Vendimi i 'duhur' i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e qeverisë Hoti ‘i pa pritur’

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e cila ka urdhëruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja brenda 40 ditëve dhe e ka anuluar vendimin për zgjedhjen e qeverisë Hoti, është mirëpritur nga analistë dhe njohës të Kushtetutës së Kosovës.

Vendimi i mbrëmshëm i 22 dhjetorit, i cili është bërë pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e Qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti vlerësohet si vendim i mirë.

Për njohësit e Kushtetuës dhe analistët ky vendim nuk është pritur se do të merret dhe se Gjykata Kushtetuese nuk ka arritur të krijoj opinion tek qytetarët dhe institucionet për vendimet e marra.

Mazllum Baraliu, njohës i Kushtetutës, ka thënë për Kallxo.com se kjo gjykatë nuk ka pasur ndonjë përvojë që nga fillimet e saja që qytetarët ose institucion të kenë ndonjë orientim se çfarë vendimi mund të merr.

Sipas tij vendimet e bëra nga kjo gjykatë janë të ndryshme nga njëra tjera dhe sipas tij kanë shkaktuar edhe pakënaqësi te palët e interesuara përkundër që çdo herë vendimet janë respektuar.

Ndërsa vendimin për rrëzimin e qeverisë Hoti, e cilëson si vendim të mirë.

“Ashtu siç është ky vendim është i mirë sepse kjo qeveri ka ardhur në kombinatorika të pazakonshme, në kohën e jashtëzakonshme. Tani duhet të mbushen mend të gjithë ata që në këtë mënyrë provojnë që teket e tyre dhe ambiciet e tyre nganjëherë edhe jo reale të përpiqen t`i realizojnë siç i kanë realizuar përmes këtyre kombinimeve. Patjetër që është vendim i mirëpritur”, tha Baraliu,

Baraliu pret që brenda këtij mandati të votohet buxheti i Republikës së Kosovës dhe të bëhet zgjedhja e presidentit.

“Tani duhet bërë përpjekje që të dihen afatet ligjore për mos t`u vonuar në zgjedhjen e presidentit. Duhet të shkohet në zgjedhje me rend dhe ligj. Qeveria e ka përgatit buxhetin më mirë është të shkohet me një përgatitje të tillë çfarë është sesa pa buxhet sepse koha është shumë e ngushtë”, tha Baraliu.

Sipas tij deri në prill presidenti duhet të jetë i zgjedhur. Ndërsa, buxheti duhet të miratohet deri në fund të muajit mars.

“Kjo qeveri që nga fillimi i saj është iniciuar dhe kalkuluar me kombinatorika kushtetuese jo-korrekte dhe matematika të dëmshme për qëllime politike dhe pushtetarë nga anëtarët e koalicionit dhe si e tillë përfundoi”, tha Baraliu.

Edhe analisti Ramush Tahiri tha për Kallxo.com se vendimi i gjykatës është i drejtë edhe duhet të respektohet.

Por sipas tij gjykata ka lënë paqartësi për kohën e zgjedhjeve.

“Gjykata ka thënë që brenda 40 dite me shku vendi në zgjedhje, por nuk ka kallxu kur nisin 40 ditë. Logjika është prej vendimit të gjykatës që nisin 40 ditë, një mendim tjetër është që Vjosa Osmani duhet me shpërnda Kuvendin dhe prej ditës së shpërndarjes së Kuvendit numërohen 40 ditë”, tha Tahiri.

Tahiri tha se nëse kemi çështje kaq shpesh të dërguara në Gjykatën Kushtetuese, kjo i bie që nuk është në rregull dhe nuk është korrekt pasi sipas tij gjitha këto çështje është dashur të dihen dhe mos të ndodhin.

Tahiri tha se vendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk e ka pritur askush.

“A e kanë prit vendimin, askush nuk e ka prit këtë vendim, as qeveria, se me pas prit ajo ish heq vet. Nuk e ka prit as KQZ-ja. Gjykata e ka marr vendimin njëzëri”, tha Tahiri.

Pozita e Opozita e mirëpresin vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Subjekti më i madh opozitar në Kuvendin e Kosovës Lëvizja Vetëvendosje, e kanë pritur një vendim të tillë nga Gjykata Kushtetuese.

Ish-ministrja e Drejtësisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë për KALLXO.com që e kanë pritur një vendim të tillë nga Gjykata Kushtetuese pasi që vetëm dhjetë ditë pas votimit të Qeverisë Hoti, LVV ka arritur në konstatitimin që një votë ka qenë e paligjshme.

“Ne po presim ftesën nga ushtruesja e detyrës së presidentes znj. Osmani, e cila e ka për detyrë të ftojë partitë politike për të marrë vendimin e tyre për datën e zgjedhjeve të reja”, thotë Haxhiu duke shtuar që tashmë është vendosur një afat nga Gjykata Kushtetuese.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i cili sipas tyre i hapë rrugë zgjedhjeve të reja parlamentare në Kosovë.

PDK-ja përmes një komunikate për media kanë thënë se koalicioni aktual qeverisës, tash e disa muaj nuk e ka shumicën parlamentare për ta kaluar asnjë ligj dhe ka bllokuar funksionimin normal të institucioneve shtetërore.

“Për këtë arsye, PDK-ja tashmë disa herë ka ftuar partitë politike parlamentare që të mblidhen dhe ta votojnë shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës. Që nga 6 tetori i vitit të kaluar, shumica e partive politike manipuluan me vullnetin e qytetarëve duke injoruar atë dhe duke pasur prioritet vetëm interesat e ngushta partiake”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga PDK-ja.

Përfundimisht, edhe sonte u vërtetua se “koalicioni i shpresës” që doli nga zgjedhjet e 6 tetorit ishte mashtrimi më i madh që iu bë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pasojat e të cilit po i vuajmë të gjithë për më shumë së një vit.

Sipas PDK-së dy qeveritë e 6 tetorit prodhuan mashtrim e zhgënjim.

Ndërsa, edhe partia në pushtet e ka pranuar vendimin.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri nuk e ka komentuar gjatë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në një deklaratë të shkurtër për KALLXO.com Haziri ka pranuar faktin se do të mbahen zgjedhjet.

Ndërsa,  u. d. e Presidentes Vjosa Osmani ka filluar të zhvilloj takime mes partive politike për të vendosur në lidhje me datën e zgjedhjeve në Kosovë.

Qeveria Hoti, përveç vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ka pasur rrezik të vazhdueshëm për rrëzimin e saj për çështje të ndryshme, siç janë pozita e presidentit, marrëveshjet në Uashington, kundërshtimi i AAK-së për mungesën e përfaqësuesve nga partia e tyre në Bruksel, autostrada e “Dukagjinit”, votimi i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, etj.

Këto mospajtime kanë ngjallur reagime të shumta nëse ky koalicion është stabil dhe nëse do të mund të funksionojë edhe më tutje kjo qeveri.

Gjithashtu që nga dorëheqja e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga ana e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara, tema e cila ende nuk është zgjedhur nga 5 nëntori i këtij viti është emri pasues për presidentin e vendit.

Koalicioni aktual qeveritar i Kosovës, ka dështuar të jetë vendimmarrës edhe në Kuvend, pasi gati në të gjitha seancat plenare, nuk arrinin që t’i grumbullojnë të gjithë deputetët që votuan për formimin e qeverisë.

 

Koalicioni qeveritar ‘i dobët’ në Kuvend, nuk arrin të sigurojë deputetët për vendimmarrje