

“Natyrisht, vetëm me kusht që BE-ja ta garantonte liberalizimin e menjëhershëm të vizave për kosovarët, së bashku me përfitimet tjera financiare dhe  politike”, thotë tutje ai.

Por, Muhaxhiri kritikon qasjen e deritanishme të qeverisë kosovare. Ai thotë se refuzimi për të diskutuar për këtë temë, pa ofruar opsione, është politikë e gabuar.

“Ky stil politik nuk është i pranueshëm për bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht për aleatët tanë më të rëndësishëm”. Sipas Artan Muhaxhirir politika bashkëkohore “është arenë e kërkimit të nuancave të pranueshme edhe në mes konflikteve më të mëdha, të cilat mundësojnë arritjen e marrëveshjeve dhe progresin”.

Aktualisht, Kosova dhe Serbia po dialogojnë për të gjetë një zgjidhje për përdorimin e targave të veturave që qarkullojnë në dy territoret e dy vendeve.

Kryeakademiku Kraja: Asociacioni nuk bëhet për të drejtat e serbëve por për ta minuar Kosovën

www.kallxo.com